Seanca vendimtare në Kuvendin e Kosovës, pritet sot konstituimi i legjislaturës së re. Zgjedhja e presidentit, sfida e radhës

Kuvendi i Kosovës pritet të konstituohet në seancën plenare të kësaj të enjte (6 gusht) që nis në orën 10:00, në ditën e fundit të afatit kushtetues për përmbylljen e këtij procesi. Konstituimi i legjislaturës së re do t’i hapë rrugë formimit të institucioneve të reja, ndërsa vëmendja mbetet te sfidat kushtetuese që lidhen me zgjedhjen e presidentit.
Procedurat do të nisin me formimin e Komisionit të Përkohshëm për Verifikimin e Mandateve dhe pas miratimit të raportit të këtij komisioni, deputetët do të bëjnë betimin, ndërsa më pas pritet të zhvillohet procesi për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit.
Megjithatë, përveç konstituimit të Kuvendit, vëmendja është përqendruar edhe te procesi i zgjedhjes së presidentit të vendit. Ekspertët e së drejtës kushtetuese paralajmërojnë se mungesa e një marrëveshjeje politike mund të krijojë një ngërç institucional, pasi Kushtetuta parashikon që ushtruesi i detyrës së presidentit mund ta ushtrojë këtë funksion për një periudhë jo më të gjatë se gjashtë muaj.
Nëse brenda këtij afati nuk zgjidhet presidenti i ri, vendi mund të përballet me paqartësi kushtetuese, pasi nuk ekziston një mekanizëm i qartë ligjor që rregullon një situatë të tillë. Sipas analistëve politikë, zgjedhja e presidentit do të varet nga arritja e një konsensusi mes forcave politike, pasi për këtë proces nevojiten të paktën 80 vota në Kuvend. Në mungesë të një marrëveshjeje, nuk përjashtohet mundësia që çështja të përfundojë në Gjykatën Kushtetuese ose vendi të shkojë drejt zgjedhjeve të reja.