Vrasja e Endri Goxhajt, Artan Hoxha bën deklaratën e fortë: 30-vjeçari shkoi i armatosur në lokal! Nëse njëri nga vëllezërit Nela s’do reagonte shpejt, dëmi do të ishte i madh

Gazetari Artan Hoxha ka dhënë detaje të reja nga ngjarja e rëndë në Memaliaj, ku pas një përplasje me armë zjarri, mbeti i vrarë 30-vjeçari Endri Goxhaj dhe u plagos rëndë vëllai i dy prej autorëve të dyshuar të ngjarjes.
Gjatë një interviste për Euronews Albania, Hoxha ka deklaruar se Goxhaj ka shkuar i armatosur dhe është fat që ka vetëm një të plagosur. Sipas tij, nëse autorët nuk do të kishin reaguar shpejt, bilanci i viktimave sot do të ishte më i madh.
“Ai që ka ardhur nga jashtë ka qenë me armë në dorë dhe ka hapur zjarr dhe ka qenë reagimi nga brenda dhe fati i atyre brenda që kanë shpëtuar me një të plagosur. Në rastin konkret dinamika dihet, por jo motivi, sepse ka pasur shkëmbim zjarri dhe nëse nuk do të kishte reagim të shpejtë nga pala e autorit, dëmi do të ishte më i madh aty, sepse viktima ka ardhur i armatosur dhe i vendosur për të hapur zjarr dhe njëri nga vëllezërit Nela ka reaguar shpejt. Por në fund të fundit kemi të bëjmë me humbje jetësh njerëzore, por dyshimet janë se është një nxitje për interesa të vogla”, tha ai.
Më tej gazetari ka deklaruar se lokali i vëllezërve Nela është kthyer në biznesin kryesor në Memaliaj. Po ashtu ai theksoi se Memaliaj në tre vitet është bërë qyteti me probabilitetin më të lartë ku mund të humbësh jetën në Shqipëri.
“Dyshohet se nuk ka qenë lidhje direkte, por vjen e nxitur nga njerëz të tjerë dhe është më tepër një përplasje për territor. Lokali që kanë hapur vëllezërit Nela, mbasi ka dalë nga burgu njëri prej tyre, u kthye në lokalin kryesor ku kishte më shumë punë në qytet dhe kjo mesa duket s’është parë me sy të mirë nga krahu tjetër dhe mbase nuk ka nisur për të përfunduar në viktima, mbase ka nisur për të demonstruar forcë, por jemi në këtë situatë, jemi ende në një hetim paraprak. Në tre vitet e fundit, Memaliaj është qyteti me probabilitetin më të lartë që ti mund të humbësh jetën. Uroj të mos ketë dëme të tjera aty, por mendoj që nuk është një çështje që do zgjidhet”, tha Hoxha.