Të mirët, 1 në 3 duan mjekësinë. Sa ndikon skamja te arsimimi?

Testimi global i dijeve për 15 vjeçarët, PISA 2018, konfirmoi një tendencë të re në Shqipëri, duke vërtetuar se vajzat po mësojnë më shumë se djemtë në tre drejtimet kryesore, literaturë, matematikë dhe shkencë.
Në të gjitha vendet dhe ekonomitë që morën pjesë në testin e PISA 2018, vajzat i tejkaluan ndjeshëm djemtë në literaturë.
Në vendet e OECD vajzat morën mesatarisht 30 pikë më shumë se djemtë.
Ndërsa në Shqipëri ky hendek ishte edhe më i lartë, pasi vajzat tejkaluan djemtë me 38 pikë.
Edhe në matematikë dhe shkenca rezultatet flasin në favor të vajzave.
Rreth dy në pesë djem në Shqipëri kanë dëshirë të punojnë si inxhinier ose profesionist i shkencës në moshën 30 vjeç, ndërsa një në katër vajza dëshiron të jetë inxhiniere ose të merret me shkencë në të ardhmen.
Një në tre vajza me përformancë të lartë në Shqipëri dëshiron të bëhet mjeke, ndërsa një në katër djem dëshiron të bëhet mjek.
Sa ndikon gjendja ekonomike në faktin sa mirë ecën në shkollë?
Në Shqipëri 1 % e 15 vjeçarëve në kategorinë më të ardhura të larta arritën rezultate të shkëlqyera në literaturë, ndërsa studentët e varfër nuk mund të kapnin nivelin e lartë të pikësimit.
Në Shqipëri, një në katër nxënës të varfër nuk presin të përfundojnë arsimin e lartë në raport me 1 në 20 nxënës në kategorinë e atyre me të ardhura të larta.