“Sot fola me kryeministrin e Shqipërisë, ka ende shumë për të bërë”

Kryeministri Edi Rama deklaroi këtë të martë se takimet e zhvilluara në Berlin për çeljen e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në BE ishin të suksesshme.
Madje, numri një i qeverisë sulmoi edhe mediat që duke pasqyruar qëndrimet e Gjermanisë ndaj procesit të integrimit, raportuan se Shqipëria dështoi për çeljen e negociatave në muajin qershor.
Por entuziazmin e Edi Ramës e përgënjeshtrojnë zyrtarë të rëndësishëm të Gjermanisë. Pas takimit që ka zhvilluar me kryeministrin Edi Rama, Johann David Wadephul, zv. Kryetari i Grupit Parlamentar CDU/CSU ne Bundestag, deklaroi se Shqipëria është ende shumë larg hapjes së negociatave.
Në një postim në rrjetet sociale, Wadephul thotë qartë se pritet ende shumë punë nga Shqipëria, para se të hapen negociatat.
“Sot kam biseduar me Kryeministrin e Shqipërisë.. ende ka shumë punë për t’u bërë përpara se bisedimet e pranimit të fillojnë”,- shprehet deputeti i Bundestagut gjerman dhe numri dy partisë së Angela Merkel, CDU.
Deklarata e deputetit gjerman është një përgënjeshtrim ndaj qëndrimeve të Edi Ramës lidhur me suksesin e vizitës së tij në Berlin. Paraditen e sotme, kryeministri shkroi në Facebook se nuk ka kushte të reja për integrimin e Shqipërisë në BE.
“Dy takime shumë pozitive mbi Shqipërinë me kryetaren e SPD, Andrea Nahles, dhe nënkryetarin e Grupit Parlamentar të CDU, Johann Wadephul. Mesazh i qartë: Shqipëria meriton njohjen e arritjeve të derikëtushme, përmes çeljes zyrtare të negociatave për anëtarësim”, deklaroi Rama.
Por qëndrimi i numri dy të partisë së Kancelares Merkel nuk lë vend për dyshime. Në Berlin jo vetëm që nuk flasin më për afate konkrete, por shprehen se duhet ende shumë kohë para se bisedimet të fillojnë.
Natyrisht asnjë nuk ndjehet mirë se negociatat nuk duken se do jepen në qershor nga BE, por duhet që kryeministri Rama të ulet për të gjetur ura bashkëpunimi me opozitën.

