I shpallur në kërkim nga SPAK për trafikim droge, vetëdorëzohet në Spanjë djali i Erzen Breçanit! Pritet ekstradimi për në Shqipëri

Eralbi Breçani, djali i Erzen Breçanit, është vetëdorëzuar këtë të enjte në Spanjë, pasi ishte shpallur në kërkim nga SPAK për trafikim droge.
Sipas burimeve për mediat, Breçani prej kohësh ndodhej në arrati, ndërsa autoritetet shqiptare kishin nisur procedurat për lokalizimin dhe arrestimin e tij, në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë.
Breçani ka deklaruar përpara autoriteteve spanjolle se do të përballet me drejtësinë në Shqipëri dhe pritet të ekstradohet drejt vendit tonë.
Sipas SPAK, Eralbi Breçani së bashku me Ergys Dashin dhe disa persona të tjerë, për të cilët hetimet vijojnë, kanë bashkëpunuar me njëri-tjetrin në formën e një grupi të strukturuar kriminal për trafikimin e 446 kg kokaine nga Amerika e Jugut drejt Holandës. Ndërsa më datë 05.01.2021 u bë e mundur sekuestrimi i kësaj ngarkese, si dhe arrestimi i një shtetasi holandez.
Ndërkohë, në kërkim vijon të jetë kreu i grupit, Ervin Mata, i cili është edhe kunati i Eralbi Breçanit.