Ideja e Mini-Schengenit u propozua në Kosovë nga 4 Presidentë në 2010-ën/ Çfarë ka ndryshuar që atëherë?!

Prej disa javesh, prej takimit të tre kryeministrave të rajonit, atij shqiptar, serb dhe maqedonas, në Novi Sad të Serbisë, ka “lindur” edhe ideja e një Mini-Schengeni mes vendeve të Ballakanit Perëndimor.

Përpos skepticizmit pjesë e kësaj ideje është bërë edhe Mali i Zi, ndërsa të gjitha forcat politike në Kosovë e kundërshtojnë haptazi.

Por ideja e mini-schengenit ballkanik nuk lindi në Serbi, nga treshja Rama-Vucic-Zaev, ajo lindi në shtetin që sot e kundërshton, Kosovë.

Ka qenë qershori i 2010-s, kur në kuadër të mini-samitit të tretë ballkanik, të mbajtur në Prevallë të Prizrenit, liderët e katër vendeve të rajonit kanë shprehur gatishmërinë e tyre për krijimin e një mini-shengeni ballkanik dhe kanë adresuar gatishmëri dhe mesazhe bashkëpunimi.

Takimi ishte thirrur nga presidenti i atëhershëm i Kosovës, Fatmir Sejdiu, e morën pjesë edhe presidenti i Malit të Zi, Filip Vujanoviç, ai i Maqedonisë, Gjorgje Ivanov, ndërsa Shqipëria përfaqësohej nga Bamir Topi.

“Andaj, sot mund të themi se jemi afër realizimit praktik të asaj që e kemi thënë më herët, të një mini-shengeni ballkanik, apo të Evropës juglindore, për të demonstruar pjekurinë tonë edhe për proceset integruese për plan më të gjerë”, shprehej Sejdiu.

Ndërsa Presidenti i Shqipërisë, Bamir Topi, tha se:“Bashkëpunimi ynë do t’i kontribuojë ndjeshëm rritjes së stabilitetit rajonal, luftës kundër krimit të organizuar kontrabandës, forcimit të kufijve nga pikëpamja e administrimit të këtyre elementeve dhe hapjes së kufirit për sa i përket qarkullimit të lirë të njerëzve dhe mallrave”.

Pas takimit të përbashkët, të katër presidentët në atë kohë u zotuan për bashkëpunim për idenë e Mini-Schengenit, por gjithçka mbeti në letër dhe në atë konferencë shtypi, pas ndonëse kanë kaluar mbi 9 vite asgjë konkrete nuk është bërë.

Sot, 9 vite më pas, jemi në një situatë krejtësisht tjetër, duket se liderët e ballkanit (të paktën ata që kanë marrë pjesë në tryeza) e kanë seriozisht për të bërë ndryshimin.

Por një ndryshim thelbësor mes dy “ideve” janë pjesëmarrësit, këtë herë në tryezë është ulur Serbia, ndërsa e gjithë elita kosovare refuzon uljen në tryezë me drejtuesit e Beogradit.

Pyetja që lind është se cila është arsyeja e vërtetë që shteti që 9 vite më parë propozonte Mini-Schengenin, sot e refuzon.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT