Parkimet e gabuara dhe parakalimet e rrezikshme, Lamallari mesazh të fortë për drejtuesit e mjeteve luksoze: Nuk ka rëndësi mbiemri, pozicioni apo makina që drejtoni, por… (VIDEO)

Ministri i Brendshëm Besfort Lamallari ka publikuar një video nga aksioni i Policisë Rrugore, ku janë dënuar me gjobë disa drejtues mjetesh, të cilët kanë kryer disa shkelje të Kodit Rrugor si parkimet e gabuara, parakalimet apo shkeljet e rregullave të qarkullimit.
Lamallari fillimisht shkruan se qytetarët i janë ankuar në telefonin e tij dhe email në lidhje me parkimet e gabuara nëpër lagje e rrugë, të cilat sipas tij bëhen shqetësim për banorët e komunitetit.
Ndërsa më tej ministri jep mesazhin e fortë për drejtuesit e mjeteve luksoze, teksa shkruan se nuk ka rëndësi mbiemri që mban, pozicioni që pretendon apo marka e makinës që drejton, pasi sipas tij, para ligjit, të gjithë janë të barabartë.
“Policia e Shtetit nuk do të tolerojë asnjë shkelje, pavarësisht se kush është shkelësi“, thekson ministri.
Postimi i plotë:
Një nga ankesat më të shpeshta që kam marrë në adresën time elektronike apo në telefon janë pikërisht parkimet e gabuara nëpër lagje e rrugë, të cilat po bëhen shqetësim për banorët e komunitetit.
Një sjellje aspak civile, shpërfillëse ndaj normave ligjore dhe rregullave të bashkëjetesës në komunitet. Policia e Shtetit nuk do të tolerojë asnjë shkelje, pavarësisht se kush është shkelësi.
Nuk ka rëndësi mbiemri që mban, pozicioni që pretendon apo marka e makinës që drejton. Para ligjit, të gjithë janë të barabartë dhe rregullat vlejnë njësoj për secilin.