Bashkitë e vogla, shumë staf pak banorë! Mazniku: Kosto disproporcionale që rëndon buxhetin

Në një intervistë për Euronews Albania, bashkëkryetari i Partisë Socialiste, Arbjan Mazniku, ka folur për reformën territoriale, duke theksuar se një nga problemet kryesore lidhet me bashkitë e vogla. Ai tha se këto bashki kanë një strukturë stafi jo proporcionale me numrin e banorëve.
“Është një problem me bashkitë e vogla. E kanë disproporcionale sasinë e stafit për 1 mijë banorë. Sa do të vogël të bësh zyrën juridike, 2/3 njerëz do ti kesh në atë zyrë. Nëse je një bashki me 20 mijë veta, apo dhe 5 mijë vetë, 3 njerëz do ti kesh. Sasia e stafit që ke për çdo 100 banorë apo 1 mijë banorë krejt papritur bëhet më e madhe dhe kostoja që ka për ta mbajtur këtë strukturë në punë bëhet më e madhe”, tha ai.
Duke u ndalur tek sfida e ofrimit të shërbimeve, Mazniku ka sugjeruar se duhet gjetur një model i ri që garanton aksesin e qytetarëve tek shërbimet bazë. Ai ka nënvizuar se bashkëpunimi me bashki më të mëdha mund të jetë një zgjidhje, duke ruajtur afërsinë e shërbimeve me komunitetin dhe shmangur largimin e tyre.
”Duhet të mendojmë për një mënyrë se si kemi mundësi që disa funksione që mund të ofrohen më afër njerëzve të qëndrojnë afër territorit dhe të mos ikin, pra më mirë sesa të ikin fare, me mirë të jenë më afër atyre në një bashki më të madhe pranë territorit të tyre. ” u shpreh Mazniku.
Mazniku ka përmendur si alternativë modelin e qeverisjes me dy nivele, të ngjashëm me atë që zbatohet në vende si Italia, Kroacia apo Greqia. Ky sistem, sipas tij, do të mundësonte që funksionet e pamundura për bashkitë e vogla të kryhen nga një nivel më i lartë, si qarku apo rajoni, duke balancuar ofrimin e shërbimeve.
“Ose një opsion tjetër, për të pasur një qeverisje me dy nivele siç e ka Italia me bashki dhe rajone, apo Kroacia, Greqia. Pra, për të parë një mekanizëm ku përveç nivelit të bashkisë kemi dhe një nivel tjetër që ka disa funksione siç është qarku apo rajonet të cilat të mund të kryejnë disa funksione që bashkia nuk i kryen dot.” tha ai.
Mazniku theksoi se qytetarët e zonave të vogla shpesh detyrohen të udhëtojnë për të marrë shërbime bazë. Si zgjidhje, ai ka sugjeruar përdorimin e shërbimeve online, të cilat mund të lehtësojnë aksesin e qytetarëve pa qenë nevoja të përshkojnë distanca të gjata.
“Problemi është që kemi një zhvillim të pabarabartë në territor. Kemi bashki të mëdhaja që ofrojnë të gjithë gamën e shërbimeve, kemi bashki të vogla që nuk ia dalin dot tu ofrojnë qytetarëve shërbimet e nevojshme. Për këta qytetarë që iu duhet të lëvizin në një distancë prej 1 ore apo 2, mund të kryejnë shërbimet online.” tha Arbjan Mazniku.