Kur lajmi bëhet dënim!

Nga Musa Kurtulaj

-Heshtja e institucioneve ushqen dezinformimin publik –
Në Shqipëri, mjafton një postim në rrjete sociale apo një deklaratë e pakonfirmuar për të ndezur furtuna mediatike. Kështu ndodhi edhe me rastin e fundit të Zëvendëskryeministres Belinda Balluku, ku një njoftim i dhënë nga një gazetare – pa asnjë konfirmim zyrtar nga SPAK – u kthye në “lajm kombëtar”.
Në pak orë, ekranet, portalet dhe rrjetet sociale shpërthyen në analiza, akuza, e madje edhe në fyerje personale, ndërsa institucionet… heshtën.
Lajmi që nuk u verifikua, por u gjykua
Deri më sot, SPAK nuk ka dhënë asnjë njoftim zyrtar që të ketë nisur hetim ndaj Belinda Ballukut apo t’i ketë dërguar fletëthirrje për t’u paraqitur më 27 tetor.
Megjithatë, ky “lajm” u trajtua si fakt i kryer dhe u përhap në disa media, duke ndikuar perceptimin publik dhe dëmtuar rëndë besueshmërinë e institucioneve.
Të pakët ishin gazetarët të kërkonin verifikim e këtij lajmi, shumica e mediave u hodhën në garë për të “dalë të parat” me versionin më dramatik.
Kështu, një lajm i pakonfirmuar u kthye në “hetim publik”.
Heshtja që prodhon kaos
Në çdo vend demokratik, kur qarkullon një informacion i tillë për një zyrtar të lartë, institucionet kanë detyrimin të flasin: ta konfirmojnë ose ta përgënjeshtrojnë menjëherë.
Kur SPAK hesht, kur vetë ministrja nuk sqaron dhe qeveria bën sikur s’ka dëgjuar, atëherë boshllëkun e mbushin portale, “burime anonime” dhe opinione pa prova.Në këtë moment, realitetin nuk e shkruajnë faktet – por interpretimet.
Kur mungon llogaridhënia, lind dezinformimi
Ky rast nuk është problem i një gazetareje apo i një portali. Është simptomë e një krize më të thellë:
mungesa e llogaridhënies institucionale.
Nëse SPAK nuk ka nisur hetim apo nuk i ka dërguar fletëthirrje Ballukut, pse nuk e thotë qartë?
Nëse ia ka nisur, pse nuk njofton sipas procedurës?
Nëse qeveria e di që lajmi është i rremë, pse nuk e sqaron publikun?
Por jo, heshti….dhe në fund, është qytetari ai që mbetet viktimë e këtij vakumi informativ.
Kush përfiton nga mjegulla…
Kaos informativ do të thotë terren perfekt për manipulim.
Në mjegullën e lajmeve të pakonfirmuara, përfituesit janë gjithmonë të njëjtët:
ata që duan të formësojnë perceptimin publik për interesa politike, duke përdorur dezinformimin si armë.
Sa herë që institucionet heshtin, fakti humbet, dhe e vërteta kthehet në “opsion”.
Në Përfundim
Rasti Balluku nuk është thjesht një histori mediatike, por një provë tjeter për funksionimin e shtetit ligjor.
Nëse lajmet e pakonfirmuara mund të kthehen në “gjyqe publike”, atëherë kriza më e madhe nuk është tek lajmi, por tek heshtja e institucioneve që nuk mbrojnë të vërtetën.Në këtë rast, heshtja nuk është as neutralitet, as respekt për procesin ligjor –
është mungesë përgjegjësie ndaj publikut sepse, në fund të fundit, kur shteti hesht, dezinformimi flet në emër të tij. Një gjë është shumë e qartë në raste të tilla: shtetit i bie besimi tek qytetarët kur ai hesht, dhe rënia e bësimit të shtetit ka pasoja shumë të rënda për çdo vënd, i madh apo i vogël qoftë !

Back to top button
LAJMET E FUNDIT