“Nënë Tereza” fshin kufijtë Shqipëri-Kosovë, projekti në dorë të UEFA-s

Një kampionat mbarëkombëtar është ide e hedhur që para një dekade, por duket se tani ka ardhur koha për të gëzuar tifozët dhe për ta vënë në jetë këtë projekt.
Një projekt, i cili “de facto” fshin kufijtë formalë që ekzistojnë ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës. Pas Kupës Pavarësia, që zhvillohet me skuadrat e trojeve shqiptare me rastin e festës së Pavarësisë, tashmë ka marrë jetë një tjetër turne, i cili mund të shërbejë edhe si pikënisja për bashkimin e Shqipërisë me Kosovës në një ligë të vetme.
Një ide e tillë duket se po diskutohet e piqet nga Armand Duka dhe Agim Ademi. Pra, dy presidentët e FSHF-së dhe FFK-së kanë nisur punën për të bërë realitet një kupë të përbashkët, që mund të quhet “Nënë Tereza”. Kreu i futbollit kosovar zbulon diçka në këtë drejtim:
“Kjo kupë do të jetë masive dhe do të zhvillohet gjatë tërë vitit. Mund të luhen ndeshjet në mesjavë, të mërkurën, ose të enjten, kur nuk ka ndeshje kampionati.
Projekti do të jetë i përbashkët edhe me qeveritë tona. Do të krijohet një fond i posaçëm nga të dyja qeveritë dhe nga federatat. Krahas shpërblimit që do ta marrë fituesi nga federatat, do ta ketë edhe një shpërblim shtesë nga qeveritë.
Turneu është parashikuar të zhvillohet gjatë gjithë vitit, në periudhën kur skuadrat nuk janë të angazhuara në kampionat dhe objektivi është që fituesi të ketë mundësinë të luajë në kupat e Europës, për një vend ekstra përveç skuadrave të kualifikuara nga kampionati apo nga Kupa e Republikës.
Presidenti Ademi theksoi se aktorët e angazhuar në krijimin e turneut të ri mbarëkombëtar, por që synon të njihet edhe ndërkombëtarisht, janë ende në pritje të përgjigjes nga UEFA.
Objektivi është që kupa “Nënë Tereza” të nisë prej vitit të ardhshëm.