Ngjela kërkon modelin italian për mbrojtjen e gjyqtarëve: Të jetojnë në një qytet të veçantë. Ja si i frenoi vrasjet Enver Hoxha

Vrasja e gjyqtarit Astrit Kalaja nuk është një incident i izoluar, por kulmi i një serie sulmesh të vazhdueshme ndaj sistemit të drejtësisë në Shqipëri.  

Nga vrasja e kryetarit të Dhomës së Avokatisë, tek tritoli ndaj shtëpive të gjyqtarëve dhe plagosja e prokurorëve, sinjalet e alarmit kanë qenë të shumta dhe të qarta.  

Kjo histori sulmesh, sipas avokatit Spartak Ngjela, tregon një dështim të shtetit për të mbrojtur ata që janë në vijën e parë të luftës me krimin.  

I ftuar në emisionin Dekalog nga Roland Qafoku në Dritare TV, Ngjela tha: 

“Unë jam i pari që kam kërkuar mbrojtjen e gjyqtarëve dhe prokurorëve, duke propozuar një zgjidhje radikale të frymëzuar nga Italia. 

Në Itali, gjyqtarët anti-mafia jetojnë në një qytet të veçantë, të rrethuar dhe të mbrojtur. Ata e njohin mirë mafian.  

Ndonëse Shqipëria nuk ka një mafia të strukturës italiane, niveli i rrezikut kërkon masa të jashtëzakonshme”.  

Ai shtron ekuacionin e thjeshtë: nëse shteti nuk mbron dot gjyqtarët, si mund të presë që ata të godasin krimin?  

“Frika e tyre do të paralizojë drejtësinë. Mbrojtja e tyre nuk është një privilegj, por një kusht i domosdoshëm për funksionimin e shtetit ligjor”, tha Ngjela.  

Sipas tij, lufta kundër krimit dhe mbrojtja e gjyqësorit duhet të ecin paralelisht, ku forca mbrojtëse e shtetit duhet të jetë gjithmonë më e madhe se forca goditëse e krimit. 

“Shteti duhet të mbrojë gjyqtarët. Duhet të mbrohen gjyqtarët dhe kjo është logjike. Është logjike e antikrimit. Gjyqtarët duhet të mbrohen nga shteti, jo nga krimi.  

Nga humbja e koshiencës normale nga ai që humbet pasurinë, ose pronën. Janë momente psikologjike që të çojnë në krim. Prandaj drejtësia perëndimore i ka dhënë mbrojtje gjyqtarëve. Nëse nuk mbron dot gjyqtarët dhe prokurorët, mos godit krimin”, tha ai. 

Ngjela lidhi situatën aktuale me kohën e komunizmit, kur dënimi me vdekje funksiononte si frenë për hakmarrjen: 

“Kjo është hakmarrja. Komunizmi hakmarrjen e dënonte me vdekje, në çdo rast. Mbi 90% të rasteve hakmarrja dënohej me vrasje, i vriste shteti. Pra dënimi me vdekje e frenonte vrasjen sepse këtu ishte shumë e madhe hakmarrja 30 vjet më parë. Ne kemi qenë një shoqëri që e kemi pasur hakmarrjen si normë morale”, tha Ngjela. 

Sipas Ngjelës, për të parandaluar tragjedi të ngjashme si ajo e Astrit Kalajës, është thelbësore që shteti të marrë masa për mbrojtjen e gjyqtarëve dhe prokurorëve, duke siguruar që drejtësia të mos bëhet viktimë e hakmarrjes dhe dhunës. 

 

 

Back to top button
LAJMET E FUNDIT