Lëvizja BESA thirrje Zaevit: Kërko falje publike për ushtrinë e Kosovës, ose je me Vuçiqin!
“Kosova është shtet i pavarur dhe ka të drejtën legjitime të ketë ushtrinë e saj për mbrojtjen e tërësisë territoriale dhe lirisë së qytetarëve të saj. Deklarata e nxituar e kryeministrit Zaev kundër ushtrisë së Kosovës, sa është fyese për një shtet të lirë, po aq tingëllon si nacionalizëm i kohëve të shkuara”, thuhet në një komunikatë të Lëvizjes BESA.
Kjo parti kërkon nga kryeministri i vendit që të distancohet nga kjo deklaratë skandaloze dhe të kërkojë falje publike, kur dihet botërisht se krijimi i ushtrisë së Kosovës ka edhe përkrahjen e fuqishme të SHBA-së.
“Deklarata e tij shfaq fytyrën e vërtetë të Maqedonisë “multietnike”, i bën të ndjehen të ofenduar edhe shqiptarët e këtij vendi, të cilët i dhanë mandat të plotë për të qeverisur dhe jo për të nxjerrë nga goja broçkulla dhe barbarizma nacional-komuniste. Me këtë dëshmon se qëndrimi i kryeministrit Zaev është i dirigjuar nga Vuçiq, kryeministër i Serbisë, i cili është kategorikisht kundër formimit të ushtrisë së Kosovës.”, thekson Lëvizja BESA.