Incident në ajër, avioni devijon fluturimin, pasagjeri i kafshon një prej anëtarëve të ekuipazhit (PAMJE)

Një incident i pazakontë ka ndodhur në bordin e një avioni të linjës ajrore australiane Qantas, duke detyruar ekuipazhin të devijojë fluturimin me destinacion Shtetet e Bashkuara të Amerikës drejt Tahitit.
Sipas raportimeve të mediave australiane, avioni i kompanisë, i cili ishte nisur nga Melbourne drejt Dallasit të premten, u detyrua të kryente një ulje emergjente në Papeete, në Polinezinë Franceze, pas sjelljes së dhunshme të një pasagjeri në bord.
Mediat lokale, përfshirë transmetuesin kombëtar australian Australian Broadcasting Corporation, raportuan se pasagjeri kishte kafshuar një anëtar të ekuipazhi.
Burri u neutralizua me ndihmën e pasagjerëve të tjerë në bord, ndërsa pas uljes së avionit në Tahiti, ai u mor në paraburgim nga autoritetet lokale. Po ashtu, kompania ajrore i ka ndaluar atij udhëtimin në të gjitha fluturimet e saj në të ardhmen.
Në një reagim për AFP, një zëdhënës i Qantas theksoi se siguria e pasagjerëve dhe ekuipazhit mbetet prioritet absolut për kompaninë.
“Siguria e klientëve dhe ekuipazhit tonë është përparësia jonë kryesore dhe ne kemi tolerancë zero ndaj sjelljeve shqetësuese apo kërcënuese në fluturimet tona”, deklaroi ai.