Salianji i shpall “luftë” Sali Berishës, i publikon vendimin e gjykatës britanike: Sali “kolltuku” i lidhur me krimin e organizuar…(E PLOTË)

Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, i ka shpallur “luftë” liderit të kësaj force politike, Sali Berishës. Ai e ka akuzuar së fundmi për lidhje me krimin e organizuar, përmes një reagimi të publikuar në rrjetin social Facebook.
Në qëndrimin e tij, Salianji shprehet se Berisha është një figurë e damkosur politikisht, duke pretenduar se lidhjet e tij me korrupsionin dhe krimin janë të faktuara nga vendimmarrje dhe institucione perëndimore, e jo nga gjykatat shqiptare. Sipas tij, kjo përbën një realitet të pamohueshëm që ka ndikuar drejtpërdrejt në imazhin dhe funksionimin e Partisë Demokratike.
“Sali “kolltuku”, alias Sali “brava”, është sot i vetmi politikan në Partinë Demokratike i faktuar nga një gjykatë perëndimore si i lidhur me krimin e organizuar dhe si politikan që i ka përdorur këto lidhje për influencë politike.
Jo nga gjykatat e kapura të regjimit në Shqipëri. Por nga qeveri të djathta perëndimore dhe nga gjykata britanike. Ky është fakt. Jo propagandë”, shkruan Salianji, teksa i ndalur më tej te takimi që Berisha pati me të vetët këtë të diel në Dibër, ish-deputeti e ka konsideruar atë si dëshmi të rënies së mbështetjes ndaj ish-kryeministrit, duke theksuar pjesëmarrjen e ulët dhe mungesën e entuziazmit në radhët e demokratëve.
Postimi i plotë i Ervin Salianjit:
Sali “kolltuku” i damkosur, jo i akuzuar kot!
Sali “kolltuku”, alias Sali “brava”, është sot i vetmi politikan në Partinë Demokratike i faktuar nga një gjykatë perëndimore si i lidhur me krimin e organizuar dhe si politikan që i ka përdorur këto lidhje për influencë politike.
Jo nga gjykatat e kapura të regjimit në Shqipëri.
Por nga qeveri të djathta perëndimore dhe nga gjykata britanike.
Ky është fakt. Jo propagandë.
Shfaqja e sotme në Dibër ishte tabloja më e qartë e rënies dhe tregoi pse ky uzurpator nuk bën garë!
Një sallë që nuk mbush dot as dy kate me 200 persona, megjithëse ishte mbledhur i gjithë qarku.
Një lider i braktisur nga demokratët.
Dhe një monolog i mbushur me mashtrime të vjetra.
Kur të lë populli, të mbetet vetëm zëri… dhe ai kthehet në zhurmë!
I njëjti model, i njëjti mentalitet
Lulzim Basha ishte “familjari i dashur” i Saliut:
e promovoi, e përdori dhe e mbrojti.
Sot, edhe pasi u largua Basha, modeli mbeti po ai:
* i njëjti ekip
* të njëjtat vese
* e njëjta mënyrë përzgjedhjeje deputetësh
* e njëjta “opozitë” që ulet në gjunjë për leje, tendera dhe pazare me Ramën
Ka vetëm një ndryshim:
Saliu sot është i refuzuar nga ndërkombëtarët, nga shoqëria dhe gjithnjë e më shumë nga vetë demokratët.
Prandaj nuk bën garë.
Prandaj ka uzurpuar PD-në si frikacak.
Sepse gara e nxjerr zbuluar dhe humb privilegjet dhe paratë per te cilat shet shpirtin!
Sot nis publikimin e fakteve.
Poshtë është një fakt i zi mbi të bardhë:
Vendimi i gjykatës britanike konfirmon se nuk bëhet fjalë për thashetheme, por për prova të mjaftueshme që lidhin Sali Berishën me korrupsion dhe krim të organizuar.
E vërteta e hidhur;
Ndërkohë që demokratët kërkojnë alternativë dhe fitore,
ata mbahen peng nga një figurë që është shpallur problem sigurie nga aleatët strategjikë të Shqipërisë.
Kjo është drama reale e Partisë Demokratike:
jo përballja me kundërshtarin se atë e mundim, por pengmarrja nga e shkuara
Koha e alibive ka mbaruar.
Ose PD ndahet nga e shkuara e korruptuar,
ose mbetet peng i saj.