Skandal çmimesh për biletat e botërorit/ Disa vende për finale arrijnë deri në 2 milionë euro

Biletat për finalen e Kupës së Botës 2026, që do të luhet më 19 korrik në “MetLife Stadium” te New Jersey, po shënojnë çmime pothuajse të pabesueshme.

Në platformën zyrtare të rishitjes së FIFA-s, janë shfaqur çmime që kanë shkaktuar reagime të forta: disa vende në sektorin e parë, menjëherë pas portës, janë listuar me një çmim që i afrohet dy milionë eurove për secilën biletë.

Një shifër ekstreme që ngre pyetje të mëdha mbi aksesueshmërinë e eventit sportiv më të ndjekur në botë.

FIFA nuk i vendos drejtpërdrejt çmimet në tregun sekondar, por administron platformën zyrtare të rishitjes, duke përfituar një komision prej 15% si nga blerësi ashtu edhe nga shitësi. Kjo e bën organizatën pjesë ekonomike të gjithë zinxhirit të transaksioneve.

Megjithatë, sistemi tregon diferenca të mëdha brenda të njëjtit stadium. Në disa raste, vende në sektorin e tretë variojnë nga 20 mijë euro deri në mbi 118 mijë euro, edhe për distanca shumë të vogla mes ulëseve.

Ndërkohë, biletat që konsiderohen më të lira për finalen e Botërorit, arrijnë aktualisht rreth 10 mijë euro.

FIFA mbron modelin e çmimit variabël, duke e cilësuar atë në përputhje me standardet e industrisë sportive të Amerikës së Veriut. Sipas saj, ky sistem synon të reflektojë vlerën reale të tregut dhe të optimizojë si shitjet, ashtu edhe pjesëmarrjen në stadium.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT