“Drita e tualetit nuk punonte, as zilja e emergjencës”, Komiteti i Helsinkit kopsit raportin për Ilir Metën: Nuk e nxjerrin në ajrim, qelinë s’ja pastrojnë, i kanë bërë “skemë” për takimet me familjen

Ish-presidenti Ilir Meta ka publikuar raportin e plotë të Komitetit Shqiptar të Helsinkit, i cili ditë më parë dërgoi një përfaqësues në qelinë ku ndodhet i akomoduar Meta, në burgun “Jordan Misja” në Tiranë.
Ai është shterues dhe konstaton shkelje flagrante të të drejtave themelore, njerëzore dhe politike të Ilir Metës në paraburgim, duke evidentuar standardet çnjerëzore të trajtimit në qeli.
Ish-presidenti i Republikës thotë se paraburgimi i tij është shndërruar nga kryeministri Edi Rama në instrument ndëshkimi dhe persekutimi njerëzor dhe politik ndaj tij. Ilir Meta kërkon marrjen e masave të menjëhershme.
Gjatë monitorimit në qelinë e Ilir Metës është konstatuar se drita e tualetit ishte djegur prej kohësh dhe se askush nuk përpiqej ta rregullonte. I njëjti shqetësim u ngrit edhe për zilen e emergjencës. Ky fakt u konfirmua dhe nga vëzhguesi i KSHH gjatë misionit të monitorimit.
Gjithashtu, nga gjetjet e monitorimit dhe këqyrja e librit të hyrje-daljeve për periudhën 06-09 Prill 2026, ka rezultuar se kohëzgjatja e ajrimit të Ilir Metës ka qenë më pak se 2 orë, duke variuar nga 40 deri në 90 minuta në ditë.
Ky fakt bie ndesh me pikën 1 të nenit 37′ të ligjit nr. 81/2020 “Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të paraburgosurve” i cili garanton jo më pak se 2 orë ajrim në ditë. KShH rekomandon marrjen e masave të menjëhershme për respektimin e kohës ligjore të ajrimit dhe trajtim të barabartë me të paraburgosurit e tjerë.
Ilir Meta është ankuar se takimet me përfaqësues të partisë politike që ai drejton dhe me deputetët e Kuvendit të RSH llogariten si takime familjare, duke i kufizuar numrin total të takimeve të lejuara së paku 4 herë në muaj. Sikurse e ka evidentuar edhe në korrespondenca të mëhershme, KShH vlerëson se ky kufizim përbën shkelje të nenit 51 të ligjit nr. 81/2020, i cili parashikon se deputetët kanë të drejtë të hyjnë në institucion pa autorizim paraprak dhe pa asnjë kufizim të shprehur në numër takimesh.
Duke konsumuar “kuotën’ e takimeve me subjekte politike, i paraburgosuri privohet de-facto nga kontakti me familjen, situatë kjo që sjell cënim të detyrimeve që burojnë nga nenet 49 dhe 49 të Ligjit nr.81/2020, si dhe dobëson efektivisht lidhjet e të paraburgosurit në kontakte fizike të rregullta me familjarët e tij.
Gjetjet i janë përcjellë Gentian lilës, drejtor i Burgut Jordan Misja, Adriatik Kupit si drejtor i Përgjithshëm i Burgjeve, dhe Toni Gogut, si ministër i Drejtësisë i Shqipërisë. Raporti mban firmën e drejtueses së KSHH-së, Erida Skëndaj.
Çfarë thotë Komiteti Shqiptar i Helsinkit për burgosjen e Ilir Metës
Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KShH) në përmbushje të misionit për mbrojtjen e të drejtave themelore të njeriut ka ndërmarrë një mision verifikimi për ankesën e shtetasit z. Ilir Meta, ish-President i Republikës së Shqipërisë, i cili ndodhet i paraburgosur në IEVP “Jordan Misja”.
Metodologjia për verifikimin e ankesës përfshiu bashkëbisedimin me z. Ilir Meta, duke vijuar më pas me takime me Nën-drejtorin, Përgjegjësin e Sektorit Juridik dhe Përgjegjësin e Sektorit të Kujdesit Social të IEVP-së. Në përfundim të këtij misioni monitorimi, KShH vlerëson të ndajë me ju disa gjetje dhe rekomandimet vijuese:
Gjatë monitorimit, z.Meta referoi se drita e tualetit ishte djegur prej kohësh dhe se askush nuk përpiqej ta rregullonte. I njëjti shqetësim u ngrit edhe për zilen e emergjencës. Ky fakt u konfirmua dhe nga vëzhguesi i KSHH gjatë misionit të monitorimit.
KSHH vlerëson se mungesa e dritës në tualetin e qelisë bie ndesh me kërkesën e Nenit 33/1, të ligjit nr.81/2020 “Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të paraburgosurve”, sipas të cilës, mjediset e qëndrimit (ku përfshihet edhe tualeti si pjesë integrale e qelisë) duhet të plotësojnë kërkesat higjieno-sanitare dhe kushtet e përshtatshme të ndriçimit dhe ajrimit, duke respektuar dinjitetin njerëzor të shtetasit të privuar nga liria. Gjithashtu, kjo situatë është në cenim të parashikimeve të nenit 20, pika 1, gërma “c” të Rregullores së Përgjithshme të Burgjeve. Mungesa e ndriçimit në këtë hapësirë cenon standardet minimale të higjienës dhe përdorimit normal të saj, duke krijuar kushte të papërshtatshme që cenojnë dinjitetin njerëzor.
Lidhur me zilen e emergjencës, gjatë komunikimeve me Nën-drejtorin u referua se ky sistem nuk ka qenë ndonjëherë funksional në IEVP. KShH vlerëson se mosfunksionimi i këtij sistemi cenon garancitë infrastrukturore në rastet e emergjencës, pasi është konceptuar për t’i ardhur në ndihmë shtetasve që mund të kenë probleme shëndetësore apo problematika të tjera që mund të cenojnë jetën dhe sigurinë e tyre.
Z. Meta referoi se trajtohet në mënyrë diferencuese, duke mos u lejuar të dalë në ajrim dy herë në ditë si pjesa tjetër e të burgosurve, si dhe duke qëndruar në mjedise të hapura më pak se dy orë në ditë. Kjo ankesë u verifikua nga gjetjet e monitorimit dhe këqyrja e librit të hyrje-daljeve për periudhën 06-09 Prill 2026, ku rezultoi se kohëzgjatja e ajrimit ka qenë më pak se 2 orë, duke variuar nga 40 deri në 90 minuta në ditë. Ky fakt bie ndesh me me pikën 1 të nenit 37′ të ligjit nr. 81/2020 “Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të paraburgosurve” i cili garanton jo më pak se 2 orë ajrim në ditë. KShH rekomandon marrjen e masave të menjëhershme për respektimin e kohës ligjore të ajrimit dhe trajtim të barabartë me të paraburgosurit e tjerë.
Z. Meta u ankua se takimet me përfaqësues të partisë politike që ai drejton dhe me deputetët e Kuvendit të RSH llogariten si takime familjare, duke i kufizuar numrin total të takimeve të lejuara së paku 4 herë në muaj. Sikurse e ka evidentuar edhe në korrespondenca të mëhershme, KShH vlerëson se ky kufizim përbën shkelje të nenit 51 të ligjit nr. 81/2020, i cili parashikon se deputetët kanë të drejtë të hyjnë në institucion pa autorizim paraprak dhe pa asnjë kufizim të shprehur në numër takimesh. Duke konsumuar “kuotën’ e takimeve me subjekte politike, i paraburgosuri privohet de-facto nga kontakti me familjen, situatë kjo që sjell cënim të detyrimeve që burojnë nga nenet 49 dhe 49 të Ligjit nr.81/2020, si dhe dobëson efektivisht lidhjet e të paraburgosurit në kontakte fizike të rregullta me familjarët e tij.
I paraburgosuri ankohet se i është ndaluar pjesëmarrja në lojërat e organizuara për disa muaj radhazi, duke u kufizuar vetëm në mundësinë e lojës së pingpongut, e cila praktikisht bëhet e pamundur për t’u zhvilluar rregullisht për shkak të procedurave të brendshme që kërkojnë miratim me shkrim nga të paraburgosurit e tjerë që duan ta luajnë këtë lojë, por që nuk kanë shprehur interes për të marrë pjesë në lojë me Z.Meta. Kjo situatë bën të pamundur pjesëmarrjen e të paraburgosurit në veprimtari sportive, si një nga format e ruajtjes dhe zhvillimit të aftësive fizike dhe psikike të tij, të garantuara në nenin 46/1 të të ligjit nr. 81/2020. KShH rekomandon që IEVP-ja të rishikojë dhe thjeshtojë procedurat e brendshme që lidhen me aksesin në aktivitetet sportive dhe ç’lodhëse, duke aplikuar forma të vazhdueshme të ndërgjegjësimit dhe inkurajimit të të paraburgosurve për të marrë pjesë në aktivitete sportive, duke zbutur pengesat administrative të panevojshme dhe duke garantuar akses real, të rregullt dhe jo diskriminues për të gjithë të paraburgosurit në këto aktivitete. Vlen të theksohet se në përputhje me standardet e Rregullat Evropiane të Burgjeve dhe praktikën e Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, autoritetet duhet të sigurojnë që çdo i paraburgosur të ketë mundësi efektive për aktivitet fizik të përditshëm dhe pjesëmarrje në veprimtari sportive të organizuara, si element thelbësor për mirëqenien fizike dhe psikologjike. Në çështjen Ananyev dhe të tjerë kundër Rusisë, GJEDNJ ka theksuar se mungesa e aktivitetit fizik të rregullt, sidomos kur kombinohet me kushte të tjera të papërshtatshme (mbipopullim, mungesë ajrimi, kufizime të tejzgjatura), mund të arrijë pragun e trajtimit degradues, duke sjellë cenim të nenit 3 të Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut.
Z. Meta referoi dhe një problematikë, e cila ka të bëjë me të gjithë institucionin dhe të paraburgosurit në tërësi, sikurse është mungesa e bibliotekës. Mungesa e një biblioteke është cenim të parashikimeve të pikës 2 të nenit 47 të ligjit nr. 81/2020 ku parashikohet se pranë çdo institucioni të ekzekutimit të vendimeve penale krijohet biblioteka me botime bashkëkohore dhe periodike. Ankuesi referon se si pasojë e mungesës së bibliotekës ai detyrohet që të marrë librat e tij nga shtëpia, por hyrja e tyre në institucion ndesh në vështirësi.
Z. Meta parashtroi se pastruesit e punësuar pranë institucionit nuk pastrojnë dhomën e tij dhe se e ka referuar disa herë si problematikë por nuk i është dhënë zgjidhje. Pavarësisht se sipas nenit 35, pika 1 të ligjit nr.81/2020 “Të burgosurit i sigurohen mjediset dhe pajisjet e nevojshme për garantimin e higjienës personale”, në pikën 2 të të njëjtës dispozitë parashikohet se “çdo institucion siguron shërbime periodike të mirëmbajtjes dhe pastrimit të mjediseve, të veshmbathjes, të pajisjeve vetjake, si dhe të kujdesit personal”.
Z. Meta referoi se është ndaluar disa herë të takohej me median edhe pse ata janë pajisur me leje nga Prokuroria e Posaçme SPAK, konform parashikimeve të nenit 49, pika 32 të ligjit nr. 81/2020, i cili garanton të drejtën e të burgosurve për komunikim me median.
Gjatë monitorimit u konstatua se ç’regjistrimi i një numri telefoni nga lista e autorizuar e të paraburgosurit është kryer pa një akt administrativ formal, por me urdhër verbal të ish- drejtorit të kësaj IEVP. Kjo praktikë bie ndesh me pikën 4 të nenit 743 të Rregullores së Përgjithshme të Burgjeve dhe Urdhrin nr.4218, datë 113.05.2019 “Për administrimin e telefonatave që kryhen nga të dënuarit dhe të paraburgosurit në IEVP” të cilët garantojnë të drejtën për të përfshirë deri në 15 numra kontakti. KShH sugjeron që IEVP duhet të rikthejë numrin e ç’regjistruar në listën e kontakteve të të paraburgosurit dhe të ndërpresë praktikën e kufizimit të të drejtave përmes urdhrave verbale dhe të pambështetur në legjislacion. Çdo kufizim i mëtejshëm i komunikimit duhet të bëhet vetëm mbi bazën e vendimit të prokurorit ose gjykatës, siç parashikon neni 74/4 e Rregullores së Burgjeve.
Në vijimësi të monitorimit u konstatua se i paraburgosuri Ilir Metaj nuk është njoftuar lidhur me Vendimin nr. 2375/2, datë 08.07.2025, për dhënien e masës disiplinore “Përjashtim nga veprimtaritë e përbashkëta” për 14 ditë. Administrata e IEVP-së e justifikon mungesën e njoftimit me faktin se shtetasi kishte refuzuar të merrte pjesë në mbledhjen e komisionit disiplinor, duke e interpretuar këtë si një heqje dorë të nënkuptuar nga e drejta për njoftim. Kjo praktikë bie ndesh me pikën 6 të nenit 66 të Ligjit nr. 81/2020, i cili detyron institucionin që vendimi i arsyetuar t’i njoftohet të burgosurit me qëllim që t’i garantohet e drejta për ankimim. Ky detyrim nuk është i kushtëzuar nga mos pjesëmarrja e të paraburgosurit në procedurën disiplinore dhe për rrjedhojë çdo interpretim i kundërt është ekstra-ligjor.
KShH në kuadër të bashkëpunimit të vazhdueshëm me Institucionet e Ekzekutimit të Vendimeve Penale, Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve dhe Ministrinë e Drejtësisë do të vlerësonte kryerjen e verifikimeve të mëtejshme për çështjet e ngritura në këtë shkresë si dhe informimin mbi masat e marra për adresimin e këtyre rekomandimeve.