‘S’duam shpërblim, ai u takon kolegëve në vijën e parë të luftës’, Manastirliu: Falenderime për mjekët e Lezhës, shembull frymëzues…

Ditët e fundit ka gjeneruar një debat publik në lidhje me shpërblimet nga 500-1000 euro që kryeministri Rama premtoi për mjekët në vijën e parë të luftës ndaj covid-19.
Personeli mjekësor në spitalin Rajonal të Lezhës ka marrë një shpërblim prej 50 mijë lekësh të vjetra, por ka deklaruar se nuk do ta pranojë, por do ta japë për familjet në nevojë. Ky gjest është keqinterpretuar nga disa zëra të cilët e kanë konsideruar si refuzim, me idenë se mjekët dhe infermierët në Lezhë kërkonin 1000 euro.
Sot ata kanë firmosur një deklaratë ku bëjnë me dije se nuk e duan shpërblimin 1000 euro, pasi ai u takon kolegëve të tyre në vijën e parë të luftës ndaj koronavirusit.
Në lidhje me këtë ka reaguar ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu. Me anë të një shënimi në facebook, Manastirliu ka falenderuar stafin mjekësor të spitalit Rajonal të Lezhës, duke i konsideruar të gjithë mjekët në mbarë vendin, si shembull frymëzues i përkushtimit dhe profesionalizmit.
Postimi i plotë i Manastirliut
Kam veç fjalë falënderimi për të gjithë personelin mjekësor dhe infermieror të Spitalit të Lezhës.
Ashtu sikurse dua të shpreh mirënjohje të thellë për ekipet tona shëndetësore në të gjithë vendin.
Gjithësekush prej tyre, është një shembull frymëzues i përkushtimit dhe profesionalizmit, në shërbim të qytetarëve, edhe në këto ditë të vështira.
Pavarësisht spekulimeve, ne do të flasim vetëm me PUNË!