Noli i shkruan Ismail Qemalit: Jam në shërbimin tënd (ekskluzive)

  • Nasho Jorgaqi, shkrimtar e studiues rrëfen letërkëmbimin e rrallë mes burrave të shquar të kombit

Leonard Veizi  
– Pak muzikë dhome, dalë nga një piano akustike dhe atmosfera do të ndryshonte krejt. Tingujt e magjishëm do të pushtonin apartamentin luksoz të ministrit fuqiplotë, e për më tej sallën e madhe ku meshkujt që përfaqësonin shtete me peshë, pritej të merrnin vendime të pakthyeshme. Ai do të luante veç ca nota mbi tastierë, por llogaria nuk do t’i gabonte asnjë cent. “Intriga” e thurur mjeshtërisht do të shkonte deri në zemër të demonit dhe në fund të simfonisë një “sir” anglez do të kishte dëshirë të mësonte dhe dy fjalë shqip… …Ata u nisën veç e veç nga diaspora e largët tej Atlantikut, njëri përfaqësonte bashkësinë e shqiptarëve të Amerikës, tjetri kishte marrë përkrahjen e pakursyer të kishës ku bënte pjesë prej vitesh. Qëllimi ishte një dhe i vetëm, të ndihmonin lëvizjen për pavarësi. Në Vlorë 40 burra përfaqësues të të gjitha krahinave sapo kishin firmuar për ndarjen përfundimtare nga Perandoria Osmane, ndërsa njëri prej tyre kishte ngritur dhe flamurin kuq e zi. E megjithëse lajmi ishte dhënë nga të gjitha agjencitë, asgjë s’merrte fund këtu. Lufta sapo kishte nisur. Ajo diplomatike ishte edhe më e ashpër se fronti në kufi. Prania e Fan Nolit dhe Faik Konicës në Londrën politike herë herë do të merrte më shumë peshë se vetë delegacioni i ardhur nga Vlora, i cili në fakt nuk njihej zyrtarisht nga ambasadorët e Evropës tendencioze. Nasho Jorgaqi, shkrimtar e studiues i njohur, në këtë intervistë për lexuesit e “Shekullit” rrëfen letërkëmbimin e rrallë të Fan Nolit me Ismail Qemalin, pikërisht në ditët kur po merreshin vendimet e mëdha në metropolin politik të Europës, të njihej Shqipëria si shtet i pavarur apo tokat e saj të ndaheshin mes fqinjëve inatçor.

Ç’përfaqësojnë figurat e Ismail Qemalit dhe Fan Nolit në luftën për pavarësi?
 Padyshim që Ismail Qemali dhe Fan Noli janë dy personalitete të shquara të historisë sonë kombëtare. Ata i takojnë dy brezave të ndryshëm. Ismail Qemali i përket brezit të parë të Rilindjes, ata që përgatitën lëvizjen kombëtare ndërsa Fan Noli i takon brezit të fundit të Rilindjes me të cilët u kurorëzuan përpjekjet për shpalljen e pavarësisë. Me sa di unë ata nuk janë takuar asnjëherë. Komunikimi i tyre ka qenë gjithnjë në distancë, dhe kjo për hir të së vërtetës ka ndodhur vetëm një herë, dhe pikërisht në kohën e shpalljes së pavarësisë.

Cilat ishin rrethanat konkrete? 
Ky komunikim ndodhi në fund të nëntorit dhe gjatë dhjetorit 1912. Dihet se viti 1912 për Shqipërinë, dhe natyrisht për Ismail Qemalin dhe për Fan Nolin, ka qenë i ngarkuar me ngjarje të shumta, të vështira dhe përcaktuese për të ardhmen. Në këtë vit u zhvilluan kryengritjet shqiptare kuvende historike, lufta ballkanike, u themelua Federata e parë shqiptare Vatra etj. Këto janë rrethanat që sollën njohjet dhe kontaktet në distancë mes Ismail Qemalit dhe Fan Nolit. Ata të dy jetonin dhe punonin në dy kontinente të largëta me njëri-tjetrin. Duke pasur në qendër të veprimtarisë së tyre, mbi të gjitha kauzën e lirisë dhe të pavarësisë së Shqipërisë, shqiptarët e Amerikës dhe liderët e tyre, pra Noli dhe Konica, nuk e mendonin se liria e saj do të ishte aq afër. Por ja që ngjarjet falë mençurisë, urtësisë, largpamësisë dhe përvojës diplomatike të Ismail Qemalit precipituan shpejt. Fakti është që në vjeshtën e vitit 1912, Vatra vendosi të dërgojë një delegatë në Europë. Dhe me këtë detyrë nuk ngarkoi Nolin, por Konicën. Noli atëherë zgjodhi një rrugë tjetër për të shkuar edhe ai në Europë. Iu drejtua kishës dhe ata e përkrahën duke e mbështetur materialisht, për të shkuar në Londër, metropolin e politikës botërore të kohës. Kështu Noli u nis më 27 nëntor me një nga vaporët transatlantikë të kohës, pa e ditur se çfarë po ndodhte në atdheun e tij. Pra, ngjarja e madhe e pavarësisë e zu në rrugë e sipër, dhe vetëm kur zbriti në Londër e lexoi në gazetën “Daily Telegraph”, atëherë mori vesh nga korrespondenca që botonte ajo “mbi ceremoninë e proklamimit të indipendencës”, se ishte shpallur në Vlorë pavarësia e Shqipërisë.

Si do të vepronte Noli pasi mori vesh këtë lajm?
Ky lajm e emocionoi aq shumë, sa që siç thotë dhe vetë “derdhi lot gëzimi”. Dhe menjëherë, pa asnjë mëdyshje i nisi një telegram urimi Ismail Qemalit, kryetarit të qeverisë së përkohshme me fjalët: “Ju përgëzoj për veprimin tuaj patriotik. Rroftë Shqipëria! Rroftë kabineti i ri!”. Në këto ditë vendimtare ishte Noli i pari që kishte arritur nga diaspora në qendrën e diplomacisë botërore. Faik Konica akoma nuk kishte ardhur. Kjo do të ndodhte në dhjetor kur do të vinte te delegacioni zyrtar i qeverisë së Vlorës. Noli i vetëm, por i vendosur, pa pritur urdhra filloi nga puna. Merr nisma të guximshme dhe hidhet në veprime konkrete. Gjëja e parë që bën, shkon nëpër ambasadat e huaja që ndodheshin në Londër. Në fillim në ambasadat e fuqive mike të Shqipërisë, pastaj në ato të fuqive kundërshtare ku do të shpjegojë se “Shqipëria e lirë është nevojë absolute për një paqe në Ballkan”. Jo vetëm kaq, por Noli guxon të shkojë në Foreign Office, ku u prit nga zoti Norman, funksionari i lartë i saj, të cilit i kërkoi ndihmën angleze për kauzën e atdheut të tij. Dhe merr premtimin se do t’i raportohej ky takim ministrit të punëve të jashtme, Sir.Grey-it. Ndërkaq, Noli, lidhet me qarqet gazetareske të kryeqytetit ku për hir të së vërtetës i hapen dyert e redaksive dhe pritet krahëhapur. Ai krijoi përshtypjen se anglezët përgjithësisht “nuk i duan serbët e grekët, dhe se simpatia e tyre është nga ana e shqiptarëve”, pasi ata janë raca “e hijshme dhe fisnike”. Frekuenton klubin Royal Sociates Club,  ku mblidhen gazetarët. Gjen mirëkuptim dhe mundësi bashkëpunimi me gazetat e njohura “The Daily Graphic”, “Evening News”, “Times” dhe “Catolic Word”, etj. Është shumë interesant që Noli brenda një kohe të shkurtër miqësohet me gazetarët e njohur për frymën e tyre evropiane, si L.Wolf dhe Z.H.C.VVoods, të cilët i quan kampionët e çështjes shqiptare në fushën e gazetarisë londineze, dhe kjo, për artikujt e tyre shqiptaro-file të cilët hedhin dritë mbi të vërtetën shqiptare në mjegullën e shpifjeve dhe të demagogjisë që lëshonin në qarkullim armiqtë e Shqipërisë. Nga ana tjetër, Noli duke qenë gazetar me përvojë, shfrytëzon çdo mundësi dhe shkruan e boton artikuj në organe të ndryshme. Kështu do të botonte në “The Daily Telegraph” artikullin: “Dëshirat e Shqipërisë dhe pse?”, në të cilën i jep opinionit të huaj një tablo të qartë të gjendjes të vendit të tij dhe të drejtën e shqiptarëve për liri dhe pavarësi. Ai mbështet Ismail Qemalin, politikën paqësore të sapo shpallur prej tij duke iu kundërvënë synimeve dhe përpjekjeve antishqiptare të shteteve ballkanike. Ai thotë që “Shqiptarët jo vetëm nuk janë indianët e bardhë të Europës, pa ndjenja kombëtare e aftësi qeveri-formuese”, por duke iu drejtuar shkencëtarëve europianë pohon se ata janë raca më e mirë e Ballkanit. Veç të tjerash, ai sjell dhe vargjet lavdëruese të Bajronit për shqiptarët. Përveç artikujve, ai harton dhe dy memorandume drejtuar ministrisë së jashtme të Britanisë, apo një tjetër që ia çon Komitetit Ballkanik të Londrës.

Me sa di unë, Noli ka qëndruar atje afro tre muaj?
Po, është e vërtetë. Noli do të ishte dëshmitar, por edhe pjesëtar i asaj çete të vogël shqiptarësh që luftonin ato ditë në qiellin e vrenjtur të Londrës për kauzën e atdheut. Ai për gjithë veprimtarinë e tij, vë në dijeni Vatrën dhe Komisionin Kishtar dhe i i njofton se do ta zgjasë qëndrimin, pasi kanë arritur delegatët e qeverisë provizore të Shqipërisë, dhe me porosi të Ismail Qemalit i kanë kërkuar të qëndrojë si këshilltar i tyre derisa të përcaktohen kufijtë e shtetit shqiptar. Në ditët që vijnë, Noli bashkëpunon për krijimin e komitetit shqiptarofil “Albania Comitet”, me kryetar diplomatin Orbi Herbert, një shqiptaro-fil dhe anëtar Edith Durham, Fan Noli, Faik Konica etj. Ky forum joqeveritar, nisi të punojë dhe lobojë për të qartësuar dhe sensibilizuar opinionin britanik lidhur me çështjen shqiptare e për të nxjerrë në dritë mizoritë greke e serbe. Sipas kujtimeve të O.Herbertit, delegatët shqiptarë që kishin ardhur në Angli, kishin lënë përshtypje të shkëlqyera. Qendra e tyre ishte bërë restoranti i shqiptarit Ton Preka, të cilin e frekuentonin Noli me shokët e tij.
Më 17 dhjetor 1912, u çel në Londër Konferenca e Ambasadorëve të Fuqive të Mëdha. Çështjet që ajo do të shqyrtonte ishin jetike sepse aty do të shqyrtohej njohja juridike e paravësisë dhe kufijtë etnikë të Shqipërisë. Merret me mend gjendja shpirtërore e Nolit. Por ai s’është më vetëm. Në Londër ka ardhur dhe Faik Konica dhe delegacioni i qeverisë së Vlorës, ndonëse pjesëmarrja e tij nuk është zyrtare.

Dy kërkesat që mbetën pa përgjigje
Gjatë intervistës së tij Nasho Jorgaqi  thotë se ka një dokument që flet për lidhjen e Nolit me Ismail Qemalin: Noli i shkroi nga Londra Ismail Qemalit një letër të gjatë duke iu drejtuar me fjalët: “Fort i nderçëm zot president i guvernës provizore të Shqipërisë”, ku i raporton për “përpjekjet e mia në metropojën e Inglisë”. Kështu ai i tregon për kontaktet që ka marrë me ambasadorët, për takimet në ministrinë e jashtme. E vë në dijeni për bashkëpunimin me shtypin londinez, etj. Noli i shprehet se është i gëzuar dhe i sigurt që përshtypjet e tij nga këto vizita qenë më të mira nga sa i priste. “Kudo që vajta, i gjeta dyert e hapura, ndonëse s’jam veç një delegat i ca punëtorëve të Amerikës”. I tregon se zoti Norman në Ministrinë e Punëve të Jashtme, “më priti e më përcolli me një fisnikëri e një buzëqeshje e cila më theshte: Më ndje që s’mund t’u thomë gjë prej gjëje të saktë. Por, mos kij frikë. Jemi miq të Shqipërisë dhe do përpiqemi ta çlirojmë”. Nga ana tjetër i raportonte se çka bërë e ka dëgjuar në zyrat e gazetave. Ai e njofton se “The Daily Telegraph” botoi një shkrim të gjatë për shpalljen e pavarësisë. Noli i shpreh besimin se: “Kabineti juaj do të ketë biseduar për nevojën e një delegati zyrtar të guvernës provizore të Shqipërisë në Londër”. Ai shpreson se është nisur “në mos është nisur, niseni menjëherë dhe më telegrafisni të dalë ta presë”. Është interesant se në letër Noli aludon se mos caktojnë atë delegat, kur shkruan: “Në mos keni njeri për të dërguar, ç’pres veç të më urdhëroni dhe do ta kem për nder dhe do t’ua di për mirë që t’i shërbej vendit tim në një luftë për jetë dhe vdekje. Në është nevoja, të duhem në Shqipëri, u lutem shumë, epmëni zë që të nisem menjëherë. Do të pres derisa të më urdhërojë guverna e atdheut seç udhë të marrë”. Ai e mbyll letrën me fjalët: “Duke përgëzuar nxehtësisht nderin tuaj dhe të gjithë zotërinjve të kabinetit të parë të Shqipërisë, veprën tuaj patriotike dhe historike, të shkëlqyer, thërras: Rroftë Shqipëria! Rroftë Kabineti i saj i Parë! Dhe mbetem shërbëtori juaj! Fan S.Noli.

Noli zbarkon në Vlorë, asnjë pritje zyrtare
Për fat të keq, dëshira e Nolit për të qenë delegat zyrtar i qeverisë së Vlorës në Londër nuk u realizua. Studjuesi Nasho Jorgaqi thotë se, duke marrë parasysh rrethanat e vështira të kohës, ky qëndrim mund të përligjet. Por duket se qeveria e Vlorës e ka thelluar edhe më tej hendekun me të, duke mos i bërë asnjë ftesë edhe pse Fan Noli punoi fort për ta bërë të njohur këtë qeveri në qarqet e politikës evropiane. Duke sqaruar këtë çast delikat, studiuesi i njohur Nasho Jorgaqi thotë: “Ky është një moment tjetër që ka histori më vete. Pavarësisht se nuk mori asnjë ftesë, Noli i njohur për kurajën, niset vetë. Arrin në Vlorë në 20 korrik 1913. Asnjë person zyrtar nuk del ta presë. Megjithatë, Noli, përjetoi emocione të mëdha. Në moshën 31-vjeçare shkel për herë të parë në tokën e të parëve. Pavarësisht se ç’ndodhi, Noli për të qetësuar shokët e Amerikës do t’u shkruante këto fjalë: “Sa për në Shqipëri, u shiguroj se punërat venë shumë mirë. Po të ndodhesh në Vlorë do të çuditesh me pritjet e mëdha që më bënë myslimanët dhe të krishterët. Telegrafe mora nga të katër anët e Shqipërisë. Dijeni se pritja e madhe që më bënë më dha guxim të fortë, por mos harroni, se nderin që më bëjnë mua, nuk është i imi, por i të gjithë shqiptarëve të Amerikës”. Qëndrimi i Nolit në vitet e mëvonshme ndaj Ismail Qemalit padyshim do të jetë vlerësues. Me gjithë përplasjet e dallgëve politike në marrëdhëniet e tyre, në jetën e tij politike dhe veprimtarinë kishtare, Ismail Qemali do të ishte për të një figurë e nderuar, babai i pavarësisë. Kështu shpjegohet që në çdo vit ai do të mbante meshë kushtuar 28 nëntorit duke i bërë homazhe jetës dhe veprës patriotike të Ismail Qemalit. Në vitin 1958, ai madje do të botonte librin e 50-vjetorit të Kishës Autoqefale, të cilin ia dedikon pionierëve dhe shokëve të rilindjes kombëtare shqiptare duke vënë në krye emrin e Ismail Bej Qemal Vlorës.

Letërkëmbimi në shtyp 
Mes të tjerash njihet dhe si biografi i një prej kolosëve të mendimit intelektual shqiptar. Në librin “Jeta e Fan Nolit” Nasho Jorgaqi thotë se është përpjekur ta vendosë figurën e tij në rrethana konkrete social-historike, të japë epokën dhe ta interpretojë me objektivitet shkencor. Gjatë punës së tij studimore Nasho Jorgaqi ka hasur në një dokumentacion të gjerë ku letërkëmbimin e Fan Nolit po bëhet gati ta nxjerri së shpejti nga shtypi. Nasho Jorgaqi është shkrimtar, skenarist, hulumtues dhe studiues, ndërkohë që mban titullin “Mjeshtër i Madh i Punës”.

Konica, shqiptari që mahniti ministrin e jashtëm Britanik
Po Faik Konica ç’bënte në ditët e shpalljes së pavarësisë? I pyetur rreth kësaj figure studiuesi Nasho Jorgaqi thotë: Edhe Konica zhvillonte veprimtarin të gjithanshme, madje deri në rrethet e larta. Në këtë rast veçoj një episod që tingëllon si legjendë, por që në dijeninë time është e vërtetë. Faik Konica me zgjuarsinë dhe kulturën e gjerë dhe vizionin që kishte hodhi një hap të guximshëm. Shkoi dhe trokiti në shtëpinë e Eduard Grejit, i cili pati dashamirësinë që ta presë. Në bisedë e sipër Konica do ta pyeste të zotin e shtëpisë se çfarë lidhje kishte me një kompozitor anglez të shekullit të 18-të me mbiemrin Grey. Ai u përgjigj se ishte një nga katragjyshët e tij. Atëherë Konica mori t’i fliste për veprat muzikore të katragjyshit, gjë që e la të shtangur ministrin britanik. Dhe sikur të mos mjaftonte kjo, Konica iu drejtua një pianoje në dhomën e pritjes dhe ekzekutoi një pjesë nga muzika e dhomës kompozuar nga Grey i vjetër. Kur u kthye në vend, Eduard Grey tepër i habitur i tha: “Shumë faleminderit”, dhe shtoi pastaj se: “Një popull që ka njerëz të ditur si ju, meriton të përkrahet në të drejtën e tij”. Dhe fakti është që ai e mbështeti çështjen shqiptare në Konferencën e ambasadorëve.

Edward Grey përkrah shqiptarët
Nasho Jorgaqi thotë: “Në ditët e konferencës, në adresë të Grey-it erdhën qindra telegrame nga Amerika, aq sa ai do t’i thoshte një mikut të tij amerikan: “U thuaj shqiptarëve të mos shpenzojnë kaq shumë dollarë për telegrame, se ne e dimë sa e varfër është Shqipëria dhe sa u nevojiten ato para”. Kështu në 20 vjetor u arrit suksesi i parë historik. Konferenca vendosi në favor të një shteti shqiptar nën garancinë e mbikëqyrjen e Fuqive të Mëdha, por mbeti e hapur çështja e kufijve. Pra, siç shkruan një analist i kohës “kishte lindur Shqipëria, fëmija më i vogël i Europës, një fëmijë i vogël e i sakatosur  me kumbarë Grey-in”.

  –^^^  Beji “Like” faqes ne facebook “Zgjohu Shqiptar !!!”
             Me pas kliko ketu per ta shperndare ne profilin tuaj.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT