“Ka frikë se mos e BRAKTIS Franca dhe erdhi të gjejë mbështetje në Shqipëri”, Goxhaj shpjegon arsyen e vizitës së Dendias: Po bëhen shpime në det, në jug të vendit

Ministri i Mbrojtjes i Greqisë, Nikos Dendias, zhvilloi sot një vizitë zyrtare në Tiranë, ku u takua me kryeministrin Edi Rama, homologun shqiptar Ermal Nufi dhe kryepeshkopin Imzot Joan. Takimet e tij kanë marrë vëmendje të veçantë në mediat greke, të cilat e kanë paraqitur vizitën si një lëvizje me peshë politike dhe gjeostrategjike, jo thjesht rutinë diplomatike.
Analisti Goxhaj për Euronews Albania foli për mburojën e Akilit e cila sipas tij ka te bëjë me një sistem të ri ku do të përdoren të gjitha mënyrat e mbrojtjes raketore apo drone që do të përdoren kundër Turqisë.
“Në këtë mbrojtjen 360 gradë që i duhet Greqisë ai përcaktoi dy pika kryesore të cilat janë autonomia energjetike dhe autonomia ushtarake.
Duke qenë se Turqia po e zgjeron detin e saj, por nuk mund të bëjë shpime detare, i vetmi vend ku Greqi aktualisht po bën shpim detar sipas disa të dhënave është në territorin në jug të Shqipërisë, në atë zonën që nuk është ndarë ende. Kjo i jep autonomi strategjike energjike Greqisë, në bazë të së cilës po ndërton thembrën me Akili.
Greqia pavarësisht se ka një marrëveshje mbrojtje me Francë, grekët kanë filluar të kuptojnë që mund të mos funksionojnë me vonë, duke qenë se Turqia në të njëjtën kohe që po bën këtë ligjin mbajti një stërvitje të madhe ushtarake dhe ftoi në këtë edhe Francën edhe Libinë edhe Egjiptin edhe Sirinë nuk ftoi Greqinë, dhe Franca mori pjesë në këtë stërvitje ushtarake madhe bëri edhe marrëveshje me një kompani turke për prodhimin e dronëve.
Kjo është parë nga Greqia si rrezik se në të ardhmen mund të abandonojë. Prandaj vijnë këto vizita.”- tha analisti Goxhaj.
Kujtojmë se në një postim në rrjetet sociale, Dendias tha se gjatë takimit me kryeministrin Rama u diskutua situata gjeopolitike në rajon, ndërsa ai vetë solli në vëmendje çështjen e Himarës, duke e cilësuar pakicën greke si një “urë miqësie” mes dy vendeve. Ndërkohë, në bisedën me ministrin e Mbrojtjes Ermal Nufi, palët ranë dakord për mbledhjen e menjëhershme të komitetit të përbashkët të ekspertëve mbi varrezat ushtarake, një temë e ndjeshme për marrëdhëniet bilaterale.
Mediat greke e kanë interpretuar vizitën si pjesë të rolit të ri që Athina po kërkon në rajon, duke u pozicionuar si një aleat i besueshëm i Shteteve të Bashkuara dhe i BE-së, sidomos pas angazhimeve të saj në krizën e Ukrainës dhe Lindjen e Mesme. Në këtë kontekst, marrëdhëniet me Shqipërinë shihen jo vetëm në nivelin e Tiranës zyrtare, por edhe në raport me gjithë faktorët shqiptarë në Ballkan.
Çështja e Himarës dhe fenomeni Beleri vijojnë mbeten tema të hapura, të cilat kanë krijuar tensione mes dy vendeve. Megjithatë, vizita e Dendias duket se ka sjellë një frymë bashkëpunimi, duke u fokusuar në çështje konkrete si varrezat ushtarake dhe perspektiva e marrëdhënieve strategjike.