Përfshirja e kontingjenteve të huaj në protestën e PD-së, Basha: Kombinimi arabo-italiano-rumun i RREZIKSHËM, mund të jenë bandat mafioze që kanë hyrë nëpërmjet Serbisë

Eksperti i sigurisë Faik Basha ka paralajmëruar për rrezikun e përfshirjes së shtetasve të huaj në protestët e fundit të organizuar nga Partia Demokratike. Në një intervistë për ABC News ai tha se çdo qytetar ka të drejtë të protestojë, pasi kjo është e garantuar nga kushtetuta dhe ligjet, por dhuna nuk mund të justifikohet nga asnjë forcë politike.
Basha theksoi se policia ka prova që disa persona të huaj, një rumun, një arab dhe një italian, kanë kryer akte dhune gjatë protestës, duke kundërshtuar punonjësit e rendit, goditur për shkak të detyrës dhe prishur rendin publik. Ai paralajmëroi se përdorimi i molotovëve rrezikon jo vetëm policinë, por edhe vetë protestuesit, duke treguar mungesë ndjesie për vendin.
“Është një situatë e ndërlikuar dhe e rrezikshme. Unë mbështes të drejtën e çdo qytetari për të protestuar, sepse kjo është e garantuar nga kushtetuta dhe ligjet. Çdo individ ka lirinë të kundërshtojë veprimet e qeverisë kur mendon se të drejtat dhe liritë e tij po cënohen. Por një gjë është e qartë: një forcë politike nuk duhet të përdorë dhunë gjatë protestave.
Problemi shtohet kur në protestë përfshihen shtetas të huaj, një rumun, një arab dhe një italian. Shqipëria nuk është anëtare e Bashkimit Europian dhe nuk ka arsye të dukshme pse këta shtetas të vijnë këtu për të protestuar kundër një propozimi ligjor. Sjellja e tyre, maskimi, fshehja e identitetit dhe përdorimi i dhunës janë të dokumentuara nga policia, e cila ka prova për aktet e kryera. Nëse gjykata do t’i vërtetojë këto prova, mbetet për t’u parë, por akuzat janë të rënda: kundërshtim ndaj punonjësve të rendit, goditje për shkak të detyrës dhe prishje e rendit publik.“- tha Basha.
Sipas tij, mbetet e paqartë kush i ka sjellë dhe paguar këta persona, por dyshimet lidhen me bandat e huaja dhe mafian italiane, të cilat mund të kenë hyrë nëpërmjet Serbisë.
“Molotovët dhe aktet e dhunës nuk dëmtojnë vetëm policinë, por edhe vetë protestuesit. Kjo tregon mungesë ndjesie për vendin dhe për sigurinë e qytetarëve. Pyetja që lind është: kush i merr dhe i paguan këta persona? Ne e dimë sa të rrezikshme janë bandat e huaja, si mafia italiane, dhe ka dyshime se mund të kenë hyrë nëpërmjet Serbisë. Ky kombinim arabo-italiano-rumun është shqetësues dhe për mua përbën një rrezik serioz.“- shtoi ai.