Analizë/ A e zgjidhin krizën e sistemit zgjedhor propozimet e Partisë Demokratike?

Që prej uljes në tryezë të palëve për hartimin dhe miratimin e reformës zgjedhore, të vënë si kusht edhe nga shtetet antaretë BE për hapjen e negociatave, palët kanë parashtruar edhe disa propozime.
Propozimet më të shpeshta duhet thënë kanë ardhur nga Partia Demokratike e cila përfaqësohet në tryezë nga juristi dhe ish deputeti, Oert Bylykbashi. Një ndër problemet më të mëdha dhe më të adresuara në gjithë këto vite, të paktën që nga ndryshimi i fundit i sistemit zgjedhor në vitin 2008 ka qenë dhe mbetet formula zgjedhore që përdoret për të votuar.
Në mënyrë unanime aktorë të ndryshëm nga shoqëria civile por edhe opinioni publik në tërësi ka kërkuar një sistem zgjedhor, pra një formulë që t’u mundësojë votuesve që të zgjedhin direkt përfaqësuesit e tyre në parlament. Kjo duhet thënë ndryshe nga sa funksionon sistemi aktual zgjedhor që kemi, pra ai proporcional shumëemëror me lista të mbyllura.
Por akoma nuk i është dhënë një zgjidhje kunfuzionit përsa i përket llojit të sistemit zgjedhor që duan palët. Kjo sepse të paktën propozimi i shoqërisë civile, por edhe opozitës parlamentare është që të kemi një sistem zgjedhor proporcional me lista të hapura. Propozim për të cilin akoma nuk është shprehur në mënyrë përfundimtare asnjëra prej dy partive kryesore.
Ndërkohë duhet thënë që ditët e fundit përfaqësuesit e Partisë Demokratike në tryezën zgjedhore kanë dhënë edhe disa propozime për reformimin e sistemit zgjedhor. Ndër të tjera ata kanë kërkuar që të kontrollohen paratë e dhuruara partive, dhe që 50% të buxhetit të partive t’i jepet nga buxheti i shtetit.
Kujtojmë këtu se në fillim Partia Demokratike kërkonte që funancimi i partive nga buxheti i shtetit të ishte në masën 100%, ndërsa më pas u shpreh që kjo masë të shkonte në 50%.
Ndërsa përsa i përket financimit nga paratë e bizneseve private, Partia Demokratike, ka propozuar një mekanizëm kontrolli për ta në mënyrë që të shkëputet çdo lidhje e mundshme e partive politike me interesat që mund të kenë persona privat. Kështu të paktën janë shprehur përfaqësuesit e Partisë Demokratike.
Gjithashtu ndër propozimet e tyre, përfaqësuesit e PD-së kanë listuar edhe atë që e kanë quajtur si “qeveri kujdestare”. Kjo në fakt një kërkesë që deri më tani nuk është dakordësuar nga të gjitha palët në tryezë. Po përveç kësaj janë bërë edhe disa propozime të tjera teknike.
Por megjithatë pyetja që shtrohet është: A japin garanci këto propozime për të pasur një sistem më të mirë politik?
Ajo në fakt që sjell rregullimin e sistemit politik, rrit llogaridhënien ndaj qytetarëve dhe premton më shumë përgjegjësi në qeveri të nesërmen përtej ndryshimeve teknike është përgjegjshmëria e politikanëve dhe kërkes-llogaria e qytetarëve. Ky është i vetmi binom që mund ta sjellë sistemin në binarë.
Është vërtetuar me dhjetëra herë tashmë se ndryshimet ligjore dhe teknikalitetet nuk janë gjë tjetër veçse mekanizma që kur mungon vullneti mund të mos zbatohen. Pra njëjtë siç ka ndodhur me shumë ndryshime ligjore, ligje, akte e kode të tjera që kemi.
Pra vetëm ndërgjegjësimi i mëtejshëm i partive politike që të luftojnë në një terren me rregulla të barabarta, dhe nga ana tjetër vetëm atëherë kur qytetarët të jenë të përgjegjshëm për përfaqësuesin që votojnë sistemi politik do të ndryshojë.