Ndalimi i gazetarit Mema nga grekët, MPJ kërkon sqarime
Ministria e Punëve të Jashtme e Shqipërisë
ka kërkuar sqarime nga ambasada greke në Tiranë në lidhje me moslejmin
për t’u futur në Greqi të gazetarit të Top Channel Marin Mena me
pretendimin se ai përbënte rrezik për sigurinë kombëtare të vendit
fqinj.
Në mungesë të ambasadorit
grek, për më shumë se 40 minuta, në Ministrinë e Punëve të Jashtme u
thirr përfaqësuesi i ambasadës greke në Tiranë, zoti Evangelos Tsolkas, i
cili u takua me Sekretarin e Përgjithshëm të kësaj ministrie, Gazmend
Turdiu.
Pas takimit nëpërmjet një deklarate Ministria e
Punëve të Jashtme thotë se ka ndjekur me shumë shqetësim ngjarjen e së
dielës, kur gazetarit të Top Channel, zotit Marin Mema iu refuzua hyrja
në territorin e Republikës Greke nga autoritetet e policisë kufitare në
pikën e kalimit të kufirit në Qafë-Botë.
Lidhur me këtë
rast, thuhet në vijim të deklaratës, Sekretari i Përgjithshëm i MPJ, z.
Gazmend Turdiu u takua me Evangelos Tsolkas i Ngarkuar me Punë ad
interim i Greqisë në Tiranë. (në mungesë të ambasadorit grek).
Ministria e Punëve të Jashtme gjykon se pengesat në realizimin e të
drejtës për lëvizjen e lirë, nuk janë në përputhje me vullnetin e
shprehur nga të dy palët, me nivelin e marrëdhënieve mes dy vendeve dhe
japin një sinjal jo pozitiv.
Sekretari i Përgjithshëm i
kërkoi përfaqësuesit të Ambasadës greke arsyen përse gazetari Marin Mema
cilësohet ‘person i padëshiruar’ në regjistrin kombëtar të Republikës
Greke.
Ndërsa Ylli Rakipi kryetar i Lidhjes së Gazetarëve
Shqiptarë dënon ndalimin e gazetarit Mema duke shtuar se shteti grek ka
probleme madhore për të zgjidhur dhe jo të merret me të tilla forma
mesjetare.
“Është një keqardhje përpara se të jetë një
protestë e madhe nga ana jonë, nga ana e gazetarëve shqiptarë, nga ana e
opinionit publik, është një keqardhje, pastaj është një protestë sepse
ne nuk duam të kthehemi pas. Të gjithë i njohim vlerat e demokracisë që
është edhe lëvizja e lirë, aq më tepër nuk mund të ndalohet një gazetar,
nuk mund të ndalohet që ai të flasë, nuk mund t’i thuhet atij që nuk
duhet të flasë. Autoritetet shqiptare duhet të ndalen fort në këtë rast,
është një rast që duket qesharak, por që në të vërtetë është shumë
serioze. Autoritetet shqiptare duhet t’i thonë stop këtij veprimi të
palës greke ndaj gazetarit Marin Mema”, thotë Ylli Rakipi, kryetar i
Lidhjes së Gazetarëve Shqiptarë.
Gazetari Top Channel Marin
Mema mesditën e së dielës ndërsa po kryente procedurat për të hyrë në
shtetin grek në pikën e kalimit kufitar të Qafë-Botës iu komunikua
vendimi policisë greke se i ndalohet hyrja në shtetin helen, sepse
cilësohet se përbën rrezik për sigurinë kombëtare në këtë vend.
Duket se ky vendim arbitrar i palës greke vjen si një hakmarrje e
pastër tërësisht e pajustifikuar, pasi gazetari Top Channel Marin Mema
nëpërmjet rubrikës së përjavëshme “Shqipëria Tjetër” ka realizuar lajme
që lidhen me trashëgiminë e çamëve në Greqi në fshatin Margëlliç, në Gumenicë dhe në Filat. Përfshi një emision kushtuar Papa Kristo Negovanit dhe pasardhësve të tij në fshatin Negovan, brenda territorit grek.
–^^^ Beji “Like” faqes ne facebook “Zgjohu Shqiptar !!!”
Me pas kliko ketu per ta shperndare ne profilin tuaj.