Ngjarja e Bularatit si sprovë

Viktor Malaj

Ngjarja e ndodhur në fshatin Bularat në 28 tetor kur, në përpjekje me armë me forcat e rendit u vra shtetasi shqiptar me kombësi greke Konstantinos Kacifas dhe ditët që pasuan atë ishin një sprovë për shumëkënd dhe për shumëçka. Raste të tilla, pa ndonjë peshë në jetën shoqërore të vendeve perëndimore, kthehen në “letër lakmusi”* në vendet e Ballkanit për të nxjerrë në pah mentalitete, interesa, vlera dhe mosvlera morale dhe politike të individëve dhe palëve të interesuara për ndodhinë.

Për legjislacionin perëndimor dhe shumicën dërmuese të opinionit perëndimor (dëshiroj të besoj se këtu bën pjesë edhe opinioni grek), neutralizimi nëpërmjet asgjësimit i një individi të armatosur që s’iu bindet forcave të rendit dhe që hap zjarr është një veprim legjitim që i shërben rivendosjes së rendit dhe forcimit të tij, mbrojtjes së jetës së popullsisë dhe forcave policore që ndodhen në vendngjarje. Veprimet e forcave të rendit në ngjarjen e Bularatit kanë qenë në përputhje me ligjin pavarësisht emrit, kombësisë apo vendlindjes së viktimës. Drejtësia e veprimeve të shtetit matet duke e krahasuar me ligjet dhe jo me përkatësinë fetare, etnike, krahinore apo kombëtare të atyre që konfrontohen me shtetin. Vetëm mendjet e ushqyera me barutin ekstremist nacionalist ose që ndizen me benzinën e interesave politike vetjake apo të një grupi mund të guxojnë të dalin në mbrojtje të individëve të tillë si Kacifas.

Në këtë rast dhe të tjerë të ngjashëm duhet bërë mirë dallimi midis anës emocionale e humane dhe qëndrimeve ligjore apo politike. Nga pikëpamja njerëzore duhet ndjerë gjithmonë keqardhje që një apo disa individë humbin jetën për shkak se: nën ndikimin e anormalitetit të vet psikik të shkaktuar nga probleme të brendshme shëndetësore, ndikimit të lëndëve narkotike, alkoolit të përdorur apo qofshin të indoktrinuar nga propaganda dhe të keqpërdorur prej grupeve ekstremiste politike të ngjyrosura ose jo me ideologji fetare, kryejnë akte që bien në kundërshtim me ligjet dhe rrezikojnë seriozisht rendin publik dhe jetët e bashkëqytetarëve. Por, nga ana tjetër, duhet të jemi të vetëdijshëm, se në raste të tilla forcat e rendit janë të detyruara me ligj që t’i asgjësojnë.

Rasti i K.Kacifas është provë e qartë se ai u konfrontua me forcat e rendit jo për flamur dhe as për të drejta njerëzore e kombëtare, por thjesht për shkak të indoktrinimit dhe keqpërdorimit nga grupe apo organizata ekstremiste dhe terroriste që kanë kohë që veprojnë si pykë në marrëdhëniet midis popujve dhe qeverive të Shqipërisë dhe Greqisë. Pamjet filmike të ceremonisë përkujtimore të grekëve të rënë në Luftën e Dytë Botërore gjatë ndjekjes së pushtuesit të përbashkët në territorin shqiptar si dhe pohimet e Ministres greke të Kulturës, e pranishme në ceremoni, nuk lënë vend për dyshime lidhur me respektimin reciprok të simboleve kombëtare dhe të vetë ngjarjes. Edhe sikur të kishte pasur cenime simbolesh kombëtare, askujt nuk do t’i lejohej përdorimi i armëve të zjarrit për “rivendosjen e nderit”.

Qëndrimet e individëve dhe palëve politike lidhur me ngjarjen në fjalë dëshmojnë se matanë kufirit, në Greqi ka ende shumë individë, ashtu edhe politikanë që jetojnë me ëndrra shoviniste dhe të gatshëm të bëhen avokatë të akteve terroriste dhe kriminale kundër territorit, sovranitetit dhe popullsisë së Shqipërisë. Ndërsa qëndrimet e Ministres greke të Kulturës, deputetit grek Nikos Filis dhe, deri diku edhe qëndrimet e qeverisë greke ishin serioze dhe të peshuara, në të kundërt, reagimet e disa individëve politikë grekë, klerikëve pa mend dhe sidomos të eurodeputetes Eleni Teokarus ishin provë e qartë se edhe në një vend anëtar të BE-së që pretendon të udhëheqë Ballkanin drejt Perëndimit, pra edhe në Greqi, ka një numër mjerisht të madh personash dhe personalitetesh të cilët me botëkuptimin e tyre të mykur dhe me pasionet e tyre të errëta janë të gatshëm të rivendikojnë kufijtë me shtetet fqinjë duke ndryshuar hartën e Ballkanit. Avujt trallisës në kokat e këtyre njerëzve rrezikojnë të dëmtojnë rëndë bashkëjetesën paqësore dhe mirëkuptimin midis popujve dhe shteteve në këtë rajon, duke dëmtuar kështu jo pak interesat e popullit grek dhe nderimin që trashëgon Greqia e sotme nga grekët e lashtë.

Qëndrimet e padinjitetshme ndaj ngjarjes nuk munguan as këtej kufirit, në Shqipëri, ku politikanë sharlatanë si Sali Berisha e pak të tjerë u përpoqën të bënin shpjegime dhe interpretime ligjesh që rregullojnë sjelljen dhe veprimet e policisë kur përballet me njerëz të armatosur që nuk i binden për t’u dorëzuar dhe hapin zjarr kundër saj.

Fytyra e vërtetë e sharlatanëve të brendshëm e të jashtëm u shfaq më qartë gjatë dhe pas ceremonisë së varrimit të Kacifas. Ekstremistët e ardhur nga Greqia, ku bën pjesë edhe eurodeputetja Teokarus, u përpoqën ta kthejnë një procesion varrimi në një manifestim politik me parulla, thirrje dhe veprime antishqiptare të dënueshme. Thirrjet dhe veprimet si ato që ndodhën dhe pamë janë të dënueshme moralisht dhe fetarisht, por edhe ligjërisht nga legjislacioni shqiptar, ai grek dhe çdo legjislacion perëndimor. Përcjellja e viktimës me uniformë ushtarake, flamujt gjigantë grekë dhe parullat e shqiptuara dëshmojnë se kjo turmë mendje turbullt dhe ndërgjegje helmuar beson dhe propagandon se Kacifas u vra në Shqipëri si ushtar që luftonte për çlirimin e Vorio-Epirit. Po të ishte kështu, jo vetëm Kacifas, por edhe gjithë Teokaruset e meritojnë të njëjtin fund. Dhe, nëse nuk e duan atë fund, nuk duhet të vazhdojnë të mendojnë, sillen dhe veprojnë në shekullin 21, sipas mendësive dhe programeve të shekullit të 19.

Sali Berisha duhet të jetë i fundit shqiptar që ka të drejtën të mësojë forcat e rendit si të sillen kundrejt shkelësve të ligjit pasi ka vrarë katër protestues të paarmatosur. Pohimi i tij: “Dënoj me ashpërsinë më të madhe aktin primitiv të shfrytëzimit të një procesioni mortor… për qëllime raciste dhe antishqiptare” zbulon shumëfytyrësinë që e ka tiparin personal më dallues. Cipëplasuri Sali Berisha është i pari dhe i vetmi që ka tentuar të marrë pushtetin me dhunë duke goditur dyert e institucioneve qendrore të shtetit me arkivolin e një të vdekuri.

Opozita shqiptare që nuk lë rast pa lehur nëpër zyrat dhe korridoret e selive të BE-së, duke shpifur e sajuar histori që beson se do të ulin prestigjin e pushtetarëve të vendit të vet dhe do të rrisin besueshmërinë e tyre tek politika evropiane, kanë tani një rast të mirë të dëshmojnë atdhetarizmin dhe përkushtimin demokratik duke denoncuar eurodeputeten greke Teokarus e cila ka shkelur jo vetëm ligjet shqiptare e ndërkombëtare, por edhe parimet nga të cilat udhëhiqet BE-ja në marrëdhëniet midis shteteve. Provat që na ka dhënë kjo opozitë na bëjnë të mos shpresojmë se do ta çel gojën për të denoncuar të keqen e qenësishme. E shoh si detyrë të qeverisë shqiptare informimin e Parlamentin Evropian për fjalët dhe sjelljet e anëtares së tij Eleni Teokarus e cila nesër mund të mbajë leksione në atë parlament mbi marrëdhëniet midis popujve, shteteve anëtare dhe ligjshmërinë në sjelljet reciproke.

Kur të gjitha këto episode kanë përfunduar mund të themi se edhe qeveria greke, si çdo qeveri tjetër, ka të drejtë të kërkojë informacion lidhur me ngjarje të tilla si ajo e Bularatit, por një qeverie serioze nuk i lejohet që të heshtë ndaj veprimeve të shtetasve të vet si ato që u panë në Bularat dhe, akoma më keq, nuk i lejohet që ndalimin e hyrjes në Shqipëri të 52 grekëve që duhej të ishin në qelitë shqiptare për aktet e kryera në 8 nëntor, ta konsiderojë si “veprim që rëndon marrëdhëniet dypalëshe” (nga deklarata e Ministrisë së Jashtme Greke). Mosdistancimi i diplomates greke e pranishme në ceremoninë e varrimit të Kacifas nga aktet që u kryen nën flamurin grek dhe në emër të tij hedhin hije dyshime mbi moralin dhe sinqeritetin e politikës aktuale greke ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve. Hijen e dyshimit e rëndoi edhe më shumë deklarata e papërgjegjshme e zëvendësministres Katerina Papakosta që synon ta lidhë ngjarjen në Bularat me të drejtat që nuk u qenkan plotësuar pakicave greke në Shqipëri! Ka të ngjarë që me mentalitetin e saj zonja Papakosta beson se edhe përdorimi i armëve të zjarrit në ceremoni paqësore përkujtimore apo kundër forcave të rendit bën pjesë në të drejtat e pakicave kombëtare.

Mendoj se qeveria shqiptare përgjithësisht veproi drejt lidhur me këtë ngjarje. Ndërkohë që veprimet e kryera ditën e varrimit të Kacifas (parë në perspektivë), i quaj shumë më pak të dëmshme se disa probleme të tjera që lidhen me marrëdhëniet midis dy vendeve. Autoritetet policore dhe të kufirit nuk duhet të kishin lejuar hyrjen në Shqipëri të kriminelëve të tillë si Babis Karathanos dhe, më pas, shkelësit e ligjeve duhej të qëndronin në burgjet shqiptare derisa të përfundonte hetimi dhe gjykimi i rregullt.

Për të ardhmen e Shqipërisë dhe të marrëdhënieve dypalëshe me Greqinë kanë shumë më tepër rëndësi problemi i varrezave të ushtarëve grekë në Shqipëri dhe marrëveshja e ardhshme për ndarjen e detit. Normalisht, qeveria shqiptare nuk do të duhet të nënshkruajë asnjë marrëveshje me shtetin grek pa u shfuqizuar Ligji i Luftës nga pala greke. Ky ligj nuk quhet i shfuqizuar vetëm pse nënshkruhen marrëveshje apo traktate miqësie midis palëve. Ai shfuqizohet vetëm kur autoriteti që ka zëvendësuar mbretin e dikurshëm nënshkruan shfuqizimin e ligjit. Traktatet e miqësisë gjatë kohës që Ligji i Luftës është në fuqi iu ngjajnë marrëveshjeve midis ushtrive ndërluftuese për pushim të përkohshëm zjarri sa të çlodhen ushtarët e të dy palëve.

Qeveritë shqiptare nuk duhet të pranojnë kurrsesi ndërtimin e të tjera varrezave të ushtarëve grekë të rënë në territorin shqiptar gjatë luftës në fjalë. Nëse duan, grekët mund t’i identifikojnë dhe mbledhin eshtrat e të vrarëve për t’i vënë të prehen në tokën e tyre, në Greqi, sikundër kanë vepruar të gjitha shtetet e tjera të përfshira në luftë. Edhe sikur këto qëndrime të palës shqiptare të çojnë në votimin e Greqisë kundër pranimit të RSH në BE nuk duhet të frikësojnë dhe as tërheqin palën tonë nga interesat afatgjata kombëtare.

Partitë kryesore politike shqiptare të të gjithë spektrit ka ardhur koha të heqin dorë nga hipokrizia dhe cenimi i interesave kombëtare për pushtetin dhe privilegjet e veta dhe të mos pranojnë kurrsesi aleanca politike para apo paszgjedhore me parti apo shoqata politike të cilat kërkojnë të fitojnë vota dhe pushtet duke u bërë avokatë apo nxitës e frymëzues të individëve apo grupeve që propagandojnë dhe veprojnë kundër integritetit territorial dhe sovranitetit kombëtar shqiptar. Kur përfaqësuesit e minoriteteve do të jenë thjesht dhe vetëm zëdhënës dhe mbrojtës të të drejtave të popullsive që përfaqësojnë dhe jo zëdhënës, avokatë apo zgjatime të organizatave apo qeverive fqinje që nxisin dhe mbrojnë aktet antishqiptare, vetëm atëherë do të mund të justifikohen aleancat politike me ta. Ky fakt jo vetëm nuk duhet t’i pengojë por, përkundrazi, do t’i nxisë qeveritë shqiptare të bëjnë maksimumin e mundshëm që popullsitë minoritare të gëzojnë të gjithë të drejtat që iu njeh legjislacioni shqiptar dhe ai ndërkombëtar. Edhe në të ardhmen, ashtu si deri më sot, pakicat në RSH duhet të ndihen si qytetarë të barabartë dhe të respektuar.

* Letër lakmuesi – ( këtu ) Mjet që shërben për të zbuluar praninë e diçkaje që nuk duket, ashtu siç përdoret në kimi për të zbuluar substancat acide duke marrë ngjyrë të kuqe kur ndesh në to./ZgjohuShqiptar.info

Back to top button
LAJMET E FUNDIT