Besimi në ekonomi, Banka e Shqipërisë: Ndërtimi dhe industria në rritje

Në raportin më të fundit të Bankës së Shqipërisë “Vrojtimi i Besimit të Biznesit dhe të Konsumatorit”, Treguesi i Ndjesisë Ekonomike u ul me 1.5% në muajin prill, edhe pse niveli aktual i tij qëndron 6.4% mbi mesataren historike.

Kjo rënie, sipas Bankës Qendrore, gjatë muajit të shkuar u ndikua kryesisht nga ulja e besimit në sektorët e shërbimeve, tregtisë dhe rënia e besimit konsumator. Nga ana tjetër, besimi në sektorin e industrisë dhe të ndërtimit dha kontribut pozitiv në treguesin e ekonomisë së vendit.

Më konkretisht, besimi i sektorit të industrisë u rrit me 1.5% në prill të këtij viti, pas rënies me 2% një muaj më parë. Banka e Shqipërisë bëri të ditur se rritja u ndikua nga vlerësimet optimiste për prodhimin industrial dhe kontratat e eksportit.

Ndërsa besimi në sektorin e ndërtimit u rrit me 4.9% muajin e kaluar, duke arritur në 10.6 pikë përqindje mbi mesataren historike. Ky përmirësim erdhi kryesisht nga situata e porosive aktuale, ndërsa vlerësimet për aktivitetin ndërtues patën një kontribut të vogël rënës.

Sa i përket sektorëve të tjerë që pësuan rënie gjatë muajit të kaluar, sipas “Vrojtimit të Besimit të Biznesit dhe të Konsumatorit”, sektori i shërbimeve u ul me 1.7%, ai i tregtisë u ul me 3.6% dhe me 3.2% ra Treguesi i Besimit Konsumator, sipas Bankës së Shqipërisë.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT