Dy muaj pas tërmetit, ende pa një faturë të dëmeve. Të prekurit janë pa strehë

Kanë kaluar dy muaj nga tërmeti shkatërrues i 26 nëntorit, por mijëra familje në Durrës, Thumanë, Laç dhe zonat e prekura gjenden të pastreha, të patrajtuar me bonus qiraje dhe për më tepër, pa asnjë informacion të saktë se kur do të bëhen me banesa të reja.
Rindërtimi i shtëpive dhe pallateve të piketuara vlerësohet se mund të kushtojë rreth 270 milionë eurosh, sipas kostove zyrtare shqiptare, teksa qeveria ka përllogaritur një faturë dëmesh prej mbi 1 miliard eurosh, që kërkon ta financojë nga Konferenca e Donatorëve, më 17 shkurt, në Bruksel.
Praktikat ndërkombëtare sugjerojnë se është më efikase të realizohet rindërtimi në atë që ka ekzistuar para katastrofës, sesa ndryshimet në përdorimin e tokës dhe modelet e reja urbane, që zgjasin procesin.
Fatura e rindërtimit të pasojave të tërmetit prej mbi 1 miliardë eurosh, që u bë e njohur nga kryeministri Edi Rama gjatë javës së kaluar, ka gjasë të shfryhet në Konferencën e Donatorëve, që do të mbahet më 17 shkurt në Bruksel, për faktin e thjeshtë se përllogaritjet e sakta të dëmeve janë në fillesa dhe ende nuk ka një faturë të detajuar dhe të argumentuar për standardet e donatorëve.
Të dhënat nga institucionet që po merren me vlerësimin e dëmeve tregojnë se, vlerësimet e sakta nuk do të jenë gati para fundit të shkurtit, ndaj ka të ngjarë që qeveria e Shqipërisë edhe këtë herë do të shkojë e papërgatitur në Bruksel, ndonëse ministri i Rindërtimit, Arben Ahmetaj, kishte premtuar se vlerësimet finale të dëmeve do të ishin gati në mes të janarit.
Procesi i rindërtimit me fondet publike nuk do të nisë pa përfunduar vlerësimi i thelluar për së paku 316 pallate dhe 4 075 banesa. Instituti i Ndërtimit që po kryen këtë proces është në kulmin e punës. Drejtori i këtij instituti, Agron Hysenlliu, parashikon se 70 për qind e banesave të përfshira në vlerësimin e thelluar do të shemben. Deri më 21 janar, rreth 180 inxhinierë që janë ndarë në grupe me nga tre veta e kanë dhënë këtë vlerësim për 159 pallate dhe 375 banesa. Procesi i vlerësimit të thelluar pritet të përfundojë në fund të shkurtit, çka do të thotë se deri atëherë kostot finale nuk janë gati.
Kostoja zyrtare e ndërtimit në Shqipëri e përllogaritur nga Enti Kombëtar i Banesave, aktualisht në fuqi është 32 432 lekë ose 264 euro me kursin aktual të këmbimit.
Nëse përllogarisim se 70 për qind e banesave në vlerësimin e thelluar do të prishen sipas përllogaritjeve të Institutit të Ndërtimit, do të duhet të shemben dhe të rindërtohen nga e para 2 852 banesa private dhe rreth 221 pallate të dëmtuara. Duke marrë në konsideratë sipërfaqen e ndërtimit që ka shpallur qeveria me maksimale rreth 80 metër katror për banesë, duhen 60,1 milionë euro me kostot që ndërton Enti i Banesave për ndërtimin e shtëpive private.
Kostoja për pallatet është shumë më e lartë. Nga 317 pallatet e dëmtuara rëndë në Durrës, Laç, Tiranë, Kurbin, Krujë etj., vlerësimi i thelluar pritet të shembë 70 për qind prej tyre, ose 221 gjithsej. Nëse këto pallate do të ishin të gjitha 10 kate me një sipërfaqe mesatare 350 metër katror për kat, qeverisë i duhet të rindërtojë nga fillimi 773 500 metra katror, të cilat me kostot e Entit të Banesave kushtojnë 204 milionë euro ose rreth 1 milion euro për pallat. Rindërtimi i banesave dhe pallateve të piketuara do të arrijë një shumë prej 270 milionë eurosh.
Gjithashtu, procesi i rindërtimit do të përfshijë rindërtimin e shkollave, qendrave shëndetësore dhe objekteve publike që janë dëmtuar, të cilat rrisin më tej faturën. Kosto të tjera lindin nga ngritja e strukturave të reja të pajisura me mjete e materiale që t’u bëjnë ballë fatkeqësive natyrore përballë të cilave Shqipëria është e ekspozuar më shumë se çdo vend tjetër europian.
Inxhinierë të fushës mendojnë se vlera e rindërtimit të banesave është e përballueshme për një periudhë të shpejtë. Shembullin po e japin shoqatat. Gazetari i Top Medias, Marin Mema, në bashkëpunim me organizatën “Rrënjë Shqiptare” kanë filluar ndërtimin e shtëpive. Zoti Mema tha se ka nisur puna për një shtëpi në zonën e Tapizës dhe 3 në Shijak me kosto 250 euro për metër katror, shumë kjo e mjaftueshme për të garantuar cilësinë e objekteve sipas parametrave të kohës. Mema tha se, procesi do të ishte më i lehtë sikur pushteti lokal të përshpejtonte lejet dhe specifikimin e trojeve ku do të ndërtohet, ndërsa përjashtimi nga pagesa e TVSH-së do të ishte një ndihmë tjetër e madhe, pasi do të mund të ndërtoheshin më shumë banesa. Sipas standardit të zotit Mema, një shtëpi prej 80 metra katrorë kushton rreth 20 mijë euro. Mema tha se po ndërton me kostot më të lira pa cenuar asnjë standard dhe duke dhënë banesa dinjitoze për familjet e prekura. Ai shpjegoi se, në këtë formë do të përdoren 1.5 milionë USD (1,4 mln euro) e grumbulluara në llogarinë që tashmë është transparente në rrjetin social Facebook që ai administron.
Ish-ministrja e Ekonomisë dhe deputetja e Durrësit, znj. Milva Ekonomi, tani koordinatore kombëtare për vlerësimin e dëmeve të shkaktuara nga fatkeqësia natyrore pohoi se fatura e dëmeve është ende në proces llogaritjeje. Ekonomi tha se po zbatohen praktikat më të mira ndërkombëtare për rikuperimin e situatës dhe se shumë shpejt do të nisë ndërtimi i banesave në zonën e Kurbinit. Ajo tha se janë evidentuar 33 parcela ku do të ndërtohet dhe 40 për qind prej tyre janë gati dhe gjithashtu janë miratuar të gjitha vendimet dhe fondet për përballimin emergjencës.
Modelet janë gati, thjesht t’i zbatojmë
Më 17 gusht të vitit 1999, tërmeti i Izmirit në Turqi me magnitudë 7.6 të shkallës Merkali shkaktoi 17 mijë viktima dhe la të pastrehë së paku 250 mijë njerëz. Një muaj më vonë, rreth datës 20 shtator 1999, qeveria e Turqisë tenderoi për 87 milionë euro ndërtimin e 27 mijë shtëpive të parafabrikuara. Në janar të vitit 2000, pra në harkun kohor të tre muajve, mbi 96 mijë banorë hynë në shtëpitë e parafabrikuara.
Praktikat turke të menaxhimit të tërmeteve ndoshta nuk janë më të mirat në botë, pasi në vendet aziatike si Kina dhe Japonia është vepruar edhe më shpejt, por qeveria shqiptare kishte plot referenca për të çuar pasojat në shinat e zgjidhjes gjatë kësaj kohe.
Këto ditë bëhen dy muaj nga tërmeti i 26 nëntorit dhe asgjë nuk ka ndryshuar për banorët e prekur, të cilët janë njësoj të shpërndarë si javën e parë në hotele, çadra, me qira ose te të afërmit, apo më e keqja janë larguar ndoshta përgjithmonë nga vendi. Qeveria pati premtuar se do të kishte gati faturën e dëmeve në gjysmën e parë të janarit, por vlerësimet e thelluara në terren për 316 pallate dhe 4075 banesa që do zbardhin edhe kostot reale janë ende në fillesa.
Kryeministri Edi Rama më herët gjatë javës tha se fatura e dëmeve që ka krijuar tërmeti i 26 nëntorit është rreth 1 miliard euro. Por matematika ku 2 plus 2 bëjnë 8 ka gjasë të mos merret seriozisht nga bankat financuese, që përpos burokracisë që i karakterizon, kërkojnë së paku seriozitet në të dhëna.
Kostot e çadrave, hoteleve dhe bonusi kalojnë parashikimet, arrijnë 30 mln euro
Sipas të dhënave zyrtare nga Komiteti i Rindërtimit, aktualisht qeveria ka në funksion 5 213 tenda, të cilat i ka shpërndarë sipas kërkesave në kampe dhe fshatra. Hapja dhe vënia në funksion e një tende kërkon së paku 50 mijë lekë si kosto për dezinfektimin. Dezinfektimi i çadrave i ka kushtuar qeverisë 2,1 milionë euro, që janë përballuar nga fondet buxhetore. Kjo shumë është e mjaftueshme për të ndërtuar rreth 150 banesa private me sipërfaqe 80 metër katror me kosto 250 euro për metër.
Sipas të dhënave zyrtare, aktualisht numri i familjeve që kanë aplikuar për bonus qiraje ka arritur në 9 451. Ministria e Financave ka përllogaritur se sipas të dhënave të deritanishme duhen 2,6 miliardë lekë ose rreth 23 milionë euro, ndërsa më parë qeveria kishte miratuar një fond 1.2 miliardë lekë për bonus qiraje.
23 milionë euro janë të mjaftueshme për të përballuar ndërtimin e 1 115 banesave private me sipërfaqe 80 metër katror. Në muajin janar në hotele ishin strehuar 2285 persona. Qeveria do të paguajë njësitë hoteliere me 2 mijë lekë për person për natë, praktikisht të gjitha strukturat që kanë kontribuuar.
Vetëm për dy muaj, kostoja e pagesave të hoteleve ka arritur 274 milionë lekë ose rreth 2,5 mln euro, shumë kjo e mjaftueshme për ndërtimin e 150 banesave.
Deri më tani, kostot vjetore të emergjencës llogariten së paku me 30 milionë euro. Por zgjatja e rindërtimit dhe futja e banorëve të prekur në banesat e reja rrezikon të zgjasë financimin e emergjencës edhe vitin që vjen.
Ekspertiza e thelluar mbaron në shkurt, më pas i hapet rrugë rindërtimit
Instituti i Ndërtimit është ngarkuar me organizimin dhe kryerjen e të gjitha akt-konstatimeve dhe ekspertizave të thelluara, pas të cilave do të përllogaritet vlera e saktë e dëmeve që ka krijuar tërmeti i 26 nëntorit 2019. Agron Hysenlliu tha se kanë përfunduar të gjitha akt-konstatimet për banesat dhe tashmë procesi është futur në fazën e ekspertizës së thelluar.
Ai tha se janë angazhuar rreth 180 inxhinierë profesionistë dhe të licencuar, të ndarë me grupe nga tre persona, që po kryejnë ekspertizat në të gjitha zonat e prekura njëkohësisht. Ai tha se ky proces kërkon kohë dhe kushton, por qeveria ka miratuar dhe akorduar të gjitha fondet e nevojshme, ndërsa sqaroi se tashmë Shqipëria ka mjaftueshëm inxhinierë dhe ekspertë për të kryer këtë proces.
Qeveria ka alokuar një fond prej 700 milionë lekësh dhe pritet të miratojë edhe fonde të tjera. Sipas të dhënave jo përfundimtare në aktin e thelluar të ekspertimit janë përfshirë 316 pallate dhe 4075 banesa private. Deri më datën 21 janar, ekspertiza e thelluar kishte përfunduar për 159 pallate dhe 325 shtëpi. Hysenlliu ka treguar se nga verifikimet e deritanishme duhen të shemben mbi 70 për qind e këtyre banesave. Ndoshta ka pallate që mund të riparohen, por kostoja do të ishte më e lartë dhe me shumë gjasë rindërtimi mund të jetë më me leverdi se rikonstruksioni.
Pasi ekspertiza të ketë përfunduar, për pallatet e dëmtuara që janë ndërtuar pas viteve ‘90, do të financohen nga ndërtuesit që i kanë bërë, ndërsa të tjerat do t’i financojë dhe ndërtojë qeveria. Për rastet kur ndërtuesi nuk jeton më ose ka falimentuar, qeveria do t’i japë zgjidhje me vendime të posaçme, tha Hysenlliu.
Të gjitha ndërtesat që do të ndërtohen, do të marrin në konsideratë standardet e Eurokodit, Hysenlliu tha se vala e parë e ekspertizës së thelluar përfundon në fund të shkurtit.
Projektligj i ri, kontroll për banesat mbi 50-vjeçare
Objektet që janë ndërtuar prej më shumë sesa 50 vitesh do t’i nënshtrohen një procesi të hollësishëm të auditimit teknik, për t’u parë nëse ato plotësojnë kërkesat minimale të rezistencës dhe sigurisë. Pas këtij auditimi parashikohet marrja e masave për të garantuar sigurimin e tyre.
Kjo parashikohet në një projektligj të ri. “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin Nr.4802, datë 10.09.1998, Për kontrollin dhe disiplinimin e punimeve të ndërtimit”, parashikon ndër të tjera dhe shtimin e një neni. Konkretisht: “Të gjitha objektet, të cilat kanë mbi 50 vjet që janë ndërtuar i nënshtrohen procesit të auditimit teknik. Rregullat për mënyrën se si do të zbatohet auditimi dhe cilat do të jenë subjektet që do ta kryejnë atë, përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave”.
Sipas relacionit shoqërues, ky projektligj iniciohet në kuadër të situatës emergjente të krijuar nga dëmtimet që ka shkaktuar tërmeti i fuqishëm i datës 21 shtator 2019 në disa qytete të vendit, kohës së pamjaftueshme për rregullimet ligjore sipas procesit legjislativ dhe nevojës së menjëhershme për ndërtimin e riparimin e ndërtesave të dëmtuara.
Konkretisht, projektligji propozon ndryshime të termave të ligjit nr.84.02., datë. 10.9.1998, të ndryshuar, dhe shtesa që parashikojnë kryerjen e auditimit teknik të punimeve të ndërtimit, në objektet të cilat i kanë mbi 50 vjet nga koha kur janë ndërtuar.
Rregullat mbi mënyrën se si do të zbatohet, si dhe cilat do të jenë subjektet që do ta kryejnë këtë audit, do të përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave. Gjithashtu, projektligji parashikon se oponenca teknike për projektet e ndërtimit të objekteve do të kryhet nga institutet shtetërore ose ente të tjera, të përcaktuara nga ministria që mbulon veprimtarinë e ndërtimeve, për të gjitha ndërtimet publike, ndërtimet me vlerë së paku 100 milionë lekë dhe objektet me akses publik.
Efektet e pritshme të projektligjit janë verifikimi në mënyrë periodike nga Instituti i Ndërtimit, nëpërmjet kryerjes së auditimeve teknike të punimeve të ndërtimit, në objektet të cilat kanë mbi 50 vjet që janë ndërtuar, për plotësimin e kërkesave minimale të rezistencës, qëndrueshmërisë mekanike dhe sigurisë në përdorim dhe propozon masa përkatëse në rast të mosplotësimit të kërkesave minimale të punimeve të ndërtimit, me qëllim garantimin e sigurisë së tyre. Në Turqi, ky lloj kontrolli kryhet për banesat me periudhë ndërtimi me mbi 50 vjet./monitor