Vizita e Begajt në Luginën e Preshevës trazon Serbinë! Studentët denoncojnë heshtjen e mediave, ja qëndrimi i Vuçiç

Presidenti, Bajram Begaj ka vizituar së fundmi Luginën e Preshevës, popullsia e së cilës është me shumicë shqiptare etnike. Vizita e Begajt në Serbi ka sjellë reagime teksa studentët e Universitetit të Novi Sadit kanë kërkuan të dinin se përse nuk ishte njoftuar vizita e presidentit shqiptar si dhe kërkuan të dinin pse mediat e lidhura me regjimin serb nuk raportuan vizitën e Begajt.
Grupi joformal i Studentëve të Fakultetit të Drejtësisë në Bllokadë tha në postimin e tij në Instagram se Presidenti i Shqipërisë nuk bëri një vizitë zyrtare në Beograd, por shkoi në qytetet e Bujanocit dhe Preshevës i shoqëruar nga policia serbe dhe një njësi sigurie e armatosur me armë automatike. Sipas tyre Begaj u prit nga zyrtarë vendas dhe flamuj shqiptarë.
“Begaj erdhi në Serbinë jugore nën velin e errësirës mediatike sikur të ishte në shtetin e tij. Më vonë morëm një deklaratë nga kryetari i bashkisë së Preshevës ku thuhej se Presheva dhe lugina e Preshevës janë pjesë e patjetërsueshme e botës shqiptare”, thuhej në postim.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç nga ana tjetër njoftoi sot se homologu i tij kishte marrë të gjitha lejet e nevojshme nga Beogradi për të vizituar jugun e Serbisë.
“Ata kanë bërë kërkesën në mënyrë të rregullt dhe kanë marrë të gjitha lejet nga autoritetet serbe. Bëhet fjalë për presidentin e Shqipërisë, e jo për presidentin e diçkaje tjetër”, tha Vuçiç.
Duke iu përgjigjur një pyetjeje të agjencisë JUGpress nëse personat e armatosur me armë të gjata që siguruan qëndrimin e Begajt në Bujanoc ishin “tanët apo të tyret”, Vuçiç u përgjigj shkurt: “Tanët.”