“Mos u fsheh pas gishtit”, Qori ia thotë “në sy” Lapajt: Po bashkëpunon me Saliun

Kreu i Lëvizjes Bashkë, Arlind Qori, u përplas mbrëmjen e sotme në emisionin “5 Pyetjet nga Babaramo” me kryetarin e Shqipëria Bëhet, Adriatik Lapaj.
Gjatë emisionit, Qori akuzoi Lapajn për bashkëpunim me Sali Berishën, të cilin e cilësoi si një të keqe të vendit.
Sipas tij, justifikimi se PD ka marrë 500 mijë vota nuk mjafton për të legjitimuar një bashkëpunim të tillë.
Po ashtu Qori solli si shembull vitin 2017, kur sipas tij, bashkëpunimi për një qeveri teknike nuk dha rezultat pozitiv për opozitën.
“Çdo parti është e hapur për votuesit e partive të tjera. Por Lapaj për të justifikuar bashkëpunimin me PD-në, që do të thotë me Sali Berishën, pavarësisht se mund të fshihen sa të duash pas gishtit, argumenti ishte se kjo parti ka marrë 500 mijë vota. Por unë iu kujtoj që PS ka marrë edhe më shumë vota dhe sipas këtij këndvështrimi zotëria do të duhet të shkonte të bashkëpunonte edhe me Ramën. Siç vajti të bashkëpunojë bashkëkryetari i koalicionit të tij, Endri Shabani, ose një tjetër që donin ta fusnin në lista dhe e emëroi Rama drejtor, ky ish-deputeti i Peqinit. Pra argumenti që kjo parti herën e fundit ka marrë kaq vota dhe kjo përligj bashkëpunimin me strukturat e korruptuara të kësaj partie, nuk shkon logjikisht dhe moralisht.
E dyta, ti mund të duash të të qeverisë edhe Babagjyshi i Vitit të Ri, mund të duash edhe 12 shenjtorët të zbresin nga qielli, t’i bëjmë 12 ministra edhe të vëmë një kryeshenjtor në krye të qeverisë. Por këto janë dëshira në erë, sepse nuk mundet një parti që të emërojë ministra, kryeministra dhe të miratojë edhe ligjet që do bëjë kjo qeveri tranzitore, pa kuptuar që votat në Parlament për ta votuar kush i ka? A do e votojë Rama me Berishën? Për pasojë do e kontrollojë Rama dhe Berisha. Këtë e kemi provuar në 2017, kur vajti Lulzim Basha në qeveri teknike dhe mori rezultatin më të ulët historik. Nëse ne do të kemi fuqinë për ta goditur Ramën, ai duhet goditur menjëherë me zgjedhje të parakohshme dhe do të bjerë nga pushteti”, tha Qori.
Nga ana tjetër Lapaj mohoi çdo bashkëpunim me Berishën. Ai u shpreh se sa herë që PD-ja ka organizuar protesta, është larguar nga sheshi.
Madje Lapaj akuzoi Qorin për bashkëpunim me Berishën, duke pretenduar se përfaqësuesi i Lëvizjes Bashkë në Parlament votoi projektligjin e Tabakut.
“Unë s’kam bashkëpunuar me Berishën, sepse jam këtu në shesh dhe sa herë që ai vjen, unë kam ikur. Por Qori këtë javë ka bashkëpunuar me Berishën. Qori ka votuar një ligj të propozuar nga PD këtë javë, e dini apo jo? Përfaqësuesi i Qorit ka votuar një projektligj të propozuar nga Tabaku, që ishte një ligj i propozuar nga një deputete e PD-së”, tha Lapaj.