Fitoi 55 mijë euro nga basti për ndeshjen Serbi–Shqipëri, a po ndiqet penalisht Dijonis Biba?

Dijonis Biba ka tërhequr së fundmi vëmendjen e mediave dhe rrjeteve sociale pas një basti të bujshëm për ndeshjen Serbi–Shqipëri.

Biba publikoi në rrjete sociale një skedinë basti prej 10 mijë eurosh për fitoren e Kombëtares shqiptare, që u realizua pas golit të Rei Manajt, duke i sjellë atij një fitim prej 55 mijë eurosh.

Gjithsesi, ai fillimisht e la të paqartë nëse bileta ishte apo jo e tij, duke shkruar mbi foto: “Kush e ka bërë këtë biletë more?”
Por pas përfundimit të ndeshjes, në formë konfirmimi se skedina e fitores i përkiste vetë atij, publikoi një foto me imazhe parash, duke ndezur edhe më shumë reagimet në rrjete sociale.

Pas këtij postimi, në disa portale dhe faqe online filluan të qarkullojnë lajme se Policia e Shtetit kishte nisur hetime ndaj Bibës, me argumentin se bastet sportive janë të ndaluara me ligj në Shqipëri.

Megjithatë, nuk ka asnjë burim zyrtar që të konfirmojë nisjen e hetimeve apo arrestimin e tij.
As Policia e Shtetit, as Prokuroria nuk kanë dhënë ndonjë deklaratë për këtë çështje.

Vetë Dijonis Biba nuk ka reaguar ende ndaj këtyre raportimeve, ndërsa postimet dhe komentet rreth tij vazhdojnë të qarkullojnë në rrjete sociale.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT