Halil Matoshi: Kombi kosovar nuk ka lindur sot, i ka fillesat që nga lëvizja e vitit 1968

Ditëve të fundit është polemizuar mjaftë çështja se si duhet ta quajmë ekipin e Kosovës, kombëtare apo përfaqësuese, dhe rrjedhimisht është folur edhe rreth ekzistencës së kombit Kosovar, për këtë ka folur publicisti Halili Matoshi, i cili ka thënë se lëvizja kombformuese kosovare nuk ka nisur sot, por thellësisht në vitin 1968 deri me 1981, që kishte qëllim Republikën, kurse gjatë viteve të 90’ta ka avancuar në synimin për shtet sovran e demokratik dhe asnjëra nga këto lëvizje, nuk e kishin bashkimin me Shqipërinë, në programet e tyre politike.
Publicisti i njohur kosovar, Halil Matoshi ka shpjeguar pse ekziston kombi Kosovar dhe procesin e lindjes së tij, duke i përmendur disa momente me të rëndësishme gjatë historisë së Kosovës.
Ai ka thënë se kombi Kosovar ka lindur nga konflikti dhe shpërbërja e ish-Jugosllavisë, dhe se ky komb është bashkësi njerëzish që i nënshtrohen ligjeve të përbashkëta, dhe identifikohen si bashkësi e qëndrueshme, që njihet nga kombet tjera si komb, e që ka simbole kombëtare.
“Kombi kosovar është komb i lindur nga konflikti dhe shpërbërja e një konstruksioni federalist, të modelit sovjetik, ish-Jugosllavisë, komb i etnisë shumicë – shqiptarëve të Kosovës si pronar i shtetit ose etnive tjera që e projektojnë të ardhmen e vet në një komb unik, duke u integruar me vullnet politik në kombin kosovar. Kombi kosovar është bashkësi njerëzish që i nënshtrohen një Kushtetute dhe ligjeve të përbashkëta dhe identifikohen si bashkësi e qëndrueshme”, ka thënë Matoshi
Matoshi thotë se Lëvizja kombformuese kosovare ka nisë thellësisht me 1968 deri në vitin 1981, që ishte lëvizje për Republikë, kurse gjatë viteve të 90’ta ka avancuar në synimin për shtet sovran e demokraci dhe asnjëra nga këto lëvizje, nuk e kishin bashkimin me Shqipërinë në programet e tyre politike.
“Lëvizja kombformuese kosovare ka nisë thellësisht me 1968 – 1981 për Republikë, kurse gjatë viteve ‘90 ka avancuar në synimin për shtet sovran e demokraci (Rugova) dhe asnjëra nga këto lëvizje, nuk e kishin bashkimin me Shqipni, në programet e tyre politike” thotë Matoshi.
Ai ka shtuar se kombi kosovar njihet nga kombet e tjera si i tillë, pra si komb, që ka simbolet kombëtare, ushtrinë kombëtare, kombëtaren e futbollit, vlenë të theksohet Ligën e Kombeve, aty ku garon Kosova.
“Kosova është komb që njihet nga kombet tjera si komb, që ka simboleve kombëtare, (Pakoja Ahtisaari), ushtrinë kombëtare,(neni 126 i Kushtetutës), kombëtaren e futbollit (anëtar i FIFA’s dhe Komitetit Olimpik Ndërkombëtar) që merr pjesë në garat ndërkombëtare dhe për simbolikë duhet të përmend Ligën e Kombeve; dhe që posedon dokumentet identitare, ndërkombëtarisht të njohura,” vlerëson ndër të tjera Matoshi.
Matoshi pohon se kombet janë prodhime artificiale dhe imagjinar, me këtë i referohet studiuesit të famshëm Benedict Anderson kur ai flet rreth ‘komunitet imagjinar’, dhe kombin e cilëson si bashkësi imagjinare, dhe se nuk ka të natyrshme që bazohen vetëm mbi etninë, traditat, gjuhën, kulturën, historinë e përbashkët, territorin dhe marrëdhëniet ekonomike.
“Të gjitha kombet janë artificiale – ‘bashkësi imagjinare politikisht të konstruktume’ (Benedict Anderson) – nuk ka kombe të natyrshme dhe vetëm me bazë etninë, traditat, gjuhën, kulturën, historinë e përbashkët, territorin dhe marrdhëniet ekonomike, qysh thonë primordialistët dhe integristët që bazohen në definicionin e J.V. Stalinit që merr për bazë Fihten dhe ‘kombin kulturor gjerman’ dhe të përpunuar nga slloveni Eduard Kardel, i cili definicionit të Stalinit ia ndajshton vullnetin politik dhe trupin zgjedhor të përbashkët, dy elemente bukur thelbësore,” vlerëson Matoshi
Matoshi përmend Rilindësit si themeluesit e gjuhës shqipe, por thotë se gjuha e as feja nuk janë përcaktuese të vetme për krijimin e kombit, duke hedhur në pah faktin se kombi brazilian flet portugalisht, apo ai meksikan që flet spanjisht.
“Përderisa etnia është konstantë, kombi është variabël. Kombi shqiptar është krijuar nga Rilindja si komb i gjuhës shqipe. Por gjuha as dhe religjioni nuk janë përcaktues të vetëm për kombkrijim. Kombi brazilian flet portugalisht kurse ai Meksikan flet spanjisht. Për me u ngjizë një komb duhet të ekzistojnë disa parakushte si vetë-njohja dhe njohja nga të tjerët, i një bashkësie njerëzish që ka një identitet të fortë, që ka përvetësuar “traditat e shpikura”; figurat unifikuese, kohezioni shoqëror dhe historia të përbashkët pastaj duhet të ekzistoj një Lëvizje çlirimtare dhe kombformuese,” shpjegon Matoshi.
Shteti i Kosovës ka rezultuar në maturimin e kombit kosovar që ka lindur nga konflikti, e që është korurzuar me pavarësi të deklaruar nga të zgjedhurit e popullit, të konfirmuar nga GjND, e që është i njohur nga ShBA’ja dhe nga 115 kombe të botës, anëtar i FMN’së dhe mekanizmave tjerë ndërkombëtar, komb i cili ka Teatër kombëtar, balet e filharmoni dhe elitë kombëtare, përfundon Matoshi.