‘Kushtetuesja’ shkon në Venecia/ Pas mazhorancës, edhe Meta i drejtohet Komisionit

Presidenti i Republikës, Ilir Meta, i është drejtuar zyrtarisht Komisionit të Venecias, për t’i kërkuar sqarim mbi vendimin e Kuvendit për zgjedhjen e dy anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese.
Lajmi bëhet i ditur nga zëdhënësi i Presidentit Meta, Tedi Blushi, i cili shkruan në “Facebook” se nesër do të publikohen në faqen zyrtare të Kreut të Shtetit kërkesa dhe pyetjet drejtuar Venecias.
“Venecia gjithmonë e mirëpritur. Sot Presidenti Meta i është drejtuar zyrtarisht Komisionit të Venecias lidhur me shkeljet kushtetuese dhe ligjore që ka bërë Kuvendi me zgjedhjet e dy anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese.
Nesër do të publikohen në faqen zyrtare të Kreut të Shtetit, kërkesa e Presidentit Meta për Komisionin e Venecias dhe pyetjet konkrete drejtuar atij”, shkruan Blushi.
Presidenti ka zgjedhur Marsida Xhaferllarin si anëtare të Kushtetueses, ndërkohë që Këshilli i Emërimeve në Drejtësi dhe maxhoranca njohin Arta Vorpsin. KED dhe maxhoranca shprehen se Vorpsi është anëtare e ligjshme, pasi Presidenti zgjedhjen e Xhaferllarit e ka bërë jashtë afateve dhe emri i anëtares ishte publikuar në fletoren zyrtare.
Kjo gjë nuk është pranuar nga Presidenti dhe ka kallëzuar në Prokurori kreun e KED për shpërdorim detyre dhe përverësim të kompetencave. Ndërkohë maxhoranca ka nisur hetimin për veprimet e Metës me emërimin e Xhaferllarit dhe i ka nisur disa pyetje Komisionit të Venecias, nga i cili kërkon një mendim nëse është shkelur apo jo kushtetuta dhe kush duhet të jetë anëtarja e ligjshme, Vorpsi apo Xhaferllari.
Delegacioni i Komisionit të Venecias do të zbarkojë në Shqipëri në 13-14 shkurt pas kërkesës së Kuvendit lidhur me debatet për emërimin e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese.