Europa nën “kupolën” afrikane të të nxehtit! Alarm i kuq në Itali, Franca thyen rekorde dhe temperaturat arrijnë deri në 45°C

Alarmi i kuq për temperaturat e larta, sot në 15 qytete të Italisë dhe nesër në 16, sipas Ministrisë së Shëndetësisë nuk duken më të mjaftueshme. Ndoshta duhet kaluar në një nivel tjetër, madje në “kod të zi”.

Kjo edhe sepse në Provence të Francës kanë humbur jetën dy fëmijë të lënë brenda një automjeti, me shumë gjasa si pasojë e temperaturave të larta.

Në Evropën Qendrore dhe Perëndimore, vala e të nxehtit që shtrihet nga Portugalia deri në Suedi jo vetëm që ka sjellë temperatura deri në 12 gradë më të larta se mesatarja sezonale, por ka aktivizuar alarmet në të gjitha vendet e prekura nga masat e ajrit të nxehtë me origjinë nga Afrika e Veriut, të cilat kanë mbuluar me një “flluskë përvëluese” gjysmën e kontinentit. Kjo situatë pritet të vazhdojë të paktën deri në fund të muajit.

Ekspertët flasin për të ashtuquajturin “bllok omega”, duke iu referuar formës së shkronjës greke Ω që merr anticikloni afrikan në hartat meteorologjike: temperatura shumë të larta në qendër dhe më të ulëta në skajet e sistemit. Kjo konfirmohet edhe nga situata në brendësi të Anadollit në Turqi, ku temperaturat janë 4-5 gradë më të ulëta se mesatarja, ndonëse zakonisht zona është ndër më të nxehtat.

Pas muajit maj të dytë më të nxehtë të regjistruar ndonjëherë, edhe qershori pritet të renditet mes muajve rekord. Sipas Institutit Italian të Shkencave të Atmosferës dhe Klimës (Isac-Cnr), temperatura mesatare gjatë vitit 2025 ishte 3,02 gradë më e lartë se mesatarja e referencës.

Alarmi është i lartë edhe për lumenjtë. Shoqata Kombëtare e Konsorciumeve të Menaxhimit të Ujit dhe Ujitjes (Anbi) njofton se situata në pellgun e lumit Po dhe në lumenjtë kryesorë të Italisë Veriore ishte e pritshme për shkak të mungesës së borës gjatë dimrit dhe temperaturave të larta. Megjithatë, rënia e shpejtë e prurjeve ka surprizuar ekspertët: vetëm brenda një jave, lumi Po ka humbur 60% të volumit të tij.

Konsumi i energjisë elektrike ka arritur nivele shumë të larta, duke shkaktuar ndërprerje të energjisë në zonat qendrore të Torinos dhe Milanos.

Një studim i publikuar në revistën Nature Climate Change tregon se Italia, së bashku me Meksikën dhe Kenian, është ndër vendet ku stresi termik është rritur më shumë që nga vitet 1970. Ndryshe nga Meksika, e cila ndodhet në zonën tropikale, dhe Kenia në ekuator, Italia po përballet me një rritje të pazakontë të temperaturave.

Për shkak të valës së të nxehtit, qeveria italiane ka rikthyer mundësinë që disa sektorë ekonomikë të pezullojnë ose reduktojnë aktivitetin e punës, duke u dhënë akses në skema të posaçme mbështetjeje financiare.

Megjithatë, zemra e kësaj vale ekstreme të të nxehtit ndodhet në Francë, edhe pse Spanja, Gjermania, Belgjika dhe Britania e Madhe po përballen gjithashtu me temperatura përvëluese. Masat e ajrit të nxehtë vijnë nga Sahara. Në Marok, temperaturat variojnë nga 39 deri në 42 gradë Celsius mes Kazablankës dhe Rabatit, ndërsa në zonat e brendshme arrijnë deri në 44 gradë.

Në Francë, sot 54 departamente janë vendosur në nivelin maksimal të alarmit – një rekord historik – duke prekur rreth 38,8 milionë banorë. Në Spanjë termometrat kanë arritur në 45 gradë Celsius, ndërsa në Angli priten temperatura nga 38 deri në 40 gradë, me rekorde të mundshme edhe në Londër. Shërbimi meteorologjik britanik, Met Office, parashikon thyerjen e rekordeve të temperaturave maksimale të qershorit, të vendosura në vitet 1957 dhe 1976 me 35,6 gradë Celsius.

Në Belgjikë ka shqetësime edhe për mbijetesën e shpendëve në qytete. “Në sipërfaqen e çative temperaturat arrijnë në 50-60 gradë”, paralajmëron biologu Romaine de Jaegere.

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, gjatë katër viteve të fundit në Evropë kanë humbur jetën më shumë se 200 mijë persona për shkaqe të lidhura me temperaturat e larta. Vetëm ditën e djeshme, në Parma mbi 1.000 persona iu drejtuan urgjencës dhe qendrave të asistencës mjekësore, ndërsa 30% e tyre ishin mbi 75 vjeç.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT