Rregjistrimi i popullsise,padrejtesi.Godo: Jo krijimit te një shtetit tjeter paralel në Shqipëri

Historiani i njohur shqiptar, Sabri Godo, kritikoi dje ashpër qëndrimin e grupeve të minoriteteve mbi procesin e regjistrimit të popullsisë që do të zhvillohet vitin e ardhshëm. Presidenti i Nderit i Partisë Republikane i cilësoi shqetësimet e ngritura për mungesë transparenca si veprime të nxitura nga struktura jashtë Shqipërisë. “Disa të grupe të nxitura dhe nga jashtë janë në çdo kohë të gatshëm të bëjnë kontestime dhe për probleme që nuk ekzistojmë. Tani jemi mësuar me këtë”,-vlerëson historiani i njohur shqiptar.
Në regjistrimin e përgjithshëm të popullsisë dhe banesave, që do të zhvillohet në muajin prill të vitit 2011, do të regjistrohen njësitë ekonomike familjare, individët, bashkëjetesat kolektive, banesat (të banuara ose jo) dhe tipe të tjera banesash, si edhe të huajt (prezentë në momentin e regjistrimit). Por, pika më e debatuar nga të gjitha këto është pyetja e nëntë e pyetësorit, në të cilën individi do të deklarojë grupin etnik që do t’i përkasë.
Mbi këtë çështje, Sabri Godo tha se për sa i përket kombësisë në regjistrime duhet të merret parasysh ajo kombësi që vërtetohet nga prindërit dhe nga gjyshërit, dhe jo sipas shijeve personale të secilit. “Nëse një gjë e tillë do të ndodhë ajo do të shkaktonte një anarki dhe është e papranueshme, nuk qëndron. Ka shumë njerëz që mund të dëshirojnë të deklarojnë kombësi nga më të ndryshme. Atëherë shtrohet problemi, a e pranon vendi përkatës deklarimin e shtetësisë nga një qytetar çfarëdo. Kjo është jashtë çdo logjike”,- deklaroi ai. Sipas tij, debati mbi çështjen e regjistrimit të minoriteteve është krijuar artificialisht që më parë pasi duan vetëm për të përgatitur terrenin që të bëjnë kontestimet pastaj.
Në mbledhjet e zhvilluara midis përfaqësuesve të komuniteteve, këto të fundit kanë kërkuar përfaqësim në të gjithë strukturat që do të merren me procesin e anketimit. Pretendime të tilla nga Presidenti i Nderit i Partisë Republikane konsiderohen si absurde. “Nuk mundet që një pakicë prej 2% të krijojë një shtet paralel në Shqipëri dhe duhet të heqin dorë nga pretendime të tilla absurde”,-komentoi kërkesat e përfaqësuesve të minoriteteve, Sabri Godo.Në procesin e regjistrimit të popullsisë që pritet të nisë në muajin prill të vitit të ardhshëm, grupet e ndryshme të minoriteteve do të kontribuojnë në realizimin e këtij procesi duke pasur përfaqësues në komisione. Në ato vende ku përfaqësie e komunitete dhe grupeve etnike do të jetë e konsiderueshëm, ato do të jenë të përfaqësues në këto komisione dhe do të jenë ata që do të rekrutojnë anketuesit për këtë. Ndërsa në strukturat e logjistikës ose të organizimit të regjistrimit, i cili do të implementohet nga INSTAT, do të ketë dhe një grup vëzhgues ndërkombëtarët.
Kryetari i PBDNJ-së shpreh shqetësimin për mungesën e transparencës mbi procesin e regjistrimit të popullsisë që do të ndodhë në vitin e ardhshë.
Kryetari i Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, Vangjel Dule, paralajmëron se kur ekzistojnë premisat pas dy dekadash për realizimin e një procesi kaq të nevojshëm në një shoqëri dhe të kryhet në kushtet e mungesës së transparencës që mund të çojë në kontestim, atëherë do të krijojë shumë më tepër probleme se ato aktualet. Në një intervistë, duke iu referuar regjistrimit të popullsisë që pritet të nisë në muajin prill të vitit të ardhshëm, lideri i PDBNJ-së shpreh shqetësimin e tij për mungesën e transparencës dhe informimit të popullsisë mbi atë që po ndodh. Sipas tij, duhet një bashkëpunim i ngushtë me shoqatat përfaqësuese të këtyre minoriteteve dhe të këtyre grupeve, të cilat kanë një akses të një natyre tjetër, është aksesi i drejtpërdrejt, është shpjegimi i thjeshtë, praktik dhe konkret i asaj që do të ndodhë dhe se si duhet të ndodhi.
Në takimin që ju keni pasur me grupet e minoriteteve në vendin tonë jeni shprehur skeptik në performancën që do të ketë regjistrimi i popullsisë dhe banesave. Nga lindin këto dyshime?
Të gjithë qytetarët, jo vetëm pjesëtarët e minoriteteve, do të kenë mundësinë dhe të drejtën që krahas gjeneraliteteve të tjera të deklarohen edhe në lidhje me përkatësinë e tyre etnike, gjuhën amtare. Është një proces sa teknik aq edhe politik. Është hera e parë që në themelimin e shtetit shqiptar, ose të paktën për të qenë më i saktë, pas luftës së dytë botërore, që në vendin tonë shpresojmë të realizohet një proces i tillë demokratik. Kemi pasur regjistrime të popullsisë në kohën e regjimeve totalitare të cilat vetëm të vërtetën nuk reflektonin, sikurse edhe në shumë aspekte të tjera edhe në ato të dimensioneve numerike dhe të shtrirjes gjeografike të pjesëtarëve që i përkasin një minoriteti etnik, linguistik etj,.Rrjedhimisht duhet që ky proces aq i rëndësishëm, i cili është një instrument bashkëkohor i domosdoshëm për hartimin e politikave lidhur me të drejtën e minoriteteve, të jetë transparent dhe i besueshëm. Duhet të jetë një proces i cili do të japë zgjidhje për problemet që janë krijuar gjatë gjithë këtyre kohëve dhe jo të krijojë probleme të tjera, të reja, nëse ai nuk do të jetë një proces transparent dhe i besueshëm.
Çfarë do të kuptojmë me proces politik, a mund të kemi një dalje të të dhënave joreale të komuniteteve që ekzistojnë në vendin tonë, apo mund të ketë një tjetërsim të numrit?
Nuk janë numrat qëllim në vetvete, është instrument regjistrimi i popullsisë dhe nuk ndryshojnë të drejtat që gëzon një komunitet me statusin me minoritet nëse ai është 10 mijë anëtarë më pak apo më shumë. Është fjala për konceptimin e strategjisë së respektimit të këtyre të drejtave, rrjedhimisht ne duhet që nëpërmjet këtij procesi t’i krijojmë të drejtat çdo qytetari që të shprehet lirisht, pa ekuivok, të respektohet dhe të regjistrohet statistikisht kjo e drejtë e tij dhe ne si politikë në bazë të saj të hartojmë filozofinë. Dhe mbi këtë filozofi të hartojmë politikat e reja që duhet të zbatojmë për garantimin e të drejtave të pjesëtarëve të minoriteteve, si një shtet tashmë jo më postkomunist, por si një shtet anëtar i NATO-s dhe së afërmi edhe një shtet anëtar i Bashkimit Europian.
Nga të dhënat që ju keni, sa janë të informuar njerëzit mbi formularin e regjistrimit të popullsisë?
Konstatojmë se i gjithë aktiviteti informues është shumë i vonuar. Duhet të kemi parasysh faktin se grupe të veçanta me interes të veçantë në këtë regjistrim janë ato të minoriteteve të cilat kanë veçori, kanë veçori me gjuhën. Moshat e rritura nuk kanë pasur mundësinë të mësojnë gjuhën zyrtare dhe gjuhën e shumicës. Kemi grupe të tjera të cilat nuk kanë nivelin arsimor dhe kulturor të mjaftueshëm për të ndjekur realitetet dhe të informohen. Kësisoj ne vlerësojmë se duhet të intensifikohet përpjekja informuese me qëllim që të realizohet edhe qëllimi i këtij procesi, që është pjesëmarrja dhe nga ana statistikore reflektimi me korrektësi i realitetit në shoqërinë tonë.
Si mund të realizohet pjesëmarrja 100% për të gjithë këto shtresa njerëzish, çfarë duhet bërë?
Besojmë se informimi me rrugët klasike pak efekt ka në këto raste. Duhet një bashkëpunim i ngushtë me shoqatat përfaqësuese të këtyre minoriteteve dhe të këtyre grupeve, të cilat kanë një akses të një natyre tjetër, është aksesi i drejtpërdrejt, është shpjegimi i thjeshtë, praktik dhe konkret i asaj që do të ndodhë dhe se si duhet të ndodhi. Gjë që ka munguar deri tani. Janë zhvilluar me insistimin tonë disa takime krejt formale me përfaqësues të minoriteteve, pa u dhënë atyre mundësinë që të punojnë sistematikisht në aspektin e informimit të qytetarëve dhe në veçanti të pjesëtarëve të minoriteteve. Gjë që duhet pa humbur kohë të intensifikohet. Ne jemi të gatshëm që me mundësitë tona e bëjmë edhe pa një bashkëpunim deri tani me institucionet shtetërore që duhet ta kishin bërë këtë përpjekje sensibilizuese për qytetarët. Nga ana tjetër duhet që të jenë konkretizuar sepse për arritjen e një fushate sensibilizuese të suksesshme duhet që të jenë konkretizuar detajet, modalitetet. Ende nuk është shpallur zyrtarisht data, koha e zhvillimit të këtij regjistrimi, formulari përfundimtar, modalitetet se si do të procedohet praktikisht në terren me këtë proces, gjëra që duhet të ishin bërë me kohë dhe tani të ishim në përfundim të procesit sensibilizues. Krahas kësaj, për ne është e domosdoshme që në të gjitha grupet e punës në rang komune dhe bashkie duhet domosdoshmërish të ketë pjesëtarë të grupeve të ndryshme shoqërore me statusin e minoritetit. Sepse janë ato të cilët njohin më mirë dhe mund të kontribuojnë në mënyrë më efeciente për të pasur një proces përfshirës, transparent dhe të besueshëm.
Nga INSTAT nuk ka pasur asnjë kontakt me PBDNJ-në, për shkak se ju konsideron një parti politike dhe meqenëse ky institucion është i pavarur. A e shikoni këtë si një kontribut të munguar në këtë proces dhe a ndikon kjo në përshtatjen e këtij pyetësori?
Ne nuk pretendojmë që të bëhemi partner të INSTAT-it, ne jemi një forcë politike dhe për ne përbën përparësi regjistrimi i popullsisë. Por, në këtë shtet kaq të politizuar në çdo shërbim të saj, që duhet faktikisht të ishte i depolitizuar nuk do të ishte fundi i botës nëse INSTAT të realizonte dhe një takim me PDBNJ-në, e cila ka qenë forca politike që për një 20 vjet të aktivitetit të saj politik dhe parlamentar kërkon me insistim zhvillimin e një regjistrimi të përgjithshëm të popullsisë me tiparet që është premtuar se do të zhvillohet vitin e ardhshëm, informal, këshillimor, quajeni si të doni. Por nuk është ky thelbi. E rëndësishmja është që ne jemi të gatshëm dhe mundësitë tona po i aktivizojmë sistematikisht, duhet pra, ajo që është më e rëndësishme, që shoqatat përfaqësuese të minoriteteve të jenë pjesë e pandarë në të gjitha fazat e këtij procesi.
Kryefjala e shqetësimit që ju shprehni është mungesa e transparencës. Madje edhe në takimin e përfaqësuesve të grupeve të minoriteteve që PBDNJ organizoi ky proces organizohej me zhvillimin e zgjedhjeve në Shqipëri. A do të thotë kjo se në rast se nuk do të jetë ajo transparencë që kërkoni, minoritetet nuk do t’i njohin këto statistika?
Është hipoteza më ogurzezë. Kur ekzistojnë premisat pas dy dekadash për realizimin e një procesi kaq të nevojshëm në një shoqëri dhe të kryhet në kushtet e mungesës së transparencës që mund të çojë në kontestim, atëherë do të krijojë shumë më tepër probleme se ato aktualet. Duhet të jemi të qartë se është një hap që po hidhet me vendosmëri, me transparencë absolute dhe me besueshmëri të plotë, dhe përbën zanafillën e një filozofie, dhe të një politike të re europiane në vendin tonë ose çdo gjë tjetër do të krijojë një pështjellim të përgjithshëm, i cili do të kërkojë shumë kohë që të na rikthejë në pozitat ku gjendemi sot. Rrjedhimisht duhet të mendohen mirë që kanë përgjegjësinë politike, por edhe administrative të këtij procesi.
Sa të përfaqësuar janë grupet e minoriteteve në administratën shtetërore?
Jemi për mbi një vit e gjysmë duke denoncuar sistematikisht së pari një politikë të gabuar. Përfshirja e pjesëtarëve të minoriteteve në administratë po bëhet me kritere partiake. Do të më thoni se çdo gjë kështu ndodh në vendin tonë. Por duhet të ndodhë ndryshe, pavarësisht nëse janë të majtë, të djathtë, votues të PDBNJ-së, të PD-së apo PS-së. Duhet që të ruhen raporte të caktuara përfaqësimi në të gjitha institucionet shtetërore. Sot numërohen me gishtërinj e një dore përfaqësuesit e minoritetit etnik grek në radhët e forcave të sigurisë, në trupin diplomatik, në drejtësi dhe në shumë sektorë të tjerë. Ju përmenda këto të cilat janë më të njohura dhe nga më treguesit.Vetëm pas zgjedhjeve të 28 qershorit janë mbi 160 ish-punonjës të administratës civile, me të drejtat që u garanton ligji për administratën civile, të cilët, siç u shpreh sekretari i Përgjithshëm i PBDNJ-së, Leonard Solis, në një deklaratë për shtyp, me vendime kolektive u larguan nga vendet e tyre të punës vetëm se nuk pranuan që bindjet e tyre politike t’i këmbenin me mbajtjen e postit në administratë. Këto nuk janë fenomene të një shteti të së drejtës. Këto janë fenomene tejet negative të një shteti partiak dhe të cilat duhet që të luftohen sistematikisht me konceptet, politikat dhe praktikat që mbështeten në këto politika.PBDNJ nuk pretendon që anëtarësia e saj të futet në administratën me kriter dhe pa kriter, por pretendon që pjesëtarët e minoriteteve të cilitdo ngjyrimi partiak të kenë akses në raporte të caktuara në të gjitha strukturat shtetërore dhe qeveritare sepse edhe ata janë taksapagues njësoj si pjesëtarët e tjerë të shoqërisë. Dhe cili është kuptimi më i thellë saj. Nuk mund të kesh një shoqëri kompakte, nuk mund të kesh një shoqëri e cila maksimalizon energjitë e veta që gjeneron dhe ne kemi nevojë për këto energji në proceset që jemi integruese nëse gjithsecili nuk ndihet i barabartë në shanset, në mundësitë dhe në perspektivat sikurse ndihet i barabartë në përgjegjësinë e tij për të qenë taksapagues në shkallën e të ardhurave të veta. Është kaq i thjeshtë ekuacioni, por që politikat e mbrapshta e pengojnë atë në zbatimin praktik.
Regjistrimi mbi grupet etnike, zbardhet varianti përfundimtar
Pika më e nxehtë e pyetësorit të regjistrimit të popullsisë që lidhet me përkatësinë etnike ka marrë tashmë variantin përfundimtar.Pas tre etapash të ndryshme, Instituti i Statistikave ka tashmë gati pyetjen më të diskutuar të formularit, pika nëntë e saj, që i drejtohet çdo individi se cilit grup etnik i përket. Në disa dokumente qe kane dale kohet e fundit, janë të paraqitura të tre variantet, që nga diskutimi i parë me grupet e interesit, testimi në pilotin e regjistrimi dhe mvarianti përfundimtar që u vendos pas diskutimeve në mbledhjen e fundit me grupet e interesit. Megjithëse është një pyetje me deklarim të lirë dhe jo të detyrueshëm, në qarqet mediatike dhe shoqërore është shoqëruar me shumë debate. Për të shmangur pakënaqësitë në shtresa të ndryshme shoqërore, Instituti I Statistikave do t’u nisë evoluimin e pikës së nëntë të pyetësorit për popullsinë të gjitha shoqatave, grupeve etnike të ndryshme, por edhe ato kulturore. Ky material ka për qëllim të tregojë se si ka qenë pyetja fillestare, si është bërë në projektin pilot dhe si është bërë në diskutimin me tavolinën e rrumbullakët më 15 nëntor. Gjithashtu, INSTAT do të kërkojë mendimin përfundimtar pasi është në përgatitje varianti final i pyetësorit dhe nuk ka më kohë. Ndonëse grupet e minoriteteve janë ankuar për mungesën e transparencës ndaj këtij procesi, drejtoresha e Statistikave Sociale në INSTAT, Emira Galanxhi, ka hedhur poshtë këto zëra. Në mbledhjen e tryezës me temë “Minoritetet dhe regjistrimi i përgjithshëm i popullsisë 2011″, demografia Galanxhi, e cila ka marrë pjesënë tre regjistrime të fundit të Shqipërisë, por edhe në regjistrime të tjera në rajon, sqaroi se INSTAT vetëm me bashkësitë dhe organizatat e ndryshme të grupeve etnike kanë bërë tre tavolina të rrumbullakëta, një në marsin e vitit 2010, një tjetër pasi kryen pilotin në maj dhe një tjetër me 15 nëntor. Ajo theksoi se kjo pyetje e cila është vërtetë e rëndësishme për grupet etnike ndërruar disa herë gjatë tavolinave të rrumbullakëta që janë bërë. “Në pilotin e majit ne kishim marrë dhe disa zone ku mendonim ne që grupet etnike mund të ishin përfaqësuese në këto zona. Një ka qenë në fshatin Sofratik, një ka qenë në Liqenas dhe 2 ose 3 zona të komunitetit rom në Tiranë, përveç zona të tjera. Ajo që ne kemi bërë është se anketuesit i kemi marrë nga zona. Pra, kanë qenë nga përfaqësues të grupeve etnike”, – sqaroi ekspertja e regjistrimit. Demografja Galanxi solli në vëmendje se regjistrimi u bë me intervistë ballë për ballë, ata e kishin të detyruar që në momentin do të raportin ose do të regjistronin përkatësinë etnike duhej që personi që përgjigjet ta shikonte se çfarë po shkruante dhe jo ta mbante fshehur. “Popullsia e këtyre zonave iu përgjigj shumë drejt pilotit, ne nuk patëm absolutisht asnjë lloj problemi për të sjellë këtë gjë, pavarësisht se kjo është një pyetje e cila vërtetë rekomandimet e EUROSTAT janë të rekomanduara, kjo është një pyetje që nuk është e detyrueshme”, sqaroi drejtoresha e Statistikave Sociale në INSTAT. Regjistrimi I popullsisë dhe banesave pritet të nisë në prill të vitit 2011, regjistrim i cili do të shërbejë për ngritjen e një politike më të qartë nga ana e strukturave shtetërore për popullin shqiptar.