Vendet e Ballkanit Perëndimor, rrezik i krizave elektorale në 2020

Nga Aleksandar Ivković
Viti 2019 nisi me protestat e forta antiqeveritare që “shkundën” Shqipërinë, Malin e Zi dhe Serbinë e po përfundon me bisedime, kryesisht të pasuksesshme, mes qeverisë dhe opozitës për kushtet zgjedhore në të tre këto vende.
Partia opozitare Demokratike e Shqipërisë vendosi t’i bojkotonte zgjedhjet lokale në muajin qershor, pasi kishte braktisur parlamentin në shkurt.
Pjesa dërrmuese e homologëve të tyre në Serbi janë angazhuar për bojkotimin e parlamentit dhe zgjedhjeve të përgjithshme pranverën e vitit 2020, duke synuar një qeveri teknike dhe të paktën nëntë muaj mbulim të paanshëm mediatik si dhe mungesë presioni ndaj votuesve.
Një model i ngjashëm u implementua në Mal të Zi tre vjet më parë, por vendi ende ka shumë ngërçe me kushtet zgjedhore, siç e dëshmoi qartë dështimi i Komitetit të tij për Reformën Zgjedhore, që nuk arriti ta përmbushte qëllimin e vet. Situata në Shqipëri, Mal të Zi dhe Serbi po lëviz në mënyrë mjaft të ngjashme.
Edhe pse proceset e reformës zgjedhore janë në vazhdim në të tre këto vende, ato janë pllakosur nga mungesa e besimit mes qeverisë dhe opozitës, duke rezultuar në pengesa dhe vonesa të shumta.
Ndërsa BE, OSBE dhe përfaqësues të tjerë të komunitetit ndërkombëtar po përpiqen të ndihmojnë përmes ndërmjetësimit, askush nuk i kënaqur me rezultatet e tanishme.
Mijëra vetë mbushën rrugët e Podgoricës në fillim të këtij viti pasi doli në dritë afera “Zarfi”, në të cilën ish-kryetari i kryeqytetit të Malit të Zi u kap në kamera duke pranuar një shumë të madhe parash, që supozohej të ishte në këmbim të një ndikimi mbi rezultatin e zonës së tij zgjedhore.
Akuza të ngjashme pati edhe ndaj qeverisë Rama, pas përgjimeve të publikuara këtë vit nga e përditshmja gjermane Bild, ku paraqitej ai që në dukje ishte nje rast i qarte i blerjes së votës.
Prova direkte nuk ka, as këtu e as në Serbi.
Megjithatë, opozita atje mendon se ekzistojnë dëshmi të mjaftueshme për të treguar se kushtet e zgjedhjeve të lira e demokratike, në këtë vend nuk ekzistojnë.
Dhe pikërisht Serbia do të jetë duket testi i parë dhe për pjesën tjetër të rajonit me zgjedhjet e saj parlamentare në muajin maj.
Bashkimit Europian iu desh ta zgjidhte tani vonë një krizë në rajon, atë të emrit të Maqedonisë.
Tani blloku përballet me kriza të mundshme në fronte të shumta.
Sa serioze është gatishmëria e tij për t’u përfshirë në to, do të varet edhe nga sa lart është procesi i zgjerimit në axhendën e tij.