Arlind Qorri po dominon protestën, i ngrihen pikët në rrjetet sociale, sfidon edhe Edi Ramën me Sali Berishën (STATISTIKAT)

Protestat e zhvilluara ditët e fundit në Tiranë kundër projektit për ndërtimin në Zvërnec kanë sjellë jo vetëm debat publik, por edhe lëvizje të forta në rrjetet sociale. Ndërsa vazhdon diskutimi nëse këto protesta janë tërësisht qytetare apo të mbështetura nga faktorë politikë, një emër i cili po tërheq gjithnjë dhe më shumë vëmendje është pikërisht ai i Arlind Qorrit.
Kreu i “Lëvizjes Bashkë”, ka qenë i pranishëm në të gjitha ditët e protestës, së bashku me aktivistë dhe mbështetës të tij. Kjo prani e vazhdueshme duket se po reflektohet dhe në performancën e tij në rrjetet sociale, ku sipas të dhënave të publikuara së fundmi nga kompania “Terra Marketing”, Qorri ka shënuar rritje të konsiderueshme.
Sipas analistit dhe ekspertit të mediave sociale, Blerim Gjeladini, zhvillimet e fundit kanë ndikuar direkt në rritjen e profilit publik të Qorrit në rrjet.
“Protesta e fundit duket se ka pasur ndikim të drejtpërdrejtë në rrjetet sociale. Sipas matjeve të fundit, Arlind Qori renditet në krye për angazhim, reagime dhe rritje të ndërveprimit, duke fituar përballjet si me Sali Berisha-ën ashtu edhe me Edi Rama-ën. Protesta e ka kthyer atë në një nga figurat më të komentuara të momentit në mediat sociale”, shkruan Gjeladini.
Nga të dhënat e analizuara përgjatë periudhës 26 maj-2 qershor, tregojnë se Qorri ka dominuar në disa tregues të rëndësishëm të platformës online, duke regjistruar më shumë reagime, like, komente, krahasuar me liderët e dy forcave kryesore politike në vend, Edi Ramës dhe Sali Berishës.
Kjo situatë ka nxitur dhe më shumë diskutime rreth rolit të tij në protestat e fundit. Ndërsa nga qarqe të ndryshme politike janë hedhur pretendime se protestat mund të jenë organizuar apo mbështetur nga aktorë të caktuar politikë, organizatorët dhe pjesëmarrit kanë këmbëngulur se këto protesta janë lëvizje qytetare të lindura nga kundërshtimi ndaj projektit në Zvërnec.
Por, pavarësisht këtyre debateve, nëse protestat kanë prodhuar një fitues në rrjetet sociale, të dhënat tregojnë se ai është pikërisht Arlind Qorri. Prania e tij e vazhdueshme në terren dhe angazhimi i mbështetësve kanë sjellë një rritje të ndjeshme të ndërveprimit online, duke e vendosur përballë Edi Ramës dhe Sali Berishës në “betejën” për vëmendjen e publikut në rrjet.
)