VIDEO: Sot nëntë vite nga 21 Janari, pamjet e vrasjes së Ziver Veizit

Sot shënohen nëntë vite nga 21 Janari 2011, dita kur gjatë një proteste të Partisë Socialiste, në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, para Kryeministrisë u vranë katër protestues nga Garda e Republikës.

Gjatë protestës së 21 Janarit 2011, mbetën të vrarë Aleks Nika, Ziver Veizi, Hekuran Deda dhe Faik Myrtaj.

Rreth orës 14:00, protestuesit përshkuan rrugën nga sheshi “Skënderbej” deri para Kryeministrisë. Turma nisi me thirrje kundër Kryeministrit, duke u përplasur me kordonët e policisë

Ngjarja u filmua nga dhjetëra stacione televizive, të cilët, duke pasqyruar me profesionalizëm, pse jo dhe me guxim, detajet më të imta të zhvillimeve të saj, ndihmuan jo pak për hetimet.

Turmat e irrituara thërrisnin për drejtësi. Ato shoqëroheshin me britma, vrapime me panik dhe kthime sërish para Kryeministrisë.

Skenat transmetoheshin direkt në të gjitha televizionet, por tmerri dhe paniku ishte më i madh tek ata që ishin në shesh, tek demonstruesit.

Dhe më pas, në kohën kur njerëzit po largoheshin e mendohej se gjithçka mbaroi, të shtënat tmerruan demonstruesit.

Pastaj, një njeri u shtri përtokë, pas tij një i dytë, ndërsa dikush nga mesi i turmës thirri me zë të lartë: “Na vranë”.

Trupi i një 40-vjeçari u mor në krahë nga disa burra, ndërkohë që në gjoks i dukej një vrimë plumbi, pasi këmishën e kishte gjysmë të zbërthyer.

“Po na qëllojnë me plumba të vërtetë”, tha një tjetër.

E ashtu ndodhi, atë ditë u vranë tre demonstrues, Ziver Veizi, Hekuran Deda dhe Faik Myrtaj. Pak ditë më vonë ndërroi jetë në spital edhe Aleks Nika, i cili kishte marrë një plumb në kokë.

Më poshtë japim videon e vrasjes të Ziver Veizit më 21 janar 2011.

Pamjet janë filmuar nga gazetari investigativ Artan Hoxha.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT