Para 20 ditësh “Haga” lajmëroi shtyrjen e dhënies së vendimit për ish-krerët e UÇK-së! Cila është ARSYEJA që qëndron pas vendimit të “speciales”

Gjykata Speciale e Hagës, ka dalë me një njoftim së fundi lidhur me vendimin final i cili pritet të merret nga trupi gjykues për rastin e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
Në këtë njoftim të bërë thuhet se paneli i gjyqtarëve ka kërkuar kohë shtesë prej 60 ditësh për shkak të volumit të madh të lëndës, si edhe sepse rasti është shumë kompleks.
“Më 5 maj, Trupi Gjykues lëshoi një urdhër duke zgjatur afatin për vendimin gjyqësor në këtë çështje, për shkak të vëllimit të provave dhe kompleksitetit të procedurave. Urdhri zgjat afatin për shpalljen e vendimit gjyqësor me 60 ditë. Publiku do të informohet pasi Trupi Gjykues të ketë caktuar një datë specifike për shpalljen e vendimit”, thuhet në njoftimin e Hagës.
Kujtojmë se në shkurt të këtij viti, katër ish-krerët e UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi e Jakup Krasniqi kanë dhënë deklaratat përfundimtare në Gjykatën Speciale.
Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, dhe tre bashkëpunëtorë të tij të kohës së luftës, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, kanë dalë më 3 prill para Gjykatës Speciale në Hagë, për t’u gjykuar për akuzat që i lidhin me krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, teksa kujtojmë se prokuroria ka kërkuar 180 vite burg në total për të katërt.
Ish-krerët e UÇK-së akuzohen për krime lufte kundër njerzimit, vrasje, torturë dhe zhvendosje me forcë. Sipas aktakuzës këto krime janë kryer 1998 – 1999 në disa vende në Kosovë, në Kukës dhe Cahan, në Shqipërinë e Veriut, nga anëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kundër qindra civilëve që nuk merrnin pjesë në luftime.