“Ciu-ciu” kuq e zi e Xherdan Shaqirit dhe veprimi kuq e zi i Dardan Berishës

Nga Denion Ndrenika

“Shumë e kom vështirë të luaj ndeshjen që do të vjen me kombin tim me Shqipërinë, edhe nëse fitojmë dhe nëse humbim, prapë zemra ime osht kuq e zi”-tha Xherdan Shaqiri.

“I cilësuar si “tradhtarë” bashke me koleget tjerë si: vëllezërit Xhaka, Behrami, Xhemaili nga një pjesë e madhe e tifozëve “kuq e zinj”, ai përsëri nëpërmjet rrjetit social “Twitter” tregon madhështinë e tij prej futbollisti dhe njëherit edhe ndjenjat e tij për kombëtaren tonë duke theksuar se çdoherë ai do jetë “kuq e zinj”, pa marr parasysh rezultatin e takimit emocionues: Zvicër vs Shqipëri”-raportonte agjencia e lajmeve “INA”.

Me atë frazë, natyrisht shqip, pavarësisht problemit në të shkruar, Xherdan Shaqiri ka theksuar shpirtësinë që ndihet si shqiptar. Nuk është e vështirë aspak ta dimë këtë edhe pa na e thënë Xherdani. Vështirë të ketë zviceran “Shaqir”. Me letra gjen, plot, sa të duash e janë të pafund. Me letra gjen edhe Admir pa admirim, Blerim pa lule, Granit të copëtuar, Valon që shkon nga fryn era. Dikush ndoshta do t’i lexojë si të pavend këto radhë. Po them se nuk kam asnjë lloj cmire. Nuk është as revoltë. Në fakt, është hidhërim, se më duket që Xherdan Shaqiri, Granit Xhaka, Admir Mehmedi, Blerim Xhemaili, Valon Behrami na tallin.
E nisa shkrimin me fjalët e Shaqirit, që ndihej kuqezi apo se do ta kishte të vështirë të luante kundër Shqipërisë. Po ta kishte të vështirë, Xherdani dhe ata të tjerët, tërhiqeshin në ndeshjen Zvicër-Shqipëri, sikurse bëri Dardan Berisha që luan me Poloninë në basketboll, kur kërkoi leje dhe ia dhanë, që të mos luante kundër atdheut të tij Shqipërisë muajin e shkuar.

Vendosmëria e pejanit Dardan Berisha të Polonisë për të mos luajtur kundër Shqipërisë në basketboll, sepse ndihet shqiptar, është grusht në fytyrë kundër të gjithëve. Si Dardani duhet të bënin të gjithë shqiptarët e Zvicrës. Normal, ata janë shtetas zviceranë e ndoshta kanë frikë se ua heqin shtetësinë. Nuk janë të vetmit. Edhe Milaim Rama e kishte bërë vite të shkuara. Edhe ca të tjerë.
Respekt të jashtëzakonshëm për shqiptarët nga Shqipëria Verilindore, Besnik Hasi e Lorik Cana, flamurtarë nismëtarë dhe vazhdimtarë të vetëdijes së çfarë janë, udhërrëfyes për të gjithë që kanë vepruar si ata. Ja pra, nuk paskërka qenë aq keq për ta. Xherdani thoshte gjithashtu se “Shqipëria as që më ka pyetur ndonjëherë nëse do të luaj për ta apo jo. Megjithatë, ndeshja e të martës do të jetë tepër emocionale”. As Hasin nuk e pyeti Shqipëria. E gjeti vetë rrugën. As Lorikun që dha zemrën për të ardhur. As Samir Ujkani, as Bekim Kastrati, as Arjan Beqaj, as Debatik Curri, as Armend Dallku, as Ahmed Januzi, as Etrit Berisha, as Besart Berisha, as Mehmet Dragusha, as Alban Meha, as Burim Kukeli, as Kristi Vangjeli, as edhe cilido tjetër nuk erdhi t’i thotë Shqipërisë pse nuk e mori. Ata bënë si Hasi e Cana, nuk bënë si vëllezërit Hetemajt te Finlanda, as si zviceranët me letra, as si Gjergji “pagëzor” Panajot Koneja, as si Sotir Nini, as si një i ri korçar që po pret Greqinë e s’vjen te Shqipëria.

Vëllezërit Granit e Taulant Xhaka, kam dëgjuar më parë, se e kanë dëshiruar Shqipërinë, por kishin marrë vetëm ndonjë telefonatë nga Lorik Cana e nga askush tjetër, andaj vendosën Zvicrën. Nuk po mbroj fare Federatën Shqiptare të Futbollit. Si gjithkush tjetër kam vërejtje për të, edhe për këto raste. Mirëpo, gjithashtu duhet t’ia themi se mendjen e ka pasur në këto mundësi.
Valon Behrami zgjodhi Zvicrën, si shumë shqiptarë të tjerë nga origjina. Ai arsyetoi se nuk mund t’ia hidhte poshtë Zvicrës çfarë ka bërë për të. Po ashtu edhe disa probleme ligjore që shumë të tjerëve, përfshi Valonin, ua pamundësonin të luanin për Shqipërinë. Normale. E drejtë. Mirëpo, keqardhja është se nuk dimë saktësisht nëse Valoni apo të tjerët me pamundësi ligjore e dinin se nuk luanin dot për Shqipërinë dhe nëse e shfrytëzuan zërin kuq e zi për të një vend në kombëtaret që i adaptuan.

Si ta quajmë, të gabuar, zgjedhjen e vëllezërve Hamit dhe Halil Altintop, Nuri Shahinit dhe një numri të madh lojtarësh të tjerë që nuk zgjodhën vendin që i paskërka bërë mirë, domethënë vendin adaptues, por atdheun e origjinës? Thjesht fare, Behrami dhe të tjerët të ofendojnë. Ata mund të bëjnë ç’të duan, por gjakun nuk e ndryshojnë dot, pavarësisht nëse e kanë të hidhur ose jo. As qenien e Kosovës pjesë të Shqipërisë, të tjerët dhe Valoni që nuk valon si flamur, por andej nga fryn era, nuk e ndryshojnë dot. Turqit, Turkillmazin, Gyndoganin, Ozilin, Derdijokun i quajnë harramsëzër. Bënë gjakun ujë.
Rast të freskët kemi Majlinda Kelmendin, që bëri çmos për të shkuar në olimpiadë me Kosovën apo garimin me flamurin olimpik, ndonëse të vetmen mundësi kishte, siç edhe ndodhi, Shqipërinë. Ajo e pohoi se nuk e kishte shumë për zemër këtë. Nuk donte, “udha mbarë i qoftë”! Garimi për Shqipërinë nuk është detyrim personal, është vetëdije kombëtare. Mosmirënjohja është ndjenja më e ulët e njeriut. Ndoshta ka ende kujtime jugosllaviste. Jo Majlinda apo Valonërit e Xherdanët se janë të rinj. Sot janë globalistë që përpiqen të të bindin se bota ka ndryshuar. Nuk e bëjnë dot. Shaqiri “Shaqir” mbetet, nuk bëhet dot “Von Shaqir”, as “Shaqirburg”.

Herët a vonë kjo gjendje do të vinte pasi disa gjakshprishur, shpirtnxirë po na krijojnë kombin “kosovar”. “Mortja që nuk i ha!”-është një shprehje.
Një shtesë të vogël për Granitin e thyer. Ai këndoi Himnin Kombëtar të Shqiptarëve kur ia kërkuan të këndonte një këngë te Borusia e Mynshengladbahut. U gëzuam, domosdo. Qoftë, edhe pa vetëdije këndimi, veç që e bëri, dëshmonte se ai përbrenda është shqiptar. Mirëpo, këto ditë Granit Xhaka ka thënë se ia kërkuan një këngë dhe i doli Himni, sepse ishte e vetmja këngë që dinte. Pra, që dinte dhe jo që ndjente?

Gazeta “Koha Ditore” në Kosovë citonte gazetën “Basler Zeitung” të Bazelit për rastin e himnit të Xhakës: “Mesfushori kosovar i Borussia Moenchengladbachut, Granit Xhaka thotë se është ekzagjeruar tepër me faktin që ka kënduar himnin e Shqipërisë në një ritual te klubi gjerman. Në klub çdo lojtar i ri duhej të këndonte një këngë dhe Xhaka zgjodhi himnin e Shqipërisë. Kjo kishte bërë bujë të madhe në mediumet zvicerane. Xhaka është ndër lojtarët më të mirë të Përfaqësueses së Zvicrës. “Unë e kam parë shumë të ekzagjeruar faktin që këndova himnin e Shqipërisë. Çështja është se himni i Shqipërisë është kënga e vetme që e di. Mua më duhej të këndoja një këngë dhe këndova himnin. Unë e pranoj se teksti i himnit të Zvicrës është mjaft i komplikuar dhe me këtë gjermanishte nuk jam i njohur. Unë kam zbuluar se edhe shumë zviceranë tjerë nuk e dinë himnin”. Kjo nuk qëndron fare. Edhe pse Granit Xhaka pohon se “ndeshja me Shqipërinë është e veçantë. Pavarësisht Kosova apo Shqipëria, shqiptarët janë një komb”.
Me letra?

  –^^^  Beji “Like” faqes ne facebook “Zgjohu Shqiptar !!!”
             Me pas kliko ketu per ta shperndare ne profilin tuaj.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT