Tirana përshëndet qeverinë “Kurti”, Rama e fton për “minishengenin”

Albin Kurti, Edi Rama dhe Pandeli Majko gjatë një takimi në Tiranë. Foto arkiv. Gazeta Si, shkurt 2020

Kryeministri Edi Rama dhe Presidenti Ilir Meta përshëndetën arritjen e marrëveshjes mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, që i hap rrugë formimit të qeverisë së re në Prishtinë pas muajsh të tërë ngërçi.

Rama i uron suksese Qeverisë së re dhe shprehet i gatshëm që me të të diskutojë nismën e “Shengenit Ballkanik”, nismë e cila nuk ka mbështetjen as të Albin Kurtit dhe as të Isa Mustafës.

“Suksese VV-LDK në formimin e qeverisë së re dhe në qeverisjen e Kosovës! Uroj të kemi një bashkëpunim sa më të dobishëm për shqiptarët këtej e andej kufirit dhe pres me padurim të shtrojmë në tryezë çështjen e lëvizjes së lirë të qytetarëve e të sipërmarrjeve në kufirin tonë”, shkruan ai.

Reagimi i Presidentit Ilir Meta ishte më i thjeshtuar.

“Përshëndes ngrohtësisht arritjen e marrëveshjes për bashkëqeverisje të Vetëvendosjes dhe LDK-së, si dy parti fituese të zgjedhjeve të përgjithshme, Qeverisë së drejtuar nga Albin Kurti i uroj sukses dhe arritje sa më të mëdha në të mirë të Kosovës për sfidat që e presin”, shkruan ai.

Edhe Lulzim Basha e përshëndeti marrëveshjen e arritur, që thotë se është realizimi i vullnetit të qytetarëve të Kosovës.

“Ajo është një akt ndershmërie dhe pjekurie politike e një vizioni të qartë të drejtuesve të LVV dhe LDK. Kjo marrëveshje është përgjigje konkrete e vullnetit për ndryshim i qytetarëve të Kosovës. Partia Demokratike si përgjatë çdo dite të historisë së saj, do të jetë plotësisht në krah e mbështetje të Kosovës dhe udhëheqësisë së saj, sot në opozitë e më fort nesër në qeverisjen e vendit, në sfidat që i kemi përpara dhe që kërkojnë angazhim të sinqertë e bashkëpunim vëllazëror”, thotë ai.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT