SKANDAL në kupolën serbe, arrestohet krahu i djathtë i Vuçiç, fshehu zhdukjen e një personi dhe dyshohet se mbrojti autorët

Shefi i Policisë së Beogradit, Veselin Miliç, është arrestuar dhe ndaluar 48 orë pas zhdukjes së një personi dhe pas disa të shtënave me armë zjarri që dyshohet se kanë ndodhur në një restorant në kryeqytetin serb.

Prokuroria e Beogradit ka deklaruar se Miliç dyshohet se nuk ka raportuar një krim dhe autorin e tij, si dhe se ka ndihmuar autorin pas kryerjes së veprës. Menjëherë pas kësaj, Ministria e Brendshme e Serbisë njoftoi se ai nuk është më kreu i policisë së Beogradit, pa sqaruar nëse është shkarkuar apo ka dhënë dorëheqjen.

Hetimet nisën pas denoncimit të një gruaje, e identifikuar si J.M. për zhdukjen e partnerit të saj A.N., i cili u pa për herë të fundit në një restorantin ku ndodhi ngjarja të martën mbrëma. Në vendngjarje u gjetën dy gëzhoja dhe gjurmë gjaku, që besohet se i përkasin personit të zhdukur.

Dy persona, S.V. dhe M.S., u arrestuan për tentativë vrasjeje të rëndë, posedim të paligjshëm të armëve dhe shkaktim rreziku publik. Gruaja e SV u arrestua pasi dyshohet se solli pistoletën e përdorur në ngjarje, ndërsa pronari i restorantit u ndalua për moskallëzim të krimit dhe ndihmë ndaj autorit.

Miliç ishte emëruar kreu i policisë së Beogradit në nëntor 2020. Më parë ai kishte mbajtur të njëjtin post nga viti 2013 deri në vitin 2018, përpara se të bëhej këshilltar i presidentit Aleksandar Vuçiç për luftën kundër korrupsionit dhe krimit.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT