“Asi nën mëngë” i Ervin Salianjit për zgjedhjet në PD, nxjerr me pamje hyrjet dhe daljet në qendrat e votimit, paralajmëron Sali Berishën: Do vazhdoj betejën time

Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, ka dalë në një deklaratë për shtyp ku ka paraqitur, sipas tij, fakte që tregojnë se ish-kryeministri Sali Berisha është “braktisur” në zgjedhjet e së shtunës nga një pjesë e madhe e demokratëve.
Sipas Salianjit, çdo qendër votimi në çdo degë të Partisë Demokratike ka qenë nën monitorim me kamera dhe siç thotë ai, nga pamjet është vërtetuar lehtësisht se pjesëmarrja ka qenë tejet e ulët.
Ai ka deklaruar gjithashtu se, sipas tij, rreth 80% e demokratëve janë kundër Sali Berishës, ndërkohë që shton se për zgjedhjen e tij në drejtimin e PD-së nuk ka pasur urime as nga partitë simotra, një fakt që ai e interpreton si mungesë mbështetjeje dhe izolim politik.
“Interesi im është që PD të jetë fituese, e nëse ne nuk reagojmë sot do të jetë shumë vonë nesër dhe cilido do të jetë përgjegjës. Ky është një fakt tanimë… Pra, atë që kam thënë që në nisje është uzurpimi i PD-së,” është shprehur Salianji.
Ai ka shtuar se ka informuar edhe faktorë ndërkombëtarë, përfshirë PPE-në, dhe ka folur për mungesë urimesh dhe mbështetjeje nga aktorët politikë europianë, të cilët sipas tij nuk pranojnë të legjitimojnë zhvillime që bien ndesh me standardet demokratike.
Salianji ka paralajmëruar gjithashtu vijimin e takimeve me demokratët, duke bërë të ditur se ditën e premte do të jetë në një takim me bazën në Tiranë, ndërsa thekson se pavarësisht pengesave, angazhimi i tij politik do të vazhdojë.
Pjesë nga fjala e Salianjit:
Interesi im është që PD të jetë fituese, e nëse ne nuk reagojmë sot do të jetë shumë vonë nesër dhe cilido do të jetë përgjegjës. Ky është një fakt tanimë, po e lë prapë, shikoni se sa hyjnë dhe dalin. Do t’ju nis videot e monitorimit të qendrave të votimit me link, ky është një proces i rënë. Pra, atë që kam thënë që në nisje është uzurpimi i PD-së, dhe me këto elementë që kanë dashur t’i bëjmë vetë-vetë, kanë rënë brenda. Njëri pronar sillet si pronar i Shqipërisë, tjetri sillet si pronar i Partisë Demokratike. Edhe një element, nëse keni pyetje, kam informuar të gjithë faktorët ndërkombëtarë, PPE.
Padyshim që më vjen keq për demokratët që kanë një kryetar uzurpator që nuk e uruan as komshinjtë, as partitë popullore, urohet vetëm nga vartësit, por nga ana tjetër më vjen mirë që partitë europiane nuk pranojnë të shkelin standardet dhe nuk ka pasur asnjë urim për uzurpimin e PD-së, ashtu siç ka pasur dëshpërim te demokratët për uzurpimin.
Ditën e premte do jem në takim me demokratët e Tiranës, do t’ju lajmëroj, pasi sallat e mëdha nuk na i jep regjimi pasi ka hall se u mërzitet doktori. Do vazhdojmë betejën për demokratët. Çdo gënjeshtër që bëhet për llogari të qeverisë është një gjë e ndyrë e fëlliqur. Nëse kjo lëvizje e pengon 1 milimetër PD për të fituar, ta thonë; unë e kam kollaj të tërhiqem pasi unë s’jam peng.