“Deti”, Bushati: Marrëveshja e re do të jetë më e mirë se ajo e Berishës
Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati në një interpelancë të kërkuar përmes Platformës së Bashkëqeverisjes nga një grup studentësh të ekselencës ka sqaruar deklaratat se Shqipëria do t’i falë Greqisë 12 milje det.
Përpara studentëve, ai tha se Shqipëria do arrijë me çdo kusht një marrëveshje shumë herë më të mirë se ajo e 2009-ës me Greqinë dhe se ishin shpifje deklaratat për faljen e detit.
“Deklaratat që do i falim Greqisë 12 milje, apo shitje të zonave naftëmbajtëse është thjesht një shpifje dhe koha do ta vërtetojë. Ne shpresojmë që në një kohë jo të largët do kemi këtë marrëveshje të re disa herë më të vlefshme se e para”, tha ai.
Më tej, ministri Bushati u ndal të sqarojë tre piketa të rëndësishme mbi të cilat mbështetet marrëveshja e re që po negociohet me palën greke.
“Kemi një marrëveshje të shfuqizuar nga Kushtetuesja, pikërisht vendimi i kësaj gjykate është pikënisje dhe pika e parë për një marrëveshje të re. Për Shqipërinë dhe Greqinë burojnë disa të drejta e detyrime nga të drejtat ndërkombëtare.
Pika e dytë e kontaktit tonë është e drejta ndërkombëtare. Së treti kemi legjislacion të brendshëm ku dy palët ulen në negociata e marrin për bazë edhe legjislacionin e brendshëm.
Gjetja e një zgjidhje të arsyeshme do të jetë në interes të dy palëve. E për këtë kemi marrë tre lloj të ndryshme ekspertizash që kolauduan se çdo marrëveshje e re do të duhet dhe do të jetë më e mirë se ajo e arritur në 2009 për shkak të gabimeve trashanike që bëri qeveria Berisha. Në 2009 qeveria Berisha ka ndjekur një metodë të baraslargësisë.
Ne duam që të ndjekim me përpikmëri vendimmarrjen duke respektuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe të drejtën ndërkombëtare. Ne do kemi një marrëveshje disa herë më të drejtë se ajo e 2009. Nga ana tjetër Greqia do lidhë një marrëveshje që të mund ta zbatojë në praktikë”, sqaroi ministri.
Heqja e ligjit të luftës për ministrin e Jashtëm Bushati do të ndihmonte në fitimin e të drejtës së pronësisë tek ata persona që ishte vendosur sekuestro.
“Për herë të parë një qeveri greke e pranon zyrtarisht që kjo gjendje lufte është relike e së kaluarës që duhet të shfuqizohet. Kemi kërkuar që ligji i luftës, apo dekreti mbretëror që sanksionoi regjimin e luftës ndaj Shqipërisë dhe vuri në sekuestro konservative një pjesë të mirë të pronave të shtetit shqiptar, shtetasve shqiptarë, të qytetarëve shqiptar me kombësi greke, duhet të shfuqizohet me një akt po të njëvlefshëm që ka të njëjtën fuqi ligjore në sistemin juridik grek. Ky akt nuk mund të ishte kurrsesi një kontratë e dyanshme. Përmes këtij procesi do të kemi situatë të re politike ndërmjet Greqisë dhe Shqipërisë sikundër do u jepet mundësia të tre kategorive ti drejtohen instancave greke për të fituar të drejtën e pronësisë. Do të kemi një çlirim jo thjesht psikologjik po dhe mundësinë që këto tre kategori të përfitojnë të drejtën pronësore siç i takon”, tha Bushati./ZgjohuShqiptar.info