Ivica Daçiç, simboli fatal i rikthimit të nacionalizmit ditën e betejës së Fushë-Kosovës

Dy muaj pas zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale në Serbi u vendos që Ivica Daçiç të jetë mandatar i ri për kryeministër. Kreu i socialistëve ishte dikur bashkëpunëtor i ngushtë i Sllobodan Millosheviçit.

Karriera politike e Ivica Daçiçit ka filluar herët: në vitin 1990, në moshën 24-vjeçare ai u bë kryetar i socialistëve të rinj. Në vitet ‘90-të, ai ishte ndër bashkëpunëtorët e ngushtë të Sllobodan Millosheviçit. Si zëdhënës i Partisë Socialiste, ai mbronte luftërat qytetare dhe përhapte parulla nacionaliste. Pas rrëzimit të Millosheviçit në vitin 2000, dukej se edhe karriera e Daçiçit po merrte fund. Por ja që vetëm 12 vite më vonë ai do të bëhet kryeministër i Serbisë.

“Krijimi i qeverisë së re në Beograd nën presidentin Tomisllav Nikoliç u jep të drejtë të gjithë atyre që dyshojnë se demokracia në Serbi po përjeton një hap mbrapa”, – pohon deputetja gjermane dhe ekspertja për Ballkanin, Uta Zapf. Sipas saj, “forcat nacionaliste dhe reaksionare po marrin fuqi – madje në ditën e betejës në Fushë-Kosovë. Çfarë simboli fatal!”.

Mandatin për krijimin e qeverisë Ivica Daçiç e mori pikërisht në Vidovdan, përvjetorin e betejës në Fushë-Kosovë, kur forcat serbe u mundën nga trupat e perandorisë osmane. Më 28 qershor 1989, në Fushë-Kosovë u mbajt edhe fjalimi i Millosheviçit me rastin e 600-vjetorit të Vidovdanit. Millosheviçi atëbotë pati kërcënuar me luftëra të reja, që më pas edhe ndodhën.

Johanna Deimel nga Fondacioni i Europës Juglindore, paralajmëron se në Beograd mund të ashpërsohen qëndrimet ndaj Kosovës. “Kryeministri i ri Daçiç, sikurse edhe presidenti Nikoliç, angazhohet për ndarjen e Kosovës – gjë që është kundërshtuar nga BE, SHBA dhe vendet të cilat e kanë njohur pavarësinë e Kosovës”, – thotë ekspertja. Sipas saj, emërimi i Daçiçit për kryeministër “nuk sjell asgjë të mirë për rajonin”.

Daçiç ka ardhur në krye të socialistëve në vitin 2006, pas vdekjes së Millosheviçit në Hagë, ku ai priste vendimin ndaj akuzave për krime lufte në Bosnjë-Hercegovinë, Kroaci dhe Kosovë. Në katër vitet e fundit socialistët ishin në koalicion me Partinë Demokratike të ish-presidentit Boris Tadiçit.

Daçiç ishte dhe ende është ministër i Brendshëm. Në zgjedhjet e fundit ai dhe socialistët e tij kanë dyfishuar numrin e votave dhe si partia e tretë ishin të pashmangshëm në kombinimet për krijimin e koalicionit qeveritar. Daçiç kishte një marrëveshje për vazhdimin e bashkëpunimit me demokratët e Tadiçit. Por pas humbjes së tij në zgjedhjet presidenciale, ai vendosi të bashkëpunojë me Partinë Përparimtare të presidentit të ri Nikoliç, i cili ia ofroi postin e mandatarit për kryeministër.

Ekspertja Johanna Deimel shprehet e shqetësuar. Përballja me të kaluarën e luftërave të viteve ‘90 nuk është ndonjë temë e rëndësishme për krerët e rinj në Beograd. Deimel ka frikë se edhe përpjekjet për afrim me Bashkimin Europian do të dëmtohen prej toneve nacionaliste të qeverisë së re.

Serbia ka fituar në mars statusin e kandidatit për anëtarësim në BE. “Ky kurs duhet të vazhdojë”, – pohon përfaqësuesi i liberalëve, Rainer Stinner. Sipas tij, shumica e votuesve në Serbi janë deklaruar për një politikë proeuropiane. “Të gjithë politikanët në Serbi, edhe Daçiç, e dinë këtë. Mendoj se këtë rrugë do ta ndjekë edhe qeveria e re”, – pohon ai. Por në çështjen e BE-së, Daçiç ka deklaruar disa herë në të kaluarën se Serbia nuk do të përkulet para presioneve dhe ultimatumeve të Brukselit.

  –^^^  Beji “Like” faqes ne facebook “Zgjohu Shqiptar !!!”
             Me pas kliko ketu per ta shperndare ne profilin tuaj.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT