Heronjtë e tërmetit të 26 nëntorit, dekorohen 11 policë e zjarrfikës

Zjarrfikësit dhe efektivët e Policisë të cilët arritën të shpëtojnë jetë njerëzish nga rrënojat e tërmetit të 26 nëntorit kanë treguar me emocion përballjen me fatkeqësinë natyrore që goditi Shqipërinë.
11 punonjës u dekoruan për punën e vështirë në ditët e tërmetit ndërsa ata rrëfyen eksperiencën e ndërhyrjes nën gërmadha në Durrës dhe në Krujë në misionin e vështirë edhe për shkak të mungesës së mjeteve të nevojshme.
Një prej policëve të vlerësuar tha se ai dhe kolegët e tij punuan sikur të kishin familjarët e tyre nën rrënoja.
Forcat speciale të Policisë dhe zjarrfikësit ishin në vijën e parë të përballjes me pasojat tragjike të tërmetit të 26 nëntorit duke luftuar me mjete rrethanore për nxjerrjen e njerëzve nga rrënojat.
Efektivi i FNSH-së Shkodër. Artur Duli dhe kreu i zjarrfikës Kavajë Endri Kraishta ishin mes forcave të emergjencës që u vlerësuan për përpjekjet që bënë për shpëtimin e qytetarëve.
Efektivi i Policisë së Shkodrës tregon se në orën 5 të mëngjesit ka mbërritur bashkë me kolegët në Thumanë ku ka arritur të shpëtojnë 3 jetë dhe fatkeqësisht të nxjerrin nga rrënojat edhe 7 qytetarë të vdekur.
“Kemi bërë evakuimin e të gjithë njerëzve, kemi dhënë ndihmën e shpejtë. Duhet të vazhdonim punën, të nxirrnim njerëz të gjallë. Kemi shpëtuar 3 persona dhe kemi nxjerrë mbi 7 viktima”, tha ai.
Për sakrificën dhe vetëmohimin e treguar ministri i Brendshëm Lleshaj ka propozuar që efektivi Duli shërbejë pranë ministrisë së brendshme, por oficeri nuk ka pranuar.
11 punonjës policie dhe zjarrfikës u vlerësuan për pjesëmarrjen në operacionet e shpëtimit.
Për kreun e zjarrfikësve të Kavajës, Endri Kraishta ky vlerësim shkon për gjithë punonjësit që kanë shërbyer në atë përballje të vështirë me fatkeqësinë natyrore.
Mes të dekoruarve është dhe drejtori i zjarrfikësve të Vlorës Luan Kapaj, i cili shërben në këtë repart që në vitin 1984.
Ai ka treguar më herët se u gjend pranë gërmadhave në Durrës që në orët e para të mëngjesit ku pas orëve të gjata të punës shëndeti i tij u përkeqësua, ndërkohë që refuzoi edhe maskën e oksigjenit teksa kërkonte nën rrënoja.
