Marrëveshja e Detit/ Asnjë palë me avantazhe, negociata për win-win
Viti 2018 pritet të jetë viti që do të zgjidhë çështjet që kanë tensionuar marrëdhëniet Shqipëri-Greqi. Marrëveshja për detin Shqipëri-Greqi, nuk i jep asnjë pale avantazhe, për këtë flet ligji ndërkombëtar i detit.Shqipëria dhe Greqia po ecin drejt një kapitulli të ri në marrëdhëniet mes tyre. Dy vendet fqinje, me një histori të trazuar që nga Lufta e Dytë Botërore, po negociojnë një paketë marrëveshjesh mes tyre. Ka vullnet politik dhe shpresë nga të dyja palët se viti 2018 do të zgjidhë çështjet që kanë tensionuar dhe helmuar marrëdhëniet mes tyre për më shumë se 70 vjet. Perspektiva europiane e Shqipërisë, paqja dhe stabiliteti në rajon janë karburanti drejt këtij kapitulli të ri.Dy kryeministrat, Edi Rama dhe Aleksis Tsipras, shfaqen në një linjë kur, pas takimit të tyre në Samitin e Londrës, në kuadër të Procesit të Berlinit, shprehën bindjen se “së shpejti mund të arrihen zgjidhje pozitive për këto ҫështje.” Dhe fjala është për një paketë ҫështjesh në tri drejtime: e shkuara, e tashmja, e ardhmja mes dy vendeve dhe popujve.E shkuara: Heqja e Ligjit të Luftës nga Greqia, hap pozitiv kuptimplotëMirëkuptim nga dy palët! Le të zgjidhim, në krye të herës, çështjet që trashëguam nga historia. Greqia hedh një hap kuptimplotë: zotohet të abrogojë Ligjin e Luftës me Shqipërinë. Ky ligj famëkeq, i miratuar në tetor 1940, kur Italia e Musolinit sulmoi Greqinë nga territori i Shqipërisë së pushtuar prej tij në pranverën 1939, është “de jure” sot e kësaj dite në fuqi. Më konkretisht: ky ligj do të thotë që Shqipëria për Greqinë është një vend armik! Armiqësi paradoksale ndaj një vendi anëtar të NATO-s, me të cilin në 1996, Greqia nënshkroi Traktatin e Bashkëpunimit dhe Fqinjësisë së Mirë!Paradoksale që tre vjet pas këtij traktati, në 1999, Greqia i bëri me dije Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë se “Ligji i Luftës është në fuqi”. Situata tani ka ndryshuar, Greqia ka evoluar 360 gradë qëndrimin e saj.Glevin Dervishi, këshilltar për rajonin në Ministrinë për Europën dhe Punët e Jashtme, thotë për DW: “Pala greke ka arritur që në negociatat e tanishme me palën shqiptare të kuptojë që Ligji i Luftës me Shqipërinë është një relike e historisë. Ajo është zotuar që abrogimi i tij të jetë pjesë e paketës së marrëveshjeve me Shqipërinë. Greqia na ka vënë tanimë në dispozicion një draft të abrogimit të ligjit, që duhet të bëhet me dekret nga Presidenti i Greqisë”, thekson Glevin Dervishi.Fund sekuestros 78 vjeçare të pronave të shtetit dhe shtetasve shqiptarë në GreqiAbrogimi nga Greqia i Ligjit të Luftës me Shqipërinë do të nxjerrë nga ngërçi i stërzgjatur marrëdhëniet mes dy shteteve dhe dy popujve fqinjë. Ai do të bëjë të mundur së pari heqjen nga sekuestro preventive e pronave të shtetit dhe shtetasve shqiptarë, që vazhdon që nga 1940. “Abrogimi i Ligjit të Luftës me Shqipërinë do të shoqërohet edhe me akte të tjera juridike, ku do të përcaktohen mënyrat dhe mekanizmat sesi shteti dhe qytetarët e Shqipërisë do t’u drejtohen institucioneve e organeve, të përcaktuara nga autoritetet greke për të provuar pronësinë e tyre dhe fituar të drejtën e marrjes së saj, në bazë të dokumenteve zyrtare që disponojnë”, thotë për DW, Glevin Dervishi.E tashmja – Marrëveshja e Detit: asnjë palë me avantazhe, negociata për win-winE tashmja e marrëdhënieve mes dy vendeve është përqendruar tek arritja e Marrëveshjes së Detit. Është fjala për Detin Jon, ku Shqipëria dhe Greqia ndajnë mes tyre 3 hapësira: Det Territorial, Shelf Kontinental dhe Zonë Ekonomike Ekskluzive, këto dy të fundit kanë të bëjnë me shfrytëzimin e hapësirës dhe pasurive nëndetare si kërkimet për gaz, naftë etj. Kuptohet që për të 3 këto hapësira vendet kanë interesa strategjike.Si ndahen ato në Detin e përbashkët Jon? Konventa e Kombeve të Bashkuara për Ligjin e Detit, që dy vendet e kanë ratifikuar, e thotë qartë me 320 nenet e saj. Zbatimi i Konventës bën të mundur që dy vendet të ushtrojnë sovranitet të plotë dhe të drejta sovrane secili në një zonë të përcaktuar qartë, me koordinata detare, të vendosura në një hartë të dakordësuar dhe të shoqëruar me koordinata detare për 3 hapësirat. Në rastin e Shqipërisë dhe Greqisë ka një pjesë, ku koordinatat detare në hartë mungojnë.Për këtë po negociohet tani mes dy palëve, thotë për DW, Glevin Dervishi. “Kufiri i Detit Territorial Jon në kanalin e Korfuzit nuk ka një kufi të përcaktuar sipas kritereve të Konventës dhe të dakordësuar nga palët. Ajo që po bëjmë sot është negocimi për delimitimin e zonave detare në këtë zonë, sipas kritereve që përcakton Konventa”, thekson ai. Negociatat vazhdojnë. Marrëveshja ende nuk po duket. Ka thënie dhe kundërthënie mes palëve. Kryeministri grek Tsipras, pas kthimit në Athinë nga Samiti i NATO-s, të zhvilluar në Bruksel, (11-12 korrik), 2018 tha në një konferencë shtypi, sipas materialit që Ambasada Greke në Tiranë, vuri në dispozicion të DW, se “jemi shumë afër një zgjidhjeje në lidhje me përcaktimin e Zonës Ekskluzive Ekonomike, duke ofruar avantazhe të rëndësishme për palën greke”.