“Jetën time s’ja uroj askujt, politika më varfëroi!” Kryemadhi “hap letrat” e zhgënjyer, flet për çantën “Hermes” me kartën e kushëririt biznesmen, e për pendimin e saj më të madh

Ish-deputetja e Partisë së Lirisë, Monika Kryemadhi, ishte e ftuar mbrëmjen e djeshme në studion e emisionit “Top Story”, ku foli për çështjen gjyqësore ndaj saj dhe ish-bashkëshortit Ilir Meta, si dhe komentoi detaje nga fashikujt e dosjes në ngarkim të tyre.
Gjatë bisedës, ajo pati dhe disa “përplasje” me analistin Arjan Curri dhe “shkak” u bë karta bankare e biznesmenit shqiptaro-amerikan, Adrian Shatkos, për të cilën SPAK pretendon se është përdorur nga Kryemadhi për shpenzime në San Marino.
Duke ironizuar jetën e Kryemadhit, të cilën e cilësoi si një “film” të gjatë, Curri ngriti pikëpyetje mbi përdorimin e kartës dhe detyrimin për deklarimin e shpenzimeve nga një zyrtare publike.
Nga ana tjetër, Kryemadhi mohoi që karta bankare e kushëririt të saj të jetë përdorur për interes personal, duke shpjeguar se kishte kryer blerje për bashkëshorten e biznesmenit.
“Karta e kushëririt tim është për gjërat që i duhen bashkëshortes së tij, dhe po të njëjtën ditë është karta ime me 2300 euro në të njëjtin dyqan. Është më pak. Brekë kam blerë. Dhe prokurorëve iu bëri përshtypje që gratë e politikanëve mund të blejnë të mbathura, reçipeta, këmishë nate, pizhama, bluza, pantallona. Se lakuriq nuk do dalim. Nëse janë mësuar prokurorët t’i shohin gratë e tyre lakuriq, është punë tjetër”, tha Kryemadhi.
Në përfundim Monika Kryemadhi është shprehur se nuk ka ndërmend t’i rikthehet politikës, duke theksuar zhgënjimin e thellë që ka përjetuar përgjatë gjithë këtyre viteve. Ajo e ka konsideruar angazhimin politik, si një sakrificë që i ka marrë vitet më të mira të jetës, dhe se pavarësisht kontributit që ka dhënë, ka marrë vetëm “zhgënjim” mbrapsht.
“Jo nuk i kthehem politikës. E urrej. Jam bërë pishman. Politika më bëri të varfër. Më bëri të varfër. Dikur Edi Rama, se tani nuk e thotë më, e thoshte: Nuk ka këlysh k*rve të fusë dorën në xhepin tim. E unë them nuk ka bir nëne, dhe nuk ka burrë nëne dhe as grua që të thotë që Monika Kryemadhit i kam dhënë 1 qindarkë.
Kam konsumuar vitet e mia më të bukura, jetën time, familjen time, për të mbajtur të gjithë njerëzit, me televizione, me Edi Ramën, me Sali Berishën, me Erion Veliajn, me të gjithë, kam bërë fushatë për ta, kam mbledhur vota për ta, dhe ata janë njerëz që pasurohen çdo ditë. Le të pasurohen, s’ka ndonjë gjë të keqe të pasurohesh, nuk duhet të kesh frikë nga të pasurit, duhet të kesh frikë nga të varfrit. Ti sot nuk ke të pasur që punojnë me djersën e ballit, ke të pasur që pasurohen me drogën. Jam bërë pishman sepse dhe sot e kësaj dite njerëzit i bien për t’u zgjidhur një hall, jo të më pyesin si jam”, tha ajo.
Pjesë nga debati në studio:
Curri: Ka blerë kohë, lirinë, është jashtë, është në TV, nuk është në arrest shtëpie, ja ka futur SPAK-ut deri tani. Nuk e dimë a do ja arrijë deri në fund. Kryemadhi është më mirë për mua në rrjetet sociale, batuta, kinematografi. 30 vite ju ka ngrënë kot Ilir Meta për mua, edhe unë kam humbur disa vite, shpresoj që t’i rikuperoj, por juve nuk jeni për atë punë, gjithë ndriçimi juaj është reality shoë, Big Brother, Kafazi.
Këtu na mbajtët neve duke na folur tre orë për paratë tuaja të shumta. Filmi vazhdon, është shumë i bukur. Unë kam parë filmin e jetës suaj dhe është më i bukur se çdo film tjetër. Ju i shkruani kushëririt tuaj dhe i thoni: keni bllokuar kartë, hapeni. E unë që ëndërroj si nuk kam një kushëri që të më jepte kartën dhe ta përdorja. Unë do doja shumë ta kisha jetën tuaj.
Kryemadhi: Nuk ta uroj. Nëse unë të thoja që kur të shkosh në Greqi, dua të më blesh diçka. Unë duke qenë deputete, ti do më thoje që me mbi 1 mijë euro cash nuk shkon dot se duhet t’i deklarosh. Dhe unë të them që merre kartën time dhe kur të shkosh aty, do të jap PIN-in dhe ma bli. Unë edhe fëmijëve të mi kur ikin u them që merreni kartën time dhe blini.
Curri: Kur përdorni kartën ju duhet ta deklaroni si politikane që je, sepse është shpenzim. Sepse po nuk e deklaron, vjen SPAK dhe fillon për fshehje pasurie.
Kryemadhi: Nëse e kam përdorur për veten time.
Curri: Po për veten tuaj pra e keni përdorur.
Kryemadhi: Jo, nuk e kam përdorur për veten time. Më ka thënë për t’i blerë diçka. Karta e tij është 12 mijë euro. Unë kam blerë diçka për bashkëshorten e tij.
Curri: Aty te kartat vetëm mund ta hani ju.
Kryemadhi: Jo, as aty nuk e ha unë. E di ku e ha unë? E ha që familjen time nuk ma kthen dot më mbrapsht. Kaq. Aty e ha unë. Unë kam blerë një çantë dhe një peliçe për kushëririn tim. Në San Marino, një çantë Hermes për gruan e tij dhe një peliçe që e kishte porositur. E kanë sjellë në San Marino, nuk shkonte dot. Ia kam marrë unë dhe ia kam sjellë. Unë peliçet i blej në Greqi, i ke në Kastoria me 400-500 euro shumë të lira.
Curri: Të lira nuk janë ato, se e ke sa rroga e 15 ditëve për një shqiptar.
Kryemadhi: Për kë shqiptar?
Curri: Për mua, unë aq marr.
Kryemadhi: Çfarë të të them unë.
Curri: Mua nuk më japin kartë.
Kryemadhi: O do t’i them Altin Dumanit të të japë një kartë, ose të të japë një nga shtëpitë e veta që ia ka dhuruar kisha të ta japë ty. Karta e kushëririt tim është për gjërat që i duhen bashkëshortes së tij, dhe po të njëjtën ditë është karta ime me 2300 euro në të njëjtin dyqan. Është më pak. Brekë kam blerë. Dhe prokurorëve iu bëri përshtypje që gratë e politikanëve mund të blejnë të mbathura, reçipeta, këmishë nate, pizhama, bluza, pantallona. Se lakuriq nuk do dalim. Nëse janë mësuar prokurorët t’i shohin gratë e tyre lakuriq, është punë tjetër.