Janullatos: Po grabiten pronat e Kishës Ortodokse
Kryepeshkopi u bëri thirrje besimtarëve të krishterë nga Himara, që të mos lejojnë grabitjen e pronave të Kishës.
Skerdilajd Zaimi
Kryepeshkopi i Kishës Autoqefale Ortodokse, Anastas Janullatos, u bëri thirrje dje besimtarëve të krishterë në Himarë, që të jenë të bashkuar dhe të ruajnë vlerat e familjes dhe pasurinë e komunitetit. “Ka shumë forca të jashtme që po grabisin pasuritë dhe pronat tona, duke filluar që nga Manastiri këtu nga ku po flasim. Por ne duhet të rezistojmë. Kujtoni që ju qëndruat të fortë edhe gjatë Diktaturës, pra kështu të bashkuar do të fitoni mbi të keqen”,- tha Kryepeshkopi Janullatos në ceremoninë e zhvilluar në Drimadhë. Ai ka nënvizuar kështu ekzistencën e një problemi të madh, siç është grabitja e pronave dhe objekteve fetare të Kishës Ortodokse në të gjithë vendin, të cilat ende nuk i janë kthyer plotësisht. Një element që bie në sy është përzgjedhja e Himarës si destinacion për të festuar ditën e Shën Mërisë, një nga festat më të rëndësishme të kalendarit Ortodoks. Në zonën e Himarës banon një prej komuniteteve më aktive, sa i përket lidhjes së identitetit me besimin fetar. Prej më shumë se 20 vjetësh, problemi i pronës dhe i marrëdhënies së tij me shtetin shqiptar ka dalë në sipërfaqe, si një ndër më të vështirët për t’u zgjidhur. Këtu nuk do harruar as fakti se, sidomos për pronën duket të ketë një politikë të përcaktuar nga Tirana zyrtare, e cila në zonën e Bregdetit do të thotë aset i vyer dhe kapital për turizmin. Por deri tani, ajo çka është parë më qartë ka qenë grabitja e objekteve të kultit, ku dora keqbërëse nuk ka kursyer as Shtëpinë e Zotit në të gjithë Jugun e vendit.
–^^^ Beji “Like” faqes ne facebook “Zgjohu Shqiptar !!!”
Me pas kliko ketu per ta shperndare ne profilin tuaj.