“Ai stan, atë bulmet ka”, avokati Ermal Hamataj për ngjarjen e Çokajt: Nëse pranoni që familjarët tuaj të sjellin të ardhura në shtëpi nga vepra penale, atëherë heshtni!

Rasti i Mirel Çokajt ka mbetur një dosje e hapur duke sjellë dyshime të forta për një vrasje të mundshme të lidhur me konfliktet mbi kultivimin e kanabisit në Malësinë e Madhe. Ngjarja ndodhi në shtator 2025 dhe u raportua fillimisht si aksidentale, por familjarët kanë hedhur dyshime të vazhdueshme mbi versionin zyrtar. Një element kyç është fakti se telefoni i tij nuk është gjetur as tetë muaj pas ngjarjes, edhe pse motra ka deklaruar se ai është marrë nga prokuroria. Kjo ka shtuar dyshimet se provat janë zhdukur qëllimisht.
Familjarët përmendin se Gëzim Preldakaj dhe Pëllumb Hoxha janë dy persona që akuzojnë të afërmit e Çokajt dhe që lidhen me konfliktet mbi parcelat e kanabisit. Një detaj i rëndësishëm është se Gëzimi ka deklaruar se Mireli kishte “mbaruar” pasi e kishte gjetur përmes telefonit në orën 7:30, vetëm 15 minuta pasi ishte larguar. Ndërkohë, nëna e tij ka thënë më herët se telefoni i Mirelit kishte qenë gjatë gjithë natës ose i fikur, ose i padisponueshëm.
Avokati Ermal Hamataj, duke folur për ngjarjen në Euronews Albania, theksoi se kur ka një vrasje, vetëvrasje apo edhe rënie aksidentale, gjithmonë regjistrohet një procedim penal. Ai nënvizoi rëndësinë e mekanizmave ligjorë dhe faktin se prokuroria nuk mund të lërë pa hetim asnjë rast ku ka humbje jete. Hamataj kërkon të bëjë të qartë se çdo ngjarje e tillë trajtohet sipas ligjit, pavarësisht versioneve që qarkullojnë nga familjarët apo opinioni publik, duke i dhënë besueshmëri procesit hetimor dhe duke e distancuar atë nga thashethemet.
“E para, të jemi të bindur që patjetër kur ka një vrasje, qoftë ajo vetëvrasje, vrasje, rënie aksidentale apo edhe dyshime për vrasje nga dikush tjetër, kur ka një vdekje gjithmonë regjistrohet një procedim penal. Jam i sigurt që prokuroria e Shkodrës e ka regjistruar një procedim penal. Po ashtu jam i sigurt edhe për një gjë tjetër: nga ato që dëgjojmë nga deklaratat e familjarëve nuk mund t’i marrim a priori për të vërteta, aq më tepër që ne nuk dimë se çfarë procesverbali ka mbajtur policia në momentin e arritjes në vendngjarje dhe kqyrjes së kufomës dhe sendeve të tij personale. Mund të ndodhë që pasi është gjetur kufoma, është gjetur edhe celulari, ndoshta celulari është në duart e policisë. Pra, për aq kohë sa ka pasur procesverbale në atë moment, ne nuk mund ta marrim të mirëqenë faktin që ka pasur ose jo telefon.
Duhet pasur parasysh se në momentin që mund të kemi një vrasje, kemi një person që ka ndërruar jetë dhe një person që e ka kryer vrasjen. Por nëse kemi një rënie aksidentale dhe dyshojmë se kemi një person që ka kryer vrasjen, jemi duke i cenuar në thonjëza të drejtën atij personi tjetër të dyshuar. Ato që thonë familjarët nuk janë prova sipas procesverbaleve të konstatimit të policisë. Nuk kemi as aktin e kufomës. Është bërë kqyrja e kufomës nga morgu, por nuk kemi të dhëna mjekoligjore. Ekspertiza mjekoligjore tregon nëse janë gjetur shenja apo jo në trupin e viktimës dhe nëse po, nga se janë shkaktuar. Është shumë e thjeshtë: nëse familjarët pretendojnë se ka goditje mbrapa kokës, pyetja që lind është, a ka dalë kjo nga autopsia e kufomës apo jo? Gjasa më çon që nuk ka dalë, për aq kohë sa nuk kemi person të arrestuar në këtë rast.“- tha avokati.
Ai gjithashtu shtoi se nëse familjarët pranojnë që të afërmit e tyre të sjellin të ardhura nga veprat penale, atëherë duhet të heshtin. Ai dha një mesazh një të fortë ku theksoi se përfshirja në aktivitete kriminale nuk prek vetëm individin, por edhe familjen e tij, duke i sjellë të gjithëve ndaj pasojave të rënda. Ai apelon që familjet të distancohen nga praktikat e paligjshme për të mos u gjendur në situata pa përgjigje.
“Ajo që më bën çudi është fakti që të gjithë këta kanë jetuar me një vepër penale nëpër këmbë dhe në shtëpinë e tyre, dhe asgjë nuk u ka bërë përshtypje. Nga sa dëgjova, motra kishte të dhëna që ai bënte këtë punë. Dëgjova që bashkëjetuesja e tij bënte këtë punë. Ne nga jugu kemi një shprehje: Ai stan, bulmet ka. Kështu që apeli për familjarët është, nëse i doni gjallë dhe nuk doni të keni dyshime të tilla, mbajini pak më në kujdes familjarët tuaj. Shkëpusini nga bota e veprave penale, sepse në fund mund ta gjeni veten pa përgjigje. Mesazhi është i qartë, nëse pranoni që familjarët tuaj të sjellin të ardhura në shtëpi nga vepra penale, atëherë heshtni.”-vijoi Hamataj.