Berisha: Himara, djep i atdhetarizmit shqiptar

Përpjekjet për të gjetur nëpërmjet nekropolitikës minoritet në Himarë janë donkishoteske dhe tragjikomike. Himara në shekuj ka qenë dhe mbetet djep i atdhetarizmit shqiptar me kontribute të mëdha në luftërat e vendit për liri, ne letrat, artin dhe kulturën kombëtare. Ky ka qenë reagimi i Kryeministrit në detyrë Sali Berisha, i pari nga një zyrtar i lartë shqiptar pas policisë së Vlorës, lidhur me thirrjet për luftë për të çliruar Himarën që u lëshuan më 11 gusht në Himarë nga eksponentë të Agimit të Artë, të cilët shoqëroheshin edhe nga shtetas shqiptarë.

“Një ceremoni mortore e politizuar deri në nazizëm nga një grusht fare i vogël ekstremistësh, vrau këto ditë për së dyti te riun A. Guma. Përpjekjet për të gjetur nëpërmjet nekropolitikës minoritet në Himarë janë donkishoteske dhe tragjikomike. Himara në shekuj ka qenë dhe mbetet djep i atdhetarizmit shqiptar me kontribute të mëdha në luftërat e vendit për liri, në letrat, artin dhe kulturën kombëtare. Në këtë zonë, disa nga fshatrat dhe vetë Himara janë bilingual, por me ADN dhe nëngrupe gjaku identike me fshatrat e tjera që në mijëra vjet nuk kanë folur një fjalë në gjuhën greke apo tjetër përveçse shqipes së bukur”, shkruan Berisha në rrjetin social facebook.

Më tej Kryeministri thekson se një ceremoni përkujtimore mortore me politizim ekstrem dëshmon dhe njëherë mjerimin e atyre që duan të gjejnë në të vdekur gjurmët e një minoriteti që nuk ka ekzistuar kurrë në Himarë.

Lidhur me ngjarjen edhe policia e Vlorës ka nisur hetimet. Në një deklaratë për mediat theksohet se nga ana e strukturave të Drejtorisë Policisë së Vlorës janë kryer të gjitha veprimet e para procedurale dhe materialet janë dërguar në Prokurorinë e këtij qyteti në ngarkim të disa shtetasve shqiptarë dhe grek për veprën penale “Thirrje për urrejtje nacionale”.

Njoftimi nuk saktëson se për sa persona bëhet fjalë, por theksohet se po vijon puna për dokumentimin e plotë të kësaj ngjarje. Policia e Vlorës është institucioni i parë shqiptar që reagon në mënyrë zyrtare ndaj incidenteve që shkaktuan në Himarë përfaqësues të Agimit të Artë, si dhe ndaj thirrjeve për luftë.

Në fjalimin që mbajti para varrit të Arsitotel Gumes, një prej aktivistëve të “Agimit të Artë” Kristoforos Tsankas, theksoi se “nuk ikim nga Himara deri në çlirimin e saj”.

“Agimi i Artë nuk vjen ne Himarë për të ikur. Bëjmë nderime mbi varrin e tij dhe premtojmë se do te vazhdojmë luftën, deri në momentin e çlirimit”, tha Tsankas.

Kjo deklaratë e publikuar si video në faqen zyrtare të Agimit të Artë nxiti policinë të nisë hetime, ndërsa të paktën zyrtarisht nuk ka asnjë reagim tjetër nga institucionet shtetërore. Eksponentët grekë të partisë ekstremiste u shoqëruan në Himarë edhe nga disa shtetas shqiptarë.

  –^^^  Beji “Like” faqes ne facebook “Zgjohu Shqiptar !!!”
             Me pas kliko ketu per ta shperndare ne profilin tuaj.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT