“Hap i rëndësishëm drejt BE-së”, Frrok Çupi: Mazhoranca dhe opozita miratojnë rezolutën e kërkuar nga Brukseli

Partitë kryesore politike në vend, socialistët dhe demokratët, kanë rënë dakord për një rezolutë të rëndësishme që kërkoi Bashkimi Europian. Ky vendim i përbashkët në Parlament shihet si një hap pozitiv për integrimin europian dhe përmbushjen e kritereve që BE ka vendosur për Shqipërinë.
Analisti Frrok Çupi e komentoi këtë vendim si një dëshmi të ritmit të avancuar të Shqipërisë drejt BE-së.
“Fakti që Europa kërkoi rezolutë parlamentare në Shqipëri do të thotë që kërkohet dhe ky hap sepse e pyet popullin shqiptar. Parlamenti e tha, u plotësua ky kriter, që është dëshmi e një ritmi dhe një hapi të rëndësishëm. Do të thotë që pastaj është hapi ndër më të fundit; Shqipërisë nuk i bëhet më asnjë pyetje për Bashkimin Europian, edhe kjo gjë u zgjidh, mund të ishte një proces me defekte të mëdha, disa ishin grindur në parlament dhe s’do kishin votuar.” u shpreh ai.
Çupi shtoi se opozita, me këtë votim, ka fituar të drejtën për të folur lirisht, por ka humbur disa “karta politike” që përdorte në diskursin ndërkombëtar.
“Opozita sot, siç fitoi disa karta edhe fitoi, humbi kartën për të thënë që nuk duan BE, humbi kartën për të thënë në Bruksel që Shqipëria është narkoshtet, por fitoi kartën për të folur në mënyrë të lirë. Është kartë e rëndësishme për kriteret e IBAR, është një arsyetim i madh i gjithë demokracisë.” tha ai.
Sipas tij ky është një sinjal i qartë se Shqipëria ka mbyllur një kapitull të rëndësishëm në rrugën e saj drejt Bashkimit Europian, duke treguar konsensus politik mbi çështjet strategjike të integrimit.