Mediu në SHBA, mbahet seanca e radhës për dosjen “Gërdeci”! Avokatët e ish-ministrit kundërshtojnë provat e SPAK

Këtë të martë në GJKKO është mbajtur seanca e radhës për dosjen “Gërdeci”, ku i pandehur është ish-ministri i Mbrojtjes në atë kohë, Fatmir Mediu.
Ky i fundit nuk ka qenë prezent në këtë seancë, pasi ndodhet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Mediu është përfaqësuar nga dy avokatët Henrik Ligori dhe Ardian Visha, ndërsa në seancë prezent ishte edhe vëllai i tij.
Po ashtu i pranishëm ishte Geraldo Druda, i cili ka humbur vëllain 7-vjeçar nga shpërthimi i fabrikës së demontimit të armëve në Gërdec në 15 marsin e 2008.
Pas përfundimit të seancës, avokatët e Mediut kanë kundërshtuar provat shkencore të paraqitura nga SPAK. teksa pretendojnë se nuk ka asnjë veprim individual të ministrit që ta lidhë atë me përgjegjësi penale.
Sipas tyre, transferimi i përgjegjësive të hallkave tekniko-administrative të shtabit të përgjithshëm, komandave dhe MEICO-s tek ministri, është arbitrar dhe se pretendimet e SPAK nuk mbështeten në asnjë bazë faktike të provuar.
Po ashtu bëhet me dije se seanca e radhës për këtë dosje do të mbahet në datë 16 qershor.
Kujtojmë që Fatmir Mediu është marrë si i pandehur në janar të vitit 2023 pasi akuzohej për shpërdorim detyre, veprime që sollën tragjedinë e Gërdecit dhe vdekjen e 26 personave. Ish ministri i mbrojtjes në atë kohë, Meidu, i ka mohuar të gjitha akuzat se ka kryer veprime apo mosveprime të paligjshme që ta lidhim me këtë çështje.
Rihapja e çështjes ndaj Mediut u vu në lëvizje pas 12 vitesh me inciativën e familjes së një prej viktimave të shpërthimit në mars 2008 në ambientet e ish “Brigadës së Tankeve”, me 26 humbje jete e qindra të plagosur.